Ndërlidhjet

ÇEKU: PËRMBUSHEN 2 NGA 13 PIKAT E KËRKUARA NGA GK-JA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës i ka shpallur të plotësuara dy nga 13 pikat e planit të standardeve prioritare, të cilat i ka parapërcaktuar para më tepër se një muaji Grupi i Kontaktit. Ndarja e donacioneve për mediat e komuniteteve pakicë dhe ndarja e mjeteve për kthimin e të zhvendosurve, janë pikat të cilat qeveria sot i ka shpallur të përmbushura. Kështu tha kryeministri i Kosovës Agim Çeku, pas një takimi me grupet punuese për plotësimin e standardeve, ku ishin të pranishëm dhe zyrtarët më të lartë të administratës së UNMIK-ut. Kryeministri Çeku tha se qeveria, por edhe Kuvendi do të punojnë në plotësimin e të gjitha standardeve të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit, të cilat duhet të përmbushen gjatë këtij viti, paralelisht me përmbylljen e diskutimeve për përcaktimin e statusit të Kosovës.
" Që sot ne nuk i kemi më 13 pika, por 11 pika. Nuk janë shumë por prap se prapë është një rezultat konkret. Të gjitha pikat e tjera janë të adresuara dhe janë në përmbushje e sipër. Disa nga to varen edhe nga parametri, nuk janë vetëm pikat ekskluzive të qeverisë, por janë dhe të institucioneve të tjera. Të gjitha janë të adresuara, aktiviteti është në vazhdim e sipër në përmbushjen e tyre. Unë besoj që do t'i përmbushim", tha kryeministri Çeku.
Ndërkohë zëvendësshefi i UNMIK-ut Steeven Shook tha se se e çmonte lart angazhimin e qeverisë së Kosovës në përmbushjen e standardeve, duke besuar se një punë e tillë do të garantojë raporte të tjera pozitive për Kosovën para Këshillit të Sigurimit.
"Jemi të kënaqur me angazhimin e qeverisë dhe përkushtimin e saj, sidomos në përmbushjen e 13 pikave të parashtruara nga Grupi i Kontaktit, por edhe të standardeve në përgjithësi. Jam optimist se përparimet do të vazhdojnë, por i kemi përkujtuar dhe ministrat se ne tani duhet të përgatitim dhe një raport tjetër për Këshillin e Sigurimit," ka thënë Shook, duke besuar se një përkushtim i tillë i qeverisë do të sjellë raporte të tjera pozitive ndërkombëtare për arritjet në Kosovë.
Ndërkohë Kuvendi i Kosovës tashmë ka miratuar se në datën 13 korrik do të nxjerrë për miratim edhe dy ligje që bien në planin 13 pikësh të Grupit të Kontaktit dhe të cilat janë Ligji për Trashëgiminë Kulturore, dhe ai për Liritë dhe të Drejtat Fetare në Kosovë.
Plani 13 pikësh i Grupit të Kontaktit parasheh standarde të cilat kryesisht bien në fushat për rregullimin e pozitës së pakicave në Kosovë dhe në fushën e sundimit të ligjit.

XS
SM
MD
LG