Ndërlidhjet

KOSHTUNICA: KOSOVA KA QENË DHE DO TË MBETET PJESË E SERBISË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica ka thënë sot në Graçanicë se Kosova ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Serbisë. Ai i ka bërë këto komente, duke iu drejtuar masës së njerëzve që po shënonin një festë fetare të serbëve, e cila lidhet me betejën e Kosovës të vitit 1389, ku forcat e bashkuara të Ballkanit pësuan një humbje nga ushtria e perandorisë osmane. Duke iu drejtuar njerëzve të mbledhur në oborrin e manastirit në Graçanicë, afër Prishtinës, kryeministri i Serbisë Koshtunica tha:
"Është e vërtetë se sot nuk do të mund t'i luteshim Zotit dhe nuk do të mund t'u faleshim të parëve tanë, po të mos na ruante ushtria dhe kaq shumë tanke", tha Vojisllav Koshtunica, duke theksuar se nuk ka asnjë vend tjetër në Evropë ku ndodh kështu. Kryeministri i Serbisë Koshtunica tha se Graçanica është një rast ku botës mund t'i shpallet se Serbia dëshiron drejtësi dhe paqe.
"Nuk ka vend më të mirë dhe më të rëndësishëm për të përsëritur atë që duhet ta dijë çdo serb se Kosova gjithmonë ka qenë dhe gjithmonë do të jetë pjesë e Serbisë", tha kryeministri serb Koshtunica, sipas të cilit populli që do paqe, që do liri dhe drejtësi, kërkon që të bisedohet dhe të gjendet kompromisi për zgjidhje të drejtë për Kosovën.
"Do t'ua sjell porosinë se i gjithë kombi është me ju dhe dua t'ju them se kurrë askush nuk ka qenë në pozitë më të fortë juridike, sesa ndodhet Serbia sot në bisedat për të ardhmen e Kosovës," tha Vojisllav Koshtunica.
Ai ka ardhur në Kosovë pas kërkesa e tij qe miratuar nga UNMIK-u, duke e cilësuar atë një vizitë private, e cila nuk bën të politizohet, ndërkohë që kryeministri i Serbisë Koshtunica nuk ka patur asnjë takim me zyrtarë të Kosovës apo të pranisë ndërkombëtare. Kryeministri i Serbisë Vojisllav Koshtunica nuk ka marrë pjesë në liturgjinë e mbajtur në manastirin e Graçanicës, të cilin e ka udhëhequr patriku Pavle, së bashku me peshkopët Artemije dhe Teodosie. Pas liturgjisë është mbajtur një ceremoni fetare në Gazimestan të Prishtinës, ku kanë marrë pjesë disa qindra qytetarë serbë dhe udhëheqësja e Qendrës koordinuese të Serbisë për Kosovën, Sanda Rashkoviç- Iviç. Ajo tha se Serbia po e mbron Kosovën me mjete demokratike dhe ka shfaqur shpresën se Serbia do të ketë më shumë fat sesa në vitin 1389, kur u mund nga perandoria osmane. Zonja Rashkoviç-Iviç tha se shënimi i kësaj dite është kujtim i të shkuarës dhe nxitje për të ardhmen.
"Ajo që po e ndiej sot është se ne duhet të përcaktohemi për jetën dhe të negociojmë, Kosovën e mbrojmë me zemër dhe mendje, e mbrojmë me mjete demokratike," tha zonja Rashkoviç- Iviç, duke shfaqur shpresën se do të kenë më shumë fat se sa të parët për të mbrojtur Kosovën, siç u shpreh ajo.
Ajo tha se është e trimëruar nga vizita e kryeministrit Koshtunica në Londër, ku sipas saj, kryeministri Toni Bler nuk e ka përmendur fare pavarësinë e Kosovës.

XS
SM
MD
LG