Ndërlidhjet

LAMANEN: STATUSI I KOSOVËS DO TË ZGJIDHET KËTË VIT


Albana Isufi, Prishtinë

Shefi i zyrës finlandeze në Prishtinë, Marku Lamanen mendon se vjeshta e vonë, apo fundi i këtij viti do të jetë periudha kur statusi përfundimtar i Kosovës do të zgjidhet, pavarësisht se muajt e ardhshëm do të jenë kritikë, dhe Kosova gjatë kësaj periudhe do të përballet me shumë sfida.
Duke folur në emër të shtetit, që e kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, Lamanen ka përsëritur mbështjen për procesin e negociatave në Kosovë, si dhe mbështetjen për të dërguarin e OKB-së ish- presidentin finlandez Marti Ahtisarin.
“Unë mendoj se është më mirë që zgjidhja e statusit përfundimtar të bëhet tani, nëse e shtyni për një, dy ose tre vjet duke pritur për kohë më të mira, mendoj se rezultatet nuk do jenë aq pozitive. Gjërat po ndodhin, zoti Ahtisari po udhëheq bisedimet për statusin, të cilat do ta finalizojnë procesin. Do të duhen disa muaj, por ne tashmë i kemi kaluar disa muaj”, thotë Lamanen, i cili thotë se palët duhet të jenë fleksibile, nëse duan që të arrijnë ndonjë marrëveshje. Megjithatë, ai thotë se fleksibilitet nuk mund të kërkohet edhe kur është fjala për marrëveshje përfundimtare.
“Nëse njëra palë mban pozicionin fillestar, nuk ka bisedime. Pjesë të negociatave nënkuptojnë, që të ketë pozicione të reja dhe këtu hyn edhe fleksibiliteti. Ju e dini se ka ende çështje të hapura, siç është Mitrovica, enklavat apo, mungesa e zhvillimit ekonomik. Nëse vërtet doni të shihni zgjidhjen e statusit, duhet fleksibilitet në nivelin teknik. Por, nuk mund të themi se ju duhet të jeni fleksibil me statusin përfundimtar, nëse këtë e quani paavrësi. Mendoj se nuk është koha, dhe askush nuk po pyet që të jeni fleksibil për atë nivel, por ne po flasim më shumë për detaje teknike”, tha Lamanen, i cili nuk sheh arsye pse statusi përfundimtar të mos zgjidhet brenda këtij viti.
“Në fund të muajit korrik ne do shohim takimin e nivelit të lartë, në nivel të presidentëve e të kryeministrave nga Prishtina dhe Beogradi. Nuk mendoj se ky takim do të sjellë menjëherë rezultat, por është një proces i negociueshëm dhe dua të them se nuk ka ndonjë arsye se arritja e këtij caku është e pamundshme. Ende besojmë se me punën e zyrës së kryenegociatorit dhe të fleksibilittet të palëve kjo do të jetë e mundur “, tha Lamanen.
Ai ka hedhur poshtë pohimet e mediave beogradase rreth largimit të mundshnme të Marti Ahtisarit nga detyra e kryenegociatorit ndërkombëtar për statusin përfundimtar të Kosovës.
Është hera e dytë që Finlanda kryeson presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Hera e parë ka qenë në vitin 1999, kur president ka qene zoti Ahtistari dhe në një mënyrë është marrë me Kosovën. Ndërkaq, Lamanen shpreson se kur Finlanda ta kryesojë BE-në për herë të tretë, të mos merret më me zgjidhjen e problemeve në Kosovë, por të merret me integrimin e saj në gjirin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG