Ndërlidhjet

SHTYPI NDËRKOMBËTAR PËR VIZITËN E KRYEMINISTRIT SERB NË KOSOVË


Ekspedita në Kosovë e kryeministrit serb, Vojisllav Koshtunica, është një nga përpjekjet më të fundit të qeverisë në Beograd për të shtyrë mënjanë atë, që kjo qeveri e konsideron si proces të pavarësimit të Kosovës, shkruan e përditshmja amerikane “New York Times”. Por, diplomatët perëndimorë megjithatë thonë se pavarësia do të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara deri në fund të këtij viti, sipas të gjitha gjasave në formë të një zgjidhjeje të imponuar. Dhe derisa vizita e zotit Koshtunica në Kosovë kaloi pa ndonjë reagim thelbësor të udhëheqësve shqiptarë, zyrtarët ndërkombëtarë thanë se janë të shqetësuar nga qëndrimet gjithnjë e më të sforcuara të Serbisë mbi Kosovën. Gazeta citon edhe zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara të kenë thënë se qeveria serbe është duke bërë përpjekje që të nxisë tensione ndëretnike, për të penguar kësisoj angazhimin e udhëheqësve shqiptarë për pavarësinë.
E përditshmja tjetër, “ The Guardian”, shkruan se manifestimet për Shën Vidin janë mbajtur anembanë në Serbi, në manastiret ortodokse në Kosovë dhe në Bosnjë, megjithëse festa e këtij i ka gjetur serbët në depresion. Mali i Zi tashmë është pavarësuar, Kosova gjithashtu do të shkëputet, bisedimet me Bashkimin Evropian janë pezulluar dhe në fund të këtij viti Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë mund ta shpallë Serbinë fajtore për gjenocidin në Bosnjë. Për ta bërë fyerjen edhe më të madhe, ekipi kombëtar i Serbisë dhe Malit të Zi ka marrë gjashtë gola nga Argjentina në Kampionatin Botëror, që është humbja më e madhe në këtë kampionat.
Braca Grubaçiq, analist nga Beogradi thotë se futbolli në Gjermani në mënyrë absolute pasqyron disponimin shumë depresiv në Serbi. “Njerëzit janë të rrënuar përbrenda nga humbja e Malit të Zi, në aspektin psikik dhe politik do të jetë shumë e vështirë edhe humbja e Kosovës, ndihemi thua se çdokush dëshiron të na braktisë”, thotë zoti Grubaçiq. Gjatë vizitës së tij në Kosovë, kryeministri nën presion, Vojislav Koshtnica, është zotuar se nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova. Por, gjatë qëndrimit të tij në Londër, atij i është thënë se duhet të zgjedhë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. “Guardian” në fund citon edhe një herë analistin Grubaçiq, i cili thotë se Koshtunica fajëson gjithkë, përveç vetvetes. “Ai kishte tre shtylla në të cilat bazohej politika e tij: të ruajë Malin e Zi dhe Serbinë, të mbajë Kosovën dhe të fillojë bisedimet me Bashkimin Evropian. Ai i ka humbur dy nga këto shtylla dhe të tretën do ta humbë së shpejti”.

XS
SM
MD
LG