Ndërlidhjet

VLERËSIME TË NDRYSHME PËR RAPORTIN E ZOTIT AHTISARI


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Raporti i djeshëm i të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari është vlerësuar në mënyra të ndryshme nga përfaqësues shqiptarë dhe serbë të partive politike.
Përderisa përfaqësuesit shqiptarë mendojnë se ai raport është një shtytje e madhe në drejtim të përshpejtimit të procesit, përfaqësuesit e serbëve mendojnë se raporti shpreh pakënaqësinë e zotit Ahtisari me rrjedhën e deritashme të procesit.
Ahmet Isufi, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, pjesë e koalicionit qeverisës në Kosovë tha se raporti i djeshëm i zotit Ahtisari në Këshillin e Sigurimit, është nxitje jo vetëm për procesin, por edhe për institucionet e Kosovës:
"Qëndrimet e zotit Ahtisari rreth zhvillimeve në Kosovë ishin mjaft pozitive dhe janë vlerësim real i gjendjes në Kosovë në këtë proces, gjë që është në pajtueshmëri të plotë me angazhimet tona si Kosovë dhe shpresojmë se edhe në të ardhmen do të ketë qasje edhe shumë më pozitive në këtë drejtim," tha zoti Isufi, sipas të cilit raporti u ka dhënë shtytje të madhe proceseve për negociatat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe është dëshmi se bashkësia ndërkombëtare do të vazhdojë rolin e saj.
Mirëpo, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës mendojnë se fjalimi i Marti Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ka treguar pakënaqësinë e tij me rrjedhën e bisedimeve për statusin. Oliver Ivanoviq, udhëheqës i Listës serbe për Kosovën e Metohinë, tha se të pakënaqur janë edhe Grupi i Kontaktit, edhe Prishtina edhe Beogradi. Në këtë aspekt, Ivanoviq nuk pret të ketë përparim as gjatë takimit të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë:
"Mendoj se Ahtisari do ta caktojë këtë takim në nivelin më të lartë, por dyshoj se ai do të mbahet në kohën e paralajmëruar, pasi mendoj se nuk ka mjaft kohë që ai takim të jetë i përgatitur mirë që të jetë efikas," tha Ivanoviq, duke theksuar se dyshonte që në atë takim të mund të bëhej ndonjë përparim, pasi është e qartë se të dyja palët janë barrikaduar në pozicionet e tyre fillestare. Ivanoviq tha se për shkak të dy qëndrimeve krejt të kundërta lidhur me të ardhmen e Kosovës, as Grupi i Kontaktit nuk ka ndonjë zgjidhje, prandaj tërheq vërejtjen për pasojat e ndonjë zgjidhjeje të imponuar për statusin:
"Zgjidhja e imponuar është e qartë se nuk është gjë e mirë dhe nuk është e qëndrueshme, ndërsa zgjidhja e njëanshme, apo njohja e njëanshme e statusit do të shkaktonte kaos jo vetëm në Kosovë, por në gjithë Ballkanin," mendon Ivanoviq. Ai tha se Bashkimi Evropian duhet ta marrë në dorë zgjidhjen e mëtejshme, duke përcaktuar ndonjë status kalimtar, i cili diku në vjeshtë do të verifikohej nga Këshilli i Sigurimit.
Mirëpo, zoti Ahmet Isufi mendon se pikërisht qëndrimi i djeshëm i zotit Ahtisari ndikon zgjidhjen për statusin në bazë të vullnetit politik të qytetarëve të Kosovës:
"Ne e vlerësojmë shumë lart qëndrimin e zotit Ahtisari rreth pikëpamjeve të autoriteteve tona në bazë të realitetit tëri në Kosovë dhe besojmë se do të gjejë shprehjen vullneti i popullit tonë për pavarësi, sepse edhe bota e ka kuptuar, e madje edhe në Beograd kanë filluar të jenë relacione të tilla të kuptimit të situatës në Kosovë, në mënyrë që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe sovran i qytetarëve të lirë që do të jetojnë në Evropën e bashkuar".
Sidoqoftë, të gjithë pajtohen për rëndësinë e takimit të nivelit të lartë që zoti Ahtisari e ka paralajmëruar për 24 korrik në Vjenë, edhe pse një pjesë e përfaqësuesve politikë janë skeptikë nëse do të mjaftojë koha e mbetur për të mbajtur një takim të tillë.



XS
SM
MD
LG