Ndërlidhjet

KUVENDI I KOSOVËS DISKUTOI PËR 100 DITËT E PARA TË QEVERISË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i Kosovës Agim Çeku ka paraqitur sot para Kuvendit raportin e punës për 100 ditët e para të qeverisë së tij. Bisedimet për statusin, plotësimi i standardeve, si dhe kthimi i mirëbesimit kanë qenë prioritetet kryesore të qeverisë, ka thënë Çeku. Kurse si sukses të veçantë ai ka vlerësuar raportin pozitiv të Këshillit të Sigurimit për të arriturat në Kosovë.
Në vazhdim, Çeku tha se qeveria e tij e ka mirëpritur dhe planin 13 pikësh të grupit të Kontaktit ku fokusohen standardet parësore, të cilat, ai tha se do të plotësohen paralelisht me bisedimet për statusin. Ndërkaq prioritete të vazhdueshme në agjendën politike Çeku tha se mbetet pavarësia e Kosovës dhe procesi integrues i saj në strukturat evropiane:
"Gjatë 100 ditëshit të parë Kosova i është afruar pavarësisë. Fundi i 100 ditëshit të dytë përputhet me 15 nëntorin, kur pritet publikimi i rezultatit të procesit të statusit. Jemi para realizimit të ëndrrës për të qenë të pavarur dhe qeveria e Kosovës do të punojë që Kosova të hyjë me dinjitet dhe e sigurtë në ditën e parë të pavarësisë."
Qeveria nuk mund të mburret me të arriturat gjatë 100 ditëve të para, por ato janë në përputhje me mundësinë dhe hapësirën e veprimit të saj, ka thënë Agim Çeku.
Në vazhdim vlerësimet e tyre i kanë paraqitur dhe grupet parlamentare. Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Alush Gashi, i ka dhënë mbështetje punës së qeverisë Çeku.
"Lidhja Demokratike e Kosovës e mbështet punën e qeverisë dhe kërkon angazhim të shtuar për realizimin e programit", tha Alush Gashi, ndërkohë që shefi i grupit parlamentar të partisë më të madhe opozitare PDK-së, Jakup Krasniqi, tha se paraqitja e kryeministrit është më së paku një raport i punës për 100 ditët e para, sepse të arriturat e theksuara aty nga kryeministri Çeku, sipas Krasniqit, janë rezultate të 3-4 viteve të fundit në Kosovë.
"Qeveria sikur më shumë është kujdesur në numrin e faqeve të shumta sesa në punët e kryera. Por nga kryeministri i ri sa i përket shpërbërjes së strukturave paralele, sigurisë, gjyqësisë, arsimit dhe shëndetësisë, këtu nuk e kemi asnjë fjalë. A ka qeveria ndonjë plan për formimin e sistemit të qeverisë e të sigurisë? Çfarë ka bërë për të mundësuar sundimin e ligjit? Për të gjitha këto në raport nuk ka përgjigje", tha Jakup Krasniqi.
Veton Surroi, kryetar i partisë reformiste Ora, tha se ky do duhej të ishte një raport për punën e qeverisë për 500 ose 600 ditët e fundit, pasi aty bëhet fjalë për vazhdimësinë e qeverisë së mëparshme, ku vetëm kryeministrat janë ndërruar. Qeverisja në Kosovë është improvizuese dhe pa koncept, ka thënë Veton Surroi.
"Ajo që ndoshta do duhej përmendur në këtë raport është se Kosova nuk ka kryeministër. Kryeministri Çeku dha raport dhe e dha në emër të qeverisë, por kryeministri Çeku nuk ka të drejtë të ndryshojë ministrat, sepse këtë nuk do t'ja lejojë koalicioni qeverisës. Nuk shoh kushte. Kjo është qeveri me një zëdhënës qeveritar."
Puna e qeverisë së Kosovës është mbështetur dhe lavdëruar sidomos nga shefja e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Gjylnaze Syla. Ajo tha se puna e kësaj qeverie e ka sjellë Kosovën më afër realizimit të pavarësisë.
"Pas qeverisjes 100 ditëshe të qeverisë Çeku lirisht mund të nxjerrim një bilanc të padiskutueshëm pozitiv. Treguesit evidentojnë arritjen e stabilitetit në fushën politike, ekonomike dhe të sigurisë. Pas tre muajsh qeverisje kryeministri Çeku ka forcuar besimin e popullit dhe të bashkësisë ndërkombëtare në institucionet e Kosovës."
Edhe debati në vazhdim është karakterizuar me vlerësime të ndryshme. Pozita ka mbështetur qeverinë dhe ka përkrahur angazhimet e saj, përderisa deputetët nga partitë opozitare kanë kritikuar ashpër qeverinë Çeku.
Diskutimet e sotme kanë pasuar një mbledhje të kryesisë së Kuvendit, ku pozita dhe opozita janë pajtuar që fjalimet të mos kufizohen dhe të gjithë deputetët të kenë të drejtën e fjalës në kohëzgjatjen e 10 minutave. Mosmarrëveshjet rreth kohëzgjatjes së debateve shtynë dje opozitën që të lëshojë punimet e Kuvendit.

XS
SM
MD
LG