Ndërlidhjet

JERUSALEM


Së paku 8 veta kanë vdekur, ndërsa disa të tjerë janë plagosur në qytetin bregdetar izraelit Haifa pas goditjes së tij me raketa të lansuara nga Libani nga ana e militantëve të Hezbollahut.
Në Haifë, që është ndër tre qytetete më të mëdha të Izarelit, sot në mëngjes kanë rënë pesë raketa nga të cilat njëra ka goditur stacionin hekurudhor.
Pas këtij sulmi ka reaguar kryeministri izraelit Ehud Olmert që ka sinjalizuar Libanin për konsekuencat.
Ministri Mbrojtjes Amer Peretz ka thënë se sulmi në Haifë ka përballur Izraelin me një nga momentet më vendimtare në historinë e tij.
Ndërkaq, në orët e para të mëngjesit për të pestën ditë me rradhë Izraeli ka vazhduar sulmet në Liban.
Bëhet e ditur se aeroplanët izraelit kanë goditur selinë e Hezbollahut në paralagjet jugore të Bejrutit. Agjencia libaneze e lajmeve ka bërë të ditur se aviacioni izraelit ka shkatërruar deri në themel ndërtesën nëntë-katëshe ku gjendej shtabi qendror i Hezbollahut.
Gjatë natës forcat izraelite sërish kanë hyrë në pjesën veriore të Rrypit të Gazës, në Beit Hanoun, me çrast kanë vrarë së paku tre militantë palestinezë, ndërsa 10 të tjerë janë plagosur.
Beit Hanoun është rajon prej nga militantët palestinezë shpesh godasin Izraelin.
Hezbollahu ndërkaq ka përgënjeshtuar pohimet e radios izraelite sipas të cilës nga sulmet ajrore është plagosur lideri i tij sheik Hasan Nasrala.
Në orët e pasditës ushtria izraelite ka ftuar popullatën në jug të Libanit që brenda disa orëve të braktisë këtë hapësirë duke paralajmruar sulme të fuqishme. Në këtë kontekst Ministria e Mbrojtjes ka thënë se Izraeli do të përdorë të gjitha mjetet në ofanzivën kundër Hezbollahut.
XS
SM
MD
LG