Ndërlidhjet

MOORE:"NDRYSHIMI I KUFINJËVE - HAPJE E KUTISË SË PANDORËS"


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mur ka analistë që thonë se Serbia gjatë disa viteve të fundit ka punuar për të realizuar "de facto" ndarjen e Kosovës. Në anën tjetër kemi qëndrimin e Grupit të Kontaktit sipas të cilit ndarja nuk do të lejohet. Cili është komenti i juaj?

PATRICK MOORE
Serbët e dijnë shumë mirë se çfarë ka thënë bashkësia ndërkombëtare dhe ata tash janë duke çuar inate dhe duke u përpjekur të krijojnë rrethana të caktuara në teren. Duket se ata do të përpiqen që coptimin ta prezantojnë si kompromis në mënyrë që kështu të marrin një pjesë të veriut të Kosovës. Një gjë e tillë mund të jetësohet nëse në rradhët e Grupit të Kontaktit paraqiten dobësi, por kjo nuk ka gjasa, së paku jo përderisa amerikanë kanë rolin prijës.
Kur flitet për ndarjen e pjesës veriore duhet thënë se nëse asgjë kjo hap edhe çështjen e enklavava serbe në jug. Mos vallë do t'i harrojë Beogradi ata siç bëri me serbët e Krajinës?

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkombëtar i Krizave këtë javë ka thënë se çdo përpjekje e Serbisë për ndarjen e Kosovës mund të shkaktoj tensione te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare dhe politikanët e Kosovës ta bëjnë të qartë se Kosova nuk do të coptohet, ndërsa Lugina e Preshevës do të mbetet pjesë e Serbisë. Si e shihni ju këtë çëshje?

PATRICK MOORE
Duhet të dërgohet mesazh shumë i qartë: nuk guxon të ketë ndryshim të kufinjëve ekzistues. Liderët serbë shpesh kanë folur për rëndësinë e kufinjëve dhe do të ishte hipokrizi që tash përnjëherë të kërkojnë ndryshim të kufinjëve. Këta zëra më të fuqishëm vijnë nga zotërinjët e Banjallukës që çështjen e Kosovës dhe pavarësinë e Malit të Zi e shrytëzojnë vetëm si pretekst për minimin e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe bashkimin e Republikës serbe me Serbinë. Një gjë e tillë do të ishte vërtetë hapje Kutisë së Pandorës dhe do të thoshte ndryshim kufinjësh, lëvizje të popullatës, humbje njerëzore, gjëra që sipas zotit Koshtunica do të ndodhin nëse Kosova pavarësohet. Siç shihet ata që mund ta hapin Kutinë e Pandorës mund të jenë zotëriu nga Beogradi, miqtë e tij në veriun e Mitrovicës dhe në Banjallukë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Mur, a mendoni se për shkak të këtyre faktorëve dhe bisedimeve për statusin përfundimtar, Ballkani dhe sidomos Kosova mund të ballafaqohen me një krizë të re?

PATRICK MOORE
Kjo në tërësi varet nga qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj nacionalistëve në Beograd. Ata i lejuan Koshtunicës të vizitoj Kosovën me rastin e Vidovdanit. Ajo që më brengos më së shumti është fakti se gjithnjë deri në zgjedhjet e ardhshme në Serbi, vështirë është të priten zëra më të moderuar nga Beogradi, sepse ata e dijnë se votat në Serbi nuk fitohen me qëndrim të moderuar lidhur me Kosovën. Është në interesin e tyre që të mbajnë lart në agjendë çështjet nacionaliste për të mbuluar dha vonuar përgjigjet e politikanëve për problemet reale të Serbisë që janë krimi, korrupsioni, varfëria dhe deficiti demokratik. Në këto rethana ata me shumë dëshirë mbajnë Kosovën të fokusuar te sytë e opinionit serb. Gjithnjë përderisa në Beograd të ketë politikanë të gatshëm për të shkaktuar trazira, do të jetë shumë e rëndësishme që faktori i jashtëm t'ua bëjë të qartë se veprimet e tilla nuk do të tolerohen.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG