Ndërlidhjet

PRESIDENTI SEJDIU DO T'I RAPORTOJË KËSHILLIT TË SIGURIMIT PËR GJENDJEN NË KOSOVË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu do ta përfaqësojë Kosovën në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që mbahet më 13 korrik, ku për procesin e deritashëm negociues do të raportojë dhe kryenegociatori Marti Ahtisari. Në këtë takim, i dërguari i Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës do të paraqesë një pasqyrim të ecurisë së deritanishme të procesit negociues. Pjesëmarrja e Sejdiut në Këshillin e Sigurimit, është bërë e ditur sot pas një takimi që presidenti i Kosovës zhvilloi me zëvendësshefin e UNMIK-ut, Steeven Shock. Ky i fundit tha se vizita e presidentit të Kosovës në Nju Jork dhe situata e përgjithshme në Kosovë, ishin temat kryesore që i kishin diskutuar gjatë takimit:
“Ne biseduam për vizitën e presidentit në Kombet e Bashkuara, si edhe për gjendjen e sigurisë”, tha Shock, duke shtuar se me presidentin janë pajtuar plotësisht për rëndësinë që ka zgjidhja sa më e shpejtë e statusit të Kosovës:
“Se përse duhet të zgjidhet statusi i Kosovës gjatë këtij viti, kjo është e thjeshtë, sepse do të ishte në të mirë për tërë rajonin, do të sillte beneficione për Kosovën, beneficione për Serbinë dhe rajonin, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në atë të zhvillimit ekonomik”, tha Shock.
Në anën tjetër, presidenti i Kosovës nuk ka dashur të komentojë asgjë në lidhje me udhëtimin e tij në Këshillin e Sigurimit në Nju Jork. Por ai tha se institucionet e Kosovës po vazhdojnë të angazhohen në përshpejtimin e përpjekjeve për zgjidhjen e statusit të Kosovës:
“Duke pasur parasysh nevojën e përshpejtimit të aktiviteteve rreth çështjes së statusit të Kosovës, rreth problemeve të jetës së përditshme dhe çka mund të bëjmë në rigjallërimin apo rigjenerimin ekonomik të Kosovës dhe një veçanti të posaçme rreth asaj, se cili do të jetë kujdesi ynë i vazhdueshëm edhe ndaj të gjithë qytetarëve, duke pasur parasysh edhe një kujdes ndaj komuniteteve pakicë, mendoj se në këtë qasje ne jemi thellësisht të preokupuar bashkërisht dhe do të kemi ndihmën edhe të zotit Shock edhe të gjithë ekipit që ky udhëheq, që të ecim më shpejtë në këtë fazë”, theksoi Sejdiu.
Në sesionin e 13 korrikut, do të marrë pjesë dhe kreu i shtetit të Serbisë. Mediat kosovare njoftojnë se krahas Ahtisarit, i cili do të paraqes një pasqyrë të procesit të deritashëm negociues, me fjalimet e tyre para Këshillit të Sigurimit do të paraqiten dhe shefat e delegacioneve nga Kosova e Serbia, prandaj pjesëmarrja e presidentit Sejdiu, thuhet se është e pashmangshme. Gjatë fazës së parë të procesit negociues, Ahtisari dhe zëvendësi i tij Albert Rohan organizuan gjashtë takime Prishtinë – Beograd të mbajtura në Vjenë, ku u diskutua për decentralizimin, pozitën e pakicave, trashëgiminë kulturore dhe çështjet ekonomike. Për asnjërën prej këtyre temave, nuk është arritur ndonjë marrëveshje apo harmonizim qëndrimesh. Ndërkohë që pas 13 korrikut besohet se do të kalohet dhe në fazën e dytë, atë të takimeve në nivele më të larta, që do të shënojë dhe fillimin e bisedimeve për vetë përcaktimin e statusit të Kosovës.




XS
SM
MD
LG