Ndërlidhjet

logo-print

ILJAZ HALIMI: BESOJMË NË FITORE TË FUQISHME NË ZGJEDHJE


"Ditëve të fundit nuk ka pasur dhunë, nuk ka pasur incidente, pasi ata kanë ndërprerë tentimet për të bërë incidente. Natyrisht se kur nis një problem, problemet më tej shtohen, sepse i kundërvihet pala tjetër, prandaj ne edhe i falënderojmë pjesëtarët e BDI-së që tash e kanë kuptuar që përmes incidenteve, nuk mund të zhvillohet një fushatë e qetë, e mirë, civilizuese dhe natyrisht që kësisoji nuk mund të arrihet përsëri në pushtet", thotë Iljaz Halimi, nga Partia Demokratike Shqiptare në Maqedoni.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni ju fushatën e deritshme të partisë suaj?

ILJAZ HALIMI
Mjaft të suksesshme, veç jemi nga fundi i fushatës. Kudo që kemi qenë kanë marrë pjesë në tubime tona me mijëra qytetarë, anëtarë, simpatizues të Partisë Demokratike Shqiptare. Kemi patur rast me ta të kontaktojmë drejtpërdrejt, të prezantojmë kandidatët tanë për deputetë si dhe të shpalosim programin zgjedhor. Deri tani jemi të kënaqur dhe besojmë në fitore të fuqishme më 5 korrik.

RADIO EVROPA E LIRË
Ditëve të fundit nuk ka pasur raporte për dhunë gjatë fushatës, për dallim nga periudha e mëhershme e kësaj fushate kur dhuna ishte e theksuar. Sipas jush a mund të thuhet se thirrjet e vazhdueshme të zyrtarëve ndërkombëtarë, pastaj të atyre nga Shqipëria dhe nga Kosova, kuptohet dhe nga liderët politikë shqiptarë, kanë ndikuar në qetësimin e situatës?

ILJAZ HALIMI
Për fat të keq, BDI-ja në vitin 2002 erdhi në pushtet me dhunë. Ajo u mundua dhe me dhunë nëpërmjet incidenteve, të cilat i manifestoi, të fitonte kandidati i tyre në zgjedhjet presidenciale. Po ashtu nëpërmjet incidenteve erdhi edhe në pushtetin lokal. Kjo ishte arsyeja pse ne atëherë në rrethin e dytë zgjedhor abstenuam, pasi sikur të vazhdonim garën shihej qartë që ata përfaqësues të BDI-së ishin këmbëngulës në atë që madje edhe me viktima, vetëm e vetëm të fitojnë. Kësaj rradhe natyrisht që ishte e tepërt që të lëshojmë pe asisoji, prandaj tentuan nëpërmjet disa incidenteve që sërisht ta imponojnë dhunën. Nuk patën sukses dhe u ndaluan. Gjatë këtyre katër ditëve nuk kemi pasur probleme, nuk kemi patsur incidente, që do të thotë se besoj se deri në fund të fushatës do të vazhdojë kështu dhe nuk ka nevojë për kurrëfarë ndërhyrjesh, as nga Bashkësia ndërkombëtare, as nga institucionet në Shqipëri dhe në Kosovë, që të ndikojnë në atmosferën këtu në Republikën e Maqedonisë përsa i përket zgjedhjeve.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju akuzuat BDI-në, ata kuptohet po ju akuzojnë juve. Por në tërësi a pajtoheni se gjatë këtyre ditëve nuk ka pasur dhunë ndërmjet aktivistëve partiakë?

ILJAZ HALIMI
Po. Nuk ka pasur dhunë, nuk ka pasur incidente, pasi ata kanë ndërprerë tentimet për të bërë incidente. Natyrisht se kur nis një problem, problemet më tej shtohen, sepse i kundërvihet pala tjetër, prandaj ne edhe i falenderojmë pjesëtarët e BDI-së që tani e kanë kuptuar që përmes incidenteve, nuk mund të zhvillohet një fushatë e qetë, e mirë, civilizuese dhe natyrisht që kësisoji nuk mund të arrihet përsëri në pushtet.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju gjatë kësaj periudhe keni pasur shumë takime me zgjedhës. Cilat janë pikëpamjet e tyre lidhur me rrjedhat politike në Maqedoni?

ILJAZ HALIMI
Për shkak të pakënaqësisë së madhe që ekziston te popullata shqiptare ndaj partisë shqiptare në pushtet, BDI-së, natyrisht që kjo manifestohej nëpërmjet numrit të madh të pjesëmarrësve në tubimet tona. Popullata në përgjithësi, elektorati me vëmendje e ka përcjellë fushatën tonë, tentimet tona dhe është e sigurtë në atë që ne themi dhe nuk do të lakojmë. Janë të bindur gjithashtu se premtimet do t'i realizojmë, ashtu si i kemi paraparë në platformën zgjedhore.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG