Ndërlidhjet

NË KOSOVË KTHEHEN MBI 110 TRUPA TË PAJETË NGA SERBIA


Albana Isufi, Prishtinë

Familjarë të mllefosur me institucionet e Kosovës rreth moszbardhjes së fatit të të zhdukurve, janë përpjekur ta ndalojnë me forcë hyrjen e kryetares së Komisonit Qeveritar për të Zhdukurit Nysrete Kumnova, në tendën ku pritej të vinte kontingjenti i fundit me mbetje mortore nga Serbia.
Në pikën kufitare në Merdare në orët e pasdites ka mbërritur kontingjenti prej mbi 110 mbetjeve mortore, mbetje këto që shënojnë edhe fundin e kthimit të kufomave të shqiptarëve të vrarë, të gjetur në varrezat masive në Serbi.
Eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, sqaron numrin e mbetjeve mortore te kthyera sot.
“Sot i kemi sjellë 22 qeska me trupat e identifikuar, 10 janë me trupa të paidentifikuar, 94 me përmbajte të eshtrave të gjatë, 120 me përmbajtje të eshtrave të vegjël. Numri i gjithëmbarshëm i të kthyerve është 833, duke shtuar edhe vëllezërit Bytyri, bëjnë 836”.
Por, drejtoresha e Fondit Humanitar për të drejtat e njeriut Natasha Kandiq, sërish ka shprehur bindjen se një numër i madh i kufomave të shqiptarëve të vrarë është djegur në furrat e Maçkaticës.
“Dhe natyrisht, kur është në pyetje djegja e kufomave, atëherë nuk ka gjurmë dhe nuk ka kufoma të cilat do të ktheheshin, por tash për tash as nuk e pranojnë dhe nuk dihet e vërteta se kjo ka ndodhur. Unë dua të përmend vetëm Maçkaticën, por gjithashtu ka pasur rrëfime se kufomat janë djegur edhe në Kosovë, në Obiliq. Dmth, kjo duhet të jetë një nga kërkesat, jo vetëm të organizatave joqeveritare në Serbi dhe në Kosovë, por kjo duhet të jetë kërkesë e të gjithë subjekteve parlamentare, parlamenteve dhe qeverive, dhe të mos ndodhë që bisedat për Kosovën të zhvillohen, ndërkaq që çështja e të zhdukurve, fati, e vërteta dhe e drejta për ta, të anashkalohet”, tha Kandiq, e cila përcolli kontingjentin e fundit të kufomave nga Serbia deri në pikën kufitare të Merdares.
Përderisa, Kandiq fajëson institucionet e Serbisë se nuk po zbulojnë të vërtetën mbi të zhdukurit, familjarët e personave të zhdukur të Kosovës fajësojnë institucionet e Kosovës se kanë neglizhuar në tërësi çështjen e të zhdukurve. Ata sot morën vendim të bojkotojnë çdo komunikim me cilindo institucion të Kosovës, por edhe me UNMIK-un.
Vetë kryetarja e Komisionit qeveritar për të zhdukurit Nysrete Kumnova, pajtohet se qeveria nuk ka bërë sa duhet për këtë çështje.
“Ne po presim akoma, se varrezat në Serbi janë të pahapura, sepse nuk ka pasur as presionin më të vogël, që të hapen ato varreza masive”, tha Kumnova për të shtuar:
“Faji mund të them se është edhe te institucionet vendore se harrojnë, sepse atje është një festë e madhe po përcillet Peterseni, e në të njëjtën kohë ne presim trupat e pajetë. Hedhjen e valleve para Teatrit Kombëtar ua kanë mundësuar këta djem që janë në qese”.
I pakënaqur me trajtimin që i kanë bërë institucionet e Kosovës eksperti i mjekësisë ligjore Arsim Gërxhaliu, ka dhënë sot dorëheqje nga të gjitha aktivitetet që kanë të bëjnë me të zhdukurit.
“Bëhen 7 vite të aktivitetit tim, mosvlerësimi apo shumë gjëra tjera kanë bërë që unë sot të tërhiqem sa i përket punës me personat e zhdukur”.
Në një komunikatë të lëshuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur thuhet se që prej riatdhesimit të parë nga Serbia, në nëntor të vitit 2002, autoritetet serbe, në 19 raste, kanë kthyer 729 individë të identifikuar. Mbetjet e tyre mortore janë gjetur në varrezat masive në Batajnicë, Peruçac dhe Petrovoselo të Serbisë. Edhe më shumë se shtatë vjet që prej përfundimit të luftës, 2 300 persona, pjesa dërmuese e të cilëve shqiptarë, vazhdojnë të llogariten si të zhdukur dhe për ta nuk dihet gjë. Autoritetet në Prishtinë dhe ato në Beograd me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, kanë zhvilluar deri më tash gjashtë raunde bisedimesh në përpjekje për të zbardhur fatin e të zhdukurve. Por, këto takime nuk kanë zbuluar hollësi të reja apo lokacione të mundshme që do të zbulonin informacione mbi të zhdukurit.

XS
SM
MD
LG