Ndërlidhjet

ARIFI: NË ZGJEDHJE DUHET TË JENË FITUES GJITHË QYTETARËT


Teuta Arifi, nënkryetare e Bashkimit Demokratik për Integrim

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Arifi, si i shpjegoni incidentet e fundit në fushatën zgjedhore në Kosovë?

TEUTA ARIFI
Përgjithësisht ne i dënojmë të gjitha incidentet në të cilat ka përdorim të dhunës, dhe jemi të pakënaqur me çdo situatë ku ka incidente, veçanërisht duke patur parasysh faktin se në pjesën më të madhe të tyre, në një mënyrë kanë qënë aktivistë të Bashkimit Demokratik për Integrim. Mendojmë se këto lloj incidentesh nuk duhet të përsëriten dhe ata të cilët dëshirojnë që të maten në zgjedhje, këtë punë duhet ta bëjnë përmes debateve përsa i përket programeve politike dhe jo nëpërmjet dhunës dhe incidenteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse incidentet kryesisht ndodhin ndërmjet ithtarëve të subjekteve politike shqiptare?

TEUTA ARIFI
Mendimi im është se për fat të keq, disa subjekte politike shqiptare, në këtë rast konkretisht Partia Demokratike Shqiptare, ka zgjedhur një rrugë, që unë mendoj se nuk është korrekte për të arritur fitoren në zgjedhje, dhe ajo është rruga e kërcënimeve, rruga e presioneve që bëhet mbi popullatën, por njëkohësisht edhe e sulmeve të ndryshme mbi shtabet zgjedhore. Mendoj se nuk është diçka e mirë që një gjë e tillë të jetë karakteristikë në suaza të bllokut politik shqiptar, për arsye se ajo do të na shënohej si kredi negative, pikërisht subjektit politik shqiptar në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Arifi, liderët e BDI-së dhe PDSH-së u zotuan para ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për t'i dhënë fund dhunës. Megjithatë incidentet vazhdojnë. Sa janë në gjendje udhëheqësit partiakë të kontrollojnë gjendjen në terren?

TEUTA ARIFI
Unë nuk mund të flas për udhëheqësit partiakë të ndonjë partie tjetër, unë mund të flas vetëm në emrin e Bashkimit Demokratik për integrim. Në takimin që ne patëm në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ne mbajtëm një qëndrim konstruktiv. Nuk hymë në debatin se kush apo kujt i bën probleme, mirëpo thamë që me përgjegjësi të plotë do të marrim përgjegjësinë për të mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike. Dhe jam mëse e bindur se partia Bashkimi Demokratik për Integrim dhe udhëheqja e saj, në mënyrë të plotë janë në gjendje që të mbajnë kontroll mbi aktivistët e vet dhe nuk dëshirojnë që fajin t'ja hedhin dikujt tjetër. Përkundrazi presin që edhe të tjerët të mbajnë përgjegjësi për aktivitetet e ndryshme që ndodhin në terren.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Arifi, a mendoni se partitë politike shqiptare janë të pjekura për të mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme?

TEUTA ARIFI
Unë e di se BDI-ja është duke treguar një maturi dhe pjekuri pikërisht duke patur parasysh faktin se këto zgjedhje kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për rrugën e Maqedonisë për integrim në Bashkimin Evropian, kanë edhe rëndësi të veçantë për rajonin, duke patur parasysh faktin se janë duke u zhvilluar bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës. Çdo sjellje jo serioze e shqiptarëve, në cilëndo pjesë të rajonit, faktikisht do të ishte një sinjal negativ ndaj komunitetit ndërkombëtar, ndaj këtyre proceseve të mëdha për shqiptarët në rajon. Prandaj dhe Bashkimi Demokratik për Integrim dhe ne do të sillemi me përgjegjësi të plotë, me maturi të plotë, prandaj edhe kemi kujdes në të gjitha sjelljet tona që bëjmë. Jo se kemi frikë, por për shkak se jemi të bindur dhe duam që të kontribuojmë që shqiptarët e Maqedonisë të dalin me një imazh evropian dhe jo me një imazh të fisrave apo tribalëve të dikurshëm, ashtu siç dëshiron dikush tjetër t'i prezantojë shqiptarët për fat të keq.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju përmendët ndërkombëtarët. Ata vazhdimisht sugjerojnë se incidentet po e prishin imazhin e vendit dhe i zvogëlojnë gjasat e Maqedonisë për eurointegrimet. A nuk mendoni se pavarësisht fituesit nga pala shqiptare, humbësi më i madh megjithatë do të jenë shqiptarët?

TEUTA ARIFI
Në qoftë se do të kishim zgjedhje problematike, gjithsesi humbës do të ishin të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Kjo është dhe arsyeja pse ne sillemi me përgjegjësi të plotë, me kujdes maksimal, për arsye se nuk jemi të interesuar për zgjedhje në të cilat do të ndodhin incidente të mëdha dhe të cilat do të kenë pasoja jo të mira në aktivistët, qofshin ata të Bashkimit Demokratik për Integrim, qofshin ata të partive të tjera politike shqiptare, për shkak se konsiderojmë se fituesit e fundit në këto zgjedhje duhet të jenë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm partitë politike.

Intervistoi Vullnet Poshka



XS
SM
MD
LG