Ndërlidhjet

BRUKSEL


Bisedimet për statusin final të Kosovës të udhëhequra nga Kombet e Bashkuara duhet të përfundojnë këtë vit ka thënë nënsekretari amerikan i shtetit Nikolas Bërns para takimit të sotëm të Grupit të Kontaktit. "Ne e konfirmojmë qëndrimin tonë se viti 2006 duhet të jetë vit i vendimit për Kosovën. Ne besojmë se bisedimet për statusin përfundimtarë duhet të përfundojnë këtë vit" ka thënë Bërns në një konferencë për shtyp. Bërns ka bërë thirrje për intensifikim të përpjekjeve diplomatike me qëllim të shpejtimit të zgjidhjes për Kosovës dhe ka shtuar se diplomacia amerikane rreth kësaj çështje do të shtojë dukshëm angazhimin.
Bërns me këtë rast ka thënë se deklarata e kryeministrit të Serbisë, Vojisllav Koshtunica, sipas të cilit, Kosova gjithnjë do të jetë pjesë e Serbisë, nuk është pozitive pas gjithë asaj që ka ndodhë në Kosovë në vitin 1997, 98 dhe 99. Ai ka ftuar liderët e shqiptarëve të Kosovës që të fokusohen në krijimin e kushteve për mbrojtjen e të drejtave të pakicës serbe.
Nënsekretari Bërns tha se i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara për Kosovën, Marti Ahtisari, do të takojë sot Grupin e Kontaktit për të prezentuar se çka pret nga bisedimet e muajve të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG