Ndërlidhjet

logo-print

JESSEN PETERSEN JU DREJTUA DEPUTETËVE TË KUVENDIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Ëndrra e shumicës së qytetarëve të Kosovës është pavarësia, por jam i bindur se ata do ta bëjnë atë ëndërr të të gjithëve, tha sot në Prishtinë, shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Soren Jessen Petersen. Shefi aktual i UNMIK-ut që nesër e mbaron mandatin në Kosovë, i ka bërë këto komente duke iu drejtuar deputetëve në parlamentin e Kosovës, me ç’rast ka numëruar të arriturat dhe ngecjet, si dhe ka përmendur detyrat që shtrohen përpara institucioneve të Kosovës.
"Unë e di se qëllimi i shumicës është pavarësia dhe unë llogaris tek ju se ndërsa e realizoni ëndrrën tuaj, ajo të jetë ëndërr e të gjithëve dhe mos lejoni që ëndrra juaj të bëhet ankth për të tjerët," tha zoti Jessen Petersen, duke theksuar se pikërisht zgjidhja e statusit është një sfidat kryesore të Kosovës, bashkë me përmbushjen e standardeve, ekonominë, sundimin e ligjit dhe ndërtimin e shoqërisë multietnike:
"Unë ende jam i bindur se deri në fund të vitit zoti Ahtisari do të jetë në gjendje t’i bëjë rekomandimet e tij për statusit Sekretarit të Përgjithshëm dhe Këshillit të Sigurimit," tha zoti Petersen, duke përkujtuar se Grupi i Kontaktit disa herë gjatë këtij viti ka thënë se statusi duhet të marrë parasysh vullnetin e popullatës shumicë, por edhe të drejtat e pakicave. Prandaj, nuk ka dashur ta komentojë deklaratën e djeshme të kryeministrit të Serbisë, Koshtunica gjatë një vizite në Graçanicë, se Kosova ka qenë dhe do të mbetet pjesë e Serbisë. Koshtunica do të duhej ta bënte këtë deklaratë pasi të vendosej për statusin e Kosovës, tha zoti Petersen.
Ai tha se përgjithësisht në Kosovë është shënuar një përparim i përgjithshëm edhe pse ende mbetet për t’u bërë.
I pyetur në një konferencë shtypi, të fundit në këtë cilësi, zoti Jessen Petersen tha:
"Në terren pajtohem me ju që nuk ka pasur ndryshim të madh, por në planin politik ka pasur ndryshim të madh, pasi Këshilli i Sigurimit e ka ndërtuar si një parimet për zgjidhjen e statusit se nuk do të ketë ndarje të Kosovës," tha zoti Jessen Petersen, për të shtuar se qytetarët e Kosovës kanë shumë arsye për të besuar se nuk do të ndodhë ndarja, pasi kjo është konfirmuar nga Këshilli i Sigurimit dhe Grupi i Kontaktit dhe ruajtja e këtij parimi tani ka të bëjë me kredibilitetin e bashkësisë ndërkombëtare. Zoti Jessen Petersen ka lavdëruar posaçërisht pjekurinë dhe maturinë e qytetarëve të Kosovës dhe të lidershipit kosovar, me rastin e ngritjes së aktakuzës kundër ish-kryeministrit Ramush Haradinaj dhe humbjes së presidentit Rugova. Ai tha se ishte kritikuar ndonjëherë që e kishte quajtur mik zotin Haradinaj, por tha se mik do të thotë t’i besosh dikujt dhe zoti Haradinaj i ka mbajtur të gjitha premtimet.
Shefi i UNMIK-ut tha se do të vinte në Kosovë sërish në kohën e vendimit për statusin e Kosovës, për ta ndarë me kosovarët atë moment madhështor, siç u shpreh ai.
Zoti Petersen pasdite ka pasur një takim lamtumirës me bartësin e Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq. Pas takimit, ky i fundit e ka komentuar fjalimin e zotit Petersen para deputetëve në Kuvendin e Kosovës lidhur me statusin:
"Porosia që e kam dëgjuar nga ai për shqiptarët është për keqardhje. Madje edhe në fjalimin e tij të fundit ai u dëshmua si njeri që është i gatshëm ta favorizojë një palë në raport me tjetrën dhe kjo më shqetëson," tha Ivanoviq.
Zoti Ivanoviq ka tërhequr vërejtjen se në këtë fazë të gjithë duhet të jenë të përmbajtur dhe të kujdesshëm:
"Po hyjmë në një fazë mjaft të tendosur dhe do të jetë shumë me rëndësi që KFOR-i dhe UNMIK-u të ndërmarrin të gjitha masat, që ngjarjet si ato të marsit të mos përsëriten," tha Ivanoviq, sipas të cilit është me rëndësi që të mos ketë provokime, pasi gjithmonë ka njerëz të vullnetit të keq dhe ata njerëz mund të mos jenë në burg, aty ku e kanë vendin. Njëkohësisht edhe serbët duhet të jenë tepër të kujdesshëm dhe duhet ta kenë parasysh se secila deklaratë e ashpër mund të keqpërdoret dhe kjo është një kohë kur kërkohet mençuri dhe maturi, tha Ivanoviq.

XS
SM
MD
LG