Ndërlidhjet

HAGË: FILLOI PROCESI KUNDËR 6 ISH ZYRTARËVE TË LARTË SERBË PËR KRIMET NË KOSOVË


Augustin Palokaj, Hagë

Pas një pritje shumë të gjatë, sot në Tribunalin e Hagës ka filluar procesi më i madh gjyqësor për krimet e luftës të kryera kundër popullatës shqiptare në Kosovë. Në karrigen e të akuzuarve janë Millan Millutinoviq, ish president i Serbisë, së bashku me udhëheqësit kryesorë të policisë dhe ushtrisë serbe dhe jugosllave, të kohës kur në Kosovë u kryen krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit, për të cilat akuzohen këta të akuzuar.
Aktakuza kundër tyre është identike me atë të ish diktatorit serb Sllobodan Millosheviq, procesi kundër të cilit ishte ndërprerë, për shkak të vdekjes së hershme të të akuzuarit në njësinë e paraburgimit në Hagë. Kështu, pasi procesi kundër Millosheviqit nuk u krye, gjegjësisht i akuzuari vdiq para se të shqiptohej dënimi, për Tribunalin e Hagës ky proces është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Procesi sot ka filluar me leximin e fjalës hyrëse të prokurorit, i cili foli për një histori të shkurtër të rrethanave që sollën deri tek konflikti në Kosovë dhe deri tek pastrimet etnike, dëbimi i më shumë se 800 mijë shqiptarëve dhe vrasja e mijëra të tjerëve në këtë periudhë. Sipas prokurorit, politika e Millosheviqit ishte që të spastronte shqiptarët e Kosovës nga ai territor, të ndryshonte strukturën etnike të Kosovës dhe për këtë ai shfrytëzoi edhe nacionalizmin serb, i cili ishte në rritje e sipër në fund të viteve 80' dhe fillimit të vitit 90'. Prokurori foli edhe për fjalimin e Millosheviqit në Gazimestan në vitin 1989, ku ai kishte paralajmëruar se nuk përjashtohen betejat e armatosura, çka ishte dhe hyrje në konfliktet në territoret e ish-Jugosllavisë. Vetë përmendja e Millosheviqit, kryesisht në të gjitha fjalët e prokurorit në fjalën hyrëse, është e rëndësishme, pasi këta ishin bashkëpunëtorët më të ngushtë të Millosheviqit dhe pjesëtarët e asaj, që prokuroria e quan "ndërmarrje e bashkuar kriminale".
Pritet që gjatë procesit kundër Millutinoviqit dhe të tjerëve, të paraqiten disa dëshmitarë nga Kosova, por edhe ish ushtarakë dhe politikanë kombëtarë, që do të flasin për krimet që janë në aktakuzë. Pala mbrojtëse nga ana tjetër ka paralajmëruar se do të kontestojë një pjesë të dëshmive që ishin dëgjuar në procesin kundër Millosheviqit dhe do të kërkojnë që të marrin në pyetje të gjithë dëshmitarët, çka e vështirëson këtë proces, pasi disa prej dëshmitarëve nuk janë më në jetë, përfshirë këtu edhe ish presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova, i cili kishte dëshmuar kundër Millosheviqit. Po ashtu është interesante të thuhet se këta gjashtë të akuzuar ishin duke u mbrojtur në liri dhe u kthyen në Hagë për të qenë të pranishëm gjatë procesit, por do të lirohen përkohësisht edhe në kohën e pushimeve vjetore, kur nuk do të punojë Tribunali, pra do të kenë mundësinë që të kthehen në Serbi. Në anën tjetër ishin dhe dy të akuzuar të tjerë në të njëjtën listë, por njëri prej tyre Vlladko Stoilkoviq ka bërë vetëvrasje, ndërsa tjetri Vllastimir Gjeorgjeviç është në arrati, sipas të gjitha gjasave diku në Rusi dhe tani është vendosur që rasti i tij të trajtohet në veçanti dhe të ndahet nga rasti kundër 6 të akuzuarve të tjerë. Procesi pritet të vazhdojë edhe nesër, ku pritet që të vazhdojë edhe fjala hyrëse e prokurorisë dhe të ketë dhe fjalë hyrëse të palës mbrojtëse, por shkurtimisht. Pritet që ndoshta gjatë kësaj jave të paraqiten dhe dëshmitarët e parë të prokurorisë.

XS
SM
MD
LG