Ndërlidhjet

logo-print

PJESËMARRJA E PRESIDENTIT SEJDIU NË KS VLERËSOHET SI SHUMË E RËNDËSISHME PËR KOSOVËN


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Prania e presidentit të Kosovës në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit është një tregues se statusi i Kosovës do të përcaktohet në mënyrën që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Sigurimit, vlerësojnë zyrtarë të lartë të institucioneve dhe të partive politike në Kosovë. Ata i kanë bërë këto vlerësime, duke komentuar mbledhjen e Këshillit të Sigurimit që mbahet më 13 korrik në Nju Jork, ku merr pjesë presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili do të prezantohet para këtij organi me një fjalim zyrtar.
Këshilltari i lartë politik i presidentit Sejdiu, zoti Muhamet Hamiti, tha se ky është një moment i rëndësishëm:
"Është me rëndësi që presidenti i Kosovës t’i drejtohet Këshillit të Sigurimit, ku do të flasë për gjendjen në Kosovë, por më shumë për statusin, gjegjësisht për pavarësinë e Kosovës si zgjidhje. Është e rëndësishme sigurisht për përfaqësuesit e këtij institucioni të lartë të OKB-së, që të kenë mundësi të dëgjojnë nga njeriu i parë i Kosovës për Kosovën, sepse në këtë mënyrë marrin informacion të dorës së parë dhe ata dëgjojnë zërin e kosovarëve përmes presidentit të Kosovës", tha zoti Muhamet Hamiti, ndërkohë që një nga udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës në opozitë, Enver Hoxhaj, tha se kjo prani e presidentit Sejdiu është dëshmi për statusin e ardhshëm të Kosovës, si shtet i pranuar në Kombet e Bashkuara, siç u shpreh zoti Hoxhaj:
"Prania e presidentit të Kosovës në forumin e Këshillit të Sigurimit tregon se përcaktimi i statusit përfundimtar të Kosovës do të jetë drejt pranisë së saj si shtet i ardhshëm në Këshillin e Sigurimit," tha Enver Hoxhaj. Ai tha se pavarësisht nga niveli i kësaj mbledhjeje, ku janë aktorët kryesorë botërorë dhe rajonalë, një prani e Kosovës tregon se ardhmëria e Kosovës do të jetë në duart e qytetarëve të saj dhe përfaqësuesve të tyre legjitimë.
"Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës do të jenë në gjendje që, jo vetëm ta reflektojnë vullnetin e qytetarëve të tyre, por mbi të gjitha të japin një pasqyrë reale dhe objektive të gjendjes në Kosovë, e në të njëjtën kohë është një mundësi që Kosova dhe përfaqësuesit e saj të obligohen para bashkësisë ndërkombëtare dhe të tregojnë se janë të përkushtuar në procesin e shtetndërtimit, proces i cili është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës."
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili nesër niset për Nju Jork, do të jetë përfaqësuesi i parë i Kosovës që merr pjesë në Këshillin e Sigurimit me të drejtën e mbajtjes së fjalimit, përderisa edhe ish-kryeministrit Bajram Kosumi dhe kryeministri aktual Agim Çeku kanë marrë pjesë në mbledhjen e Sigurimit bashkë me ish-shefin e UNMIK-ut Soren Jessen Petersen, por pa të drejtë fjale.

XS
SM
MD
LG