Ndërlidhjet

PETERSEN PËRFUNDON MANDATIN NË KOSOVË


Pritjet lamtumirëse te presidenti Sejdiu dhe te kryeministri Çeku, përcjellja e një koncerti në qendër të Prishtinës dhe shëtitja përgjatë sheshit Nënë Tereza, kanë qenë aktivitetet e fundit të shefit të derisotëm të UNMIK-ut, Soren Jessen Petersen në Kosovë, para se të niset për në Nju Jork, për t’iu kthyer familjes së tij pas dy vjetësh në krye të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
"Drejtimi është i qartë, e ardhmja dhe fati është në duart shumë të mira të liderëve politikë të Kosovës dhe të popullit të Kosovës," tha Jessen Petersen, pas takimeve lamtumirëse që ka pasur me presidentin Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Agim Çeku.
"Është normale që vijnë edhe këso momentesh lamtumirëse dhe ky ishte takimi në këtë cilësi i fundit me zotin Petersen. Unë e falënderoj nga zemra për gjithë angazhimin që ka pasur për Kosovën dhe për bindjen e tij të vazhdueshme edhe në proceste e mëvonshme, pasi siç tha edhe vetë Kosovën e ka në zemër dhe e merr me vete përkushtimin për të. Unë dje e kam dekoruar me medaljen e artë për shërbim civil në Kosovë," tha presidenti Fatmir Sejdiu, ndërkohë që Jessen Petersen ka falënderuar të gjithë në Kosovë për mbështetjen dhënë atij dhe UNMIK-ut.
"Zemra ime apo një pjesë e madhe e saj do të mbetet këtu dhe ka shumë mënyra që unë të jem i angazhuar gjatë muajve të ardhshëm në përkrahje të Kosovës dhe unë do të jem i angazhuar," tha Jessen Petersen. Shumë gjëra janë thënë për mënyrën se si kam punuar sa tash kam një krizë identiteti. Më nuk po e njoh as vetveten, por më vjen mirë për këtë, tha zoti Petersen i cili gjatë shëtitjes nëpër sheshin Nëna Terezë është pritur nga një koncert ku fëmijët kanë kënduar shqip, serbisht, turqisht e anglisht.
Zoti Jessen Petersen për një moment është ulur këmbëkryq në skenën e koncertit, bashkë me kryeministrin dhe disa ministra.
Në një pritje të organizuar për lamtumirë zotit Petersen,kryeministri Çeku tha se popullariteti ynë si udhëheqës të Kosovës në sondazhet opinionit publik do të kishte qenë shumë më i lartë, sikur të mos ishte konkurrenca e fortë e zotit Petersen.
Shpresoj që pasardhësi juaj do të vazhdojë në këtë frymë të bashkëpjesëmarrjes deri njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, për të cilin jam i sigurt se do të bëhet realitet deri në fund të këtij viti, tha kryeministri Çeku:
"Soren, shpresoj të ruani në kujtesë një pjesë të Kosovës. jam i sigurt se keni lënë diçka nga vetja në këtë vend që po e ndërtojmë. Të vini e të na vizitoni e të kremtoni bashkë me ne ditën e pavarësisë. Në shtetin e Kosovës do të ketë gjurmë të parimeve dhe të punës suaj të madhe".
"Po Agim unë mezi pres të kthehem dhe unë e di saktësisht ditën kur do të kthehem, ndoshta nuk e di datën, por e di ditën dhe çfarë ndodh atë ditë," tha shefi i derisotëm i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen.

Rrahman Paçarizi, Prishtinë

XS
SM
MD
LG