Ndërlidhjet

J. KRASNIQI: KA ARDHUR KOHA PËR PËRFSHIRJE TË NIVELIT TË LARTË POLITIK


Jakup Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Krasniqi, aktualisht Grupi i Kontaktit dhe presidenti Ahtisari janë duke përgatitur një takim të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që do të mbahet sërisht në Vjenë. Fillimisht si e shihni ju këtë takim dhe çfarë prisni konkretisht nga një takim i tillë?

JAKUP KRASNIQI
Deri tani janë zhvilluar takime më tepër për çështje teknike, çështje konkrete dhe temat bosht të të gjithë këtij komunikimi, që është zhvilluar në Vjenë kanë qenë dy: decentralizimi dhe çështja e komuniteteve, çfarë shteti i ardhshëm i Kosovës u afron komuniteteve. Në këtë drejtim, pala kosovare ka ofruar dokumente që në pika të veçanta i tejkalojnë standardet, qoftë ato që kanë të bëjnë me decentralizimin, qoftë ato që kanë të bëjnë me komunitetet pakicë në Kosovë. Tani siduket ka ardhur faza kur janë harxhuar bisedimet për çështjet konkrete, për çështje të veçanta dhe në këtë drejtim, i vetmi trup që ka mandatin e parlamentit për të udhëhequr bisedimet për çështjen e statusit politik në Vjenë është grupi i unitetit, ose grupi negociator i Kosovës. Janë duke u bërë disa përgatitje edhe nga grupi politik. Këtë javë do të takohet edhe grupi i unitetit dhe mendoj se diku rreth 21 korrikut, do të mbahet një takim. Por në fakt cilët do të jenë anëtarët e këtij delegacioni, mendoj se në grupin e unitetit ende nuk është biseduar për këtë çështje.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë pritjet tuaja, çfarë konkretisht mund të rezultojë nga një takim i një niveli kaq të lartë?

JAKUP KRASNIQI
Presim që të jetë një rikapitullim i dokumentave dhe materialeve që delegacioni i Kosovës ka adresuar në adresë të Ahtisarit. Ne mendojmë që do të bëhet ndoshta një përpjekje e parë serioze për të biseduar për çështje politike në nivelin politik. Ne presim që delegacioni i Kosovës të jetë i përgatitur, për faktin se ka material të bollshëm që ka dorëzuar dhe materiali është i mbështetur në standardet ndërkombëtare që janë në shfrytëzim dhe në vende që kanë traditë demokratike. Ne shpresojmë që oferta që delegacioni i Kosovës i ka bërë dhe tani që do t'i ripërsëritë në një formë ose në formën tjetër, edhe në takimin e ardhshëm, është ofertë serioze dhe kanë vullnetin për ta jetësuar në shtetin e ardhshëm të pavarur dhe sovran të Kosovës, të gjitha të drejtat e qytetarëve, qofshin ato pakicë apo edhe ato shumicë. Natyrisht ne jemi të vetëdijshëm që Kosova ka nevojë për një mbështetje ndërkombëtare politike dhe financiare, për faktin se buxheti i konsoliduar i Kosovës është i varfër, zhvillimi ekonomik i Kosovës është në nivel jo të dëshirueshëm dhe, edhe për një fazë, sigurisht angazhimi i delegacionit do të jetë që edhe do të kërkohet një mbështetje më serioze. Kjo mbështetje serioze do të vinte vetëm pas përcaktimit të statusit politik. Prandaj delegacioni i Kosovës sigurisht atje do të kërkojë që sa më shpejt të përmbyllet kjo fazë, dhe t'i hapet perspektivë zhvillimit ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar që në këtë nivel, të bisedohet edhe në lidhje me çështjet praktike, pra decentralizimin, trashëgiminë kulturore, etj. Bazuar në ofertën e Prishtinës për decentralizimin, a konsideroni se edhe nga vend që të lëshohet pe, kushtimisht thënë, dhe të pranohen disa kërkesa sidomos që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare?

JAKUP KRASNIQI
Unë mendoj se në ofertat që janë bërë në të gjitha segmentet, qoftë të decentralizimit, qoftë të trashëgimisë kulturore, qoftë të çështjeve të financimit të pushtetit vendor dhe sidomos të komunave serbe, qofshin dhe çështje të tjera që janë diskutuar deri më tani, mendojmë që pala kosovare ka bërë ofertë serioze, ka bërë ofertë serioze që ka gatishmërinë që ta marrë përgjegjësinë për të filluar një periudhë të re të një shoqërie të re në Kosovën e lirë dhe demokratike.

RADIO EVROPA EL IRË
Përmendët më herët një mbështetje që i duhet Kosovës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Rrjedhimisht nga kjo, si e shihni ju rolin e bashkësisë ndërkombëtare, rolin ndërkombëtar në Kosovë pas përcaktimit të statusit të Kosovës, si në planin ushtarak, ashtu dhe në atë civil?

JAKUP KRASNIQI
Ne mendojmë që derisa Kosova nuk e ka një forcë ushtarake në një mënyrë më të mirëfilltë, të përcaktuar për ta mbrojtur sigurinë dhe mbrojtjen e kufijve të saj, ka nevojë për një prezencë ndërkombëtare, sidomos të KFOR-it në Kosovë, natyrisht edhe me pëlqimin dhe autorizimin që do t'i japin institucionet e Kosovës kësaj force. Përveç kësaj ne mendojmë se edhe në aspektin e administrimit publik në Kosovë, Kosova ka nevojë për një mbështetje. Por ne shpresojmë që tani kjo mbështetje do të përqëndrohet në Bashkimin Evropian, për faktin se Kosova, si vend i pavarur dhe sovran, synon që të jetë anëtare në vitet e ardhshme e Bashkimit Evropian, prandaj i duhet një monitorim, një mbështetje dhe përkrahje më e madhe nga Bashkimi Evropian.

Intervistoi Zijadin Gashi

XS
SM
MD
LG