Ndërlidhjet

logo-print

DUGOLLI: PAVARËSIA ME DISA KUFIZIME


Ilir Dugolli, analist politik nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dugolli, nesër presidenti Ahtisari pritet që të paraqesë para Këshillit të Sigurimit raportin për procesin e negociatave në Kosovë, ku siç është thënë edhe pritet të marrë vizën nga anëtarët e këtij këshilli për fillimin e fazës së dytë të bisedimeve. Çfarë prisni ju nga ky raportim?

ILIR DUGOLLI
Nga raportimi praktikisht do pritet konfirmim i asaj që ka bërë zoti Ahtisari, kështu që Këshilli i Sigurimit do e vlerësojë, do e vërtetojë në njëfarë mënyre atë që ai ka arritur deri tani dhe do i japë pak a shumë udhëzimet për pjesën e dytë, pjesën pak a shumë përmbyllëse të procesit të zgjidhjes së statusit. Kështu që do jetë gjithsesi raportim për atë që ai ka bërë deri tani dhe udhëzime për atë se çfarë do duhej të bëhej në pjesën që ka mbetur, në pjesën e konfrontimit të drejtpërdrejtë të palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Prisni ju që vërtet të fillojë faza e dytë e bisedimeve?

ILIR DUGOLLI
Ajo do të fillojë. Konfrontimi i tillë i palëve gjithsesi do të fillojë. Problem tjetër mbetet se sa do ketë rezultate dhe çfarë rezultatesh mund të priten. Unë nuk besoj se do të mund të ketë dofarë rezultatesh të prekshme në atë drejtim. Gjithsesi këto janë udhëzime që zoti Ahtisari dhe ata që qëndrojnë prapa tij i kanë dhënë. Kështu që do përpiqen që ta shterin këtë mundësi, në mënyrë që të mund të kalojnë në gjëra të tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
Po nesër presidenti Sejdiu do të ketë një takim joformal me anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Çfarë peshe ka për Kosovën një paraqitje e tillë?

ILIR DUGOLLI
Varet se në cilin plan merret. Nëse merret në aspektin politik, padyshim se ka peshë shumë të madhe dhe është precedenti i parë, rasti i parë kur një përfaqësuesi të Kosovës i jepet mundësia që të flasë dhe të prezantojë qëndrimet, argumentet që ai i konsideron të rëndësishme para gjithë anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Kështu që në atë drejtim gjithsesi është një hap i rëndësishëm, është një hap i madh, është precedent që vjen para atij precedentit të parë ku është bërë e mundshme që një përfaqësues i Kosovës, përkatësisht kryeministri, të marrë pjesë bashkë me kryeadministratorin e Kosovës, pa patur të drejtën e fjalës. Tani është në një nivel më i lartë. Në anën tjetër në aspektin juridik kjo nuk paraqet ndonjë përjashtimi apo avancimi, pasi Këshilli i Sigurimit e ka atë të drejtë që të ftojë palët, që të ftojë përfaqësues të ndryshëm, jo vetëm përfaqësues të shteteve, por përfaqësues çfarëdo qoftë, qoftë të organizatave të ndryshme, qoftë përfaqësues të entiteteve, ose edhe persona civilë në cilësitë e ekspertit, kur Këshilli i Sigurimit e shqyrton një çështje konkrete. Kështu që këtë mundësi Këshilli i Sigurimit e ka, kurrfarë rregulli të ri nuk krijon, kurrfarë përjashtimi nuk bën, por vetëm zbaton diçka që ka bërë deri më tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Si i vlerësoni ju bisedimet e deritashme të nivelit teknik mes palëve, kur kemi parasysh qëndrimet e deritashme diametralisht të kundërta mes Prishtinës dhe Beogradit?

ILIR DUGOLLI
Ka disa gjëra që janë bërë, por megjithatë marrë si tërësi shihet pak a shumë që është një pjesë e procesit që në një farë mënyre shumica e pjesëmarrësve në të kanë përshtypjen se duhet të ndodhë, edhe nëse nuk ka kushedi se çfarë rezultate. Duket se shumica edhe në të vërtetë nuk presin diçka të madhe nga ajo, përveçse kristalizimit të një pjese të qëndrimeve për disa çështje, në mënyrë që në këtë mënyrë, ta ushqejnë pakon e zgjidhjes përfundimtare, të cilën në një moment, herët apo vonë, zoti Ahtisari do e prezantojë dhe mandej do të mbetet të shihet se si do realizohet, se si do normalizohet ajo. Kështu që nuk ka patur ndonjë farë përparimi kushedi se sa të madh në aspektin e lëvizjes së palëve në qëndrimin e tyre, por ka patur kontribut të çmueshëm në ofrimin e zgjidhjeve dhe siç po them unë në ofrimin e ushqimit të pakos së zotit Ahtisari, ndikimit në pakon e tij përfundimtare.

RADIO EVROPA E LIRË
Flisni për pakon përfundimtare. Duke marrë parasysh qëndrimet e kundërta, jo vetëm rreth çështjes së statusit, por edhe rreth çështjeve të tjera teknike të Prishtinës dhe Beogradit, për statusin përfundimtar mendoni se do të ketë ndonjë zgjidhje të imponuar apo do ketë dakordim të palëve?

ILIR DUGOLLI
Unë besoj se do jetë njëfarë lloj arbitrazh i negociuar. Kështu tingëllon si kundërshtim me vetëveten, tingëllon si fjalë e cila është pa kuptim. Por megjithatë puna është se do jetë njëfarë lloj zgjidhje e imponuar për mendimin tim, por zgjidhje që do bëjnë përpjekje ndërmjetësuesi ndërkombëtar zoti Ahtisari, por edhe të gjithë personat dhe pikat vendimmarrëse që qëndrojnë prapa tij, që palët t'i afrojnë sa më tepër që është e mundur afër asaj zgjidhjeje që ata tanimë e kanë në mendjen e tyre dhe mendojnë se është zgjidhja më e drejtë e mundshme. Kështu që në sipërfaqe lihet përshtypja se është njëfarë lloj negocimi dhe afrimi i palëve, mirëpo është negocim dhe afrim i palëve drejt një qëndrimi dhe një zgjidhjeje të caktuar, e cila në një masë gjithashtu gjatë gjithë procesit bëhet me dije se është e pashmangshme dhe se është zgjidhja më optimale për to. Kështu që për atë po e quaj si një lloj "arbitrazhi të negociuar".

RADIO EVROPA E LIRË
Thuhet se edhe pas statusit përfundimtar, paralelisht do të vazhdojnë bisedimet teknike. Mendoni se nëse do të ketë një zgjidhje të tillë të imponuar do të ketë hapësirë për të biseduar mes Prishtinës dhe Beogradit për çështjet teknike?

ILIR DUGOLLI
Besoj se po. Kur çështja të sqarohet, kur shqiptarët të jenë një herë e mirë të relaksuar përsa i përket çështjes së statusit përfundimtar, atëhere kuptohet se doza e gatishmërisë së tyre për kompromis, për negocim, për gjetje të zgjidhjeve për çështje të ndryshme teknike, gjithsesi se do të jetë më e madhe. Kështu nuk është kurrfarë fshehtësie apo ngurrimi për të biseduar për shumë çështje. Pjesërisht buron edhe nga fakti se nuk dihet akoma, përfundimisht nuk mund të relaksohemi në atë se çfarë do të jetë statusi përfundimtar. Sapo që kjo të sqarohet dhe të bëhet e qartë, atëhere unë nuk shoh vështirësi, probleme dhe as ngurrim nga ana e përfaqësuesve të institucioneve, nga ana e bartësve të funksioneve kryesore, që çështjet e tyre t'i negociojnë, t'i bisedojnë, kuptohet duke u përpjekur të gjejnë zgjidhje që është në interes, në rradhë të parë të vetë Kosovës dhe kosovarëve, por që janë të hapur për të biseduar me tërë shtetet e rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Prishtina kërkon që statusi përfundimtar i Kosovës të jetë pavarësia, ndërkohë që Beogradi insiston ende të japë vetëm një autonomi në shkallë të gjerë. Cili do të jetë statusi përfundimtar?

ILIR DUGOLLI
Këtu nuk mund të jem i paanshëm, sepse kuptohet se secili kosovar kam bindjen se do të jetë me dëshirën që të jetë pavarësia. Por sipas të gjitha gjasave, sipas shumicës së indikacioneve, duket se do jetë pavarësia me disa kufizime përsa i përket pranisë ndërkombëtare, disa kufizime sa i përket mbikqyrjes së disa aktiviteteve, me disa kufizime sa i përket pranisë ndërkombëtare në aspektin e sigurisë e të ngjashme. Kështu që në këtë drejtim gjërat siduket po marrin drejtimin e kësaj lloj zgjidhjeje.

Intervistoi: Albana Isufi
XS
SM
MD
LG