Ndërlidhjet

ZYRA E AHTISARIT PËRGATITET PËR SAMITIN E NIVELIT MË TË LARTË KOSOVË-SERBI


Takimi i nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të ndodhë në Vjenë në gjysmën e dytë të korrikut dhe palët do të prezantojnë në atë takim qëndrimet e tyre lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, tha sot për radion Evropa e Lirë, Hua Jiang zëdhënëse e zyrës së të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari. Zonja Jiang tha se aktualisht po punohet në dy binarë – po shqyrtohen çështjet teknike të diskutuara në gjashtë raundet e bisedimeve ndërmjet delegacioneve të Kosoëvs dhe Serbisë në Vjenë, si dhe po bëhen përgatitje për një takim të nivelit të lartë:
"Ne aktualisht po përgatitemi për të ashtuquajturin samit, që do të jenë biseda të nivelit të lartë, që mund të mbahen kah gjysma e dytë e korrikut", tha Hua Jiang, sipas të cilës ky do të jetë takim i niveleve më të larta nga të dyja palët. Zonja Jiang tha se ftesat për këtë takim ende nuk i janë dërguar askujt, por ato do t’u dërgohen përfaqësuesve më të lartë të të dyja palëve, Kosovës dhe Serbisë:
"Ne do t’u dërgojmë ftesat përfaqësuesve të nivelit më të lartë, presidentit dhe kryeministrit, ndërkohë që u takon vetë palëve që të vendosin se kë do ta dërgojnë në këtë takim", tha zonja Jiang, duke mos dashur të komentojë se kush do të marrë pjesë në këto takime. Burime të tjera jozyrtarisht kanë bërë të ditur se zyra e kryenegociatorit Marti Ahtisari pret që në këtë takim të nivelit më të lartë do të marrë pjesë ekipi negociues i Kosovës në përbërjen e tij komplete. Nga Serbia pritet të marrin pjesë presidenti Boris Tadiq dhe kryeministri Vojislav Koshtunica. Sipas zëdhënëses së zyrës së Ahtisarit, Hua Jiang ky do të jetë takimi i parë ku do të diskutohet për vetë statusin e ardhshëm të Kosovës:
"Takimi i nivelit të lartë ka për qëllim që të dyja palët të bëhen bashkë dhe të prezantojnë qëndrimet e tyre lidhur me statusin e ardhshëm", tha zëdhënësja Hua Jiang.
Ajo tha se zyra e zotit Ahtisari me seli në Vjenë ende është duke punuar njëkohësisht edhe në çështje teknike si decentralizimi, ekonomia dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore. Zonja Jiang tha se lidhur me fusha të caktuara po punohet me të dyja palët, ndërsa për disa çështje te tjera, zyra është në pritje të përgjigjeve nga palët lidhur me sugjerimet e zyrës së zotit Ahtisari, prandaj nuk përjashtohet mundësia që të ketë edhe takime të tjera për çështjet teknike tashmë të diskutuara, krahas vazhdimit të bisedimeve për vetë statusin.

Rrahman Paçarizi

XS
SM
MD
LG