Ndërlidhjet

DIDA: VETËM INVESTIMET NGA JASHTË ZGJIDHIN PROBLEMIN E ENERGJISË NË KOSOVË


Agron Dida, zëvendësministër i Energjetikës dhe i Minierave

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti zëvendësministër, cila është gjëndja aktuale e furnizimit me energji elektrike? Pse ende ka kufizime, pavarësisht ditëve të verës, ku shpenzimet e energjisë elektrike janë minimale?

AGRON DIDA
Në qoftëse unë i marr në përgjithësi, kapacitetet furnizuese të Kosovës nuk mjaftojnë për konsumin e Kosovës gjatë tërë vitit. Ne kemi një mungesë prej rreth 10 përqind ndoshta dhe më shumë, gjatë gjithë sezoneve, gjatë vitit të plotë. Prandaj, në mënyrë që të racionalizohet kjo, meqënëse gjatë dimrit ka konsum shumë më të madh, atëhere gjatë verës prodhimi eksportohet dhe kryesisht eksportohet në Shqipëri, sepse ata kanë nevojë gjatë verës për më shumë energji, kurse ne kemi nevojë gjatë dimrit. Në Shqipëri gjithashtu janë hidrocentralet, të cilat kanë potenciale më të vogla tani sesa dimrit kur ka rreshje. Prandaj dhe ne marrim gjatë dimrit prej tyre dhe eksportojmë gjatë verës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh se tani ka restriksione, a do të thotë kjo se edhe gjatë dimrit ato do të jenë të paevitueshme?

AGRON DIDA
Kapacitetet tona gjeneruese janë të vogla. Importi i energjisë si alternativë është shumë i shtrenjtë. Importet janë sot, çmimet e energjisë, po e shihni dhe tregun e energjisë në përgjithësi, tregun e naftës, tregun e gasit, janë çrregullime të mëdha, kanë ngritje të madhe të çmimeve. Kjo ndikon edhe në rritjen e çmimeve të energjisë elektrike. Këto shkojnë të gjitha bashkë, domethënë janë emergjente. Dhe ne si Kosovë vërtet nuk kemi asnjë mundësi për import, megjithëse importojmë. Ju e dini se deri tash, buxheti i Kosovës ka investuar për importin e energjisë dhe është një situatë me të vërtetë e vështirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse jepet buxheti për importim, atëhere pse eksportohet energjia tani?

AGRON DIDA
Pikërisht për atë se në tërësi gjatë gjithë vitit, sasia e energjisë që prodhohet brenda tërë vitit me kapacitetet tona gjeneruese, nuk mjafton për konsumin në përgjithësi. Prandaj gjatë verës kur kemi më pak konsum, ne eksportojmë në Shqipëri, sepse ata kanë më shumë konsum, është turizmi, etj etj, për të mundur të kihet më shumë gjatë dimrit. Pra praktikisht gjatë tërë vitit është një situatë që duhet të ketë ngapak restriksione, sepse nuk ka sasi të mjaftueshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Dida, a ekziston ndonjë plan apo strategji që furnizimi me rrymë gjatë dimrit të ardhshëm të mos jetë ashtu siç ka qenë gjatë viteve të kaluara? Thjeshtë të përmirësohet?

AGRON DIDA
Ne kemi bërë përpjekje, që së bashku me menaxhmentin e KEK-ut, kryesisht kemi vepruar në bord, ministri dhe unë jemi anëtarë të bordit të KEK-ut dhe aty kemi kërkuar që të bëhet një mobilizim i jashtëzakonshëm për përgatitje për furnizim gjatë dimrit. Kemi arritur një gjë që diku rreth 5 milionë, 5 milionë e gjysëm mjete shtesë të jepen në miniera, në mënyrë që të rritet gadishmëria e minierave. Këto mjete janë marrë duke i eleminuar disa projekte jo fort akute, të cilat kanë marrë një prioritet më të vogël sesa dimri. Këtë e ka bërë menaxhmenti dhe tani është duke u bërë atje një punë shumë e madhe. Djerrina është duke u hequr në një sasi shumë të mirë, sepse pa hequr djerrinën nuk mundet të nxirret qymyri dhe ajo po shkon me rritme shumë të mira. Mobilizimi i punëtorëve është shumë i mirë dhe unë jam shumë i kënaqur me angazhimin e punëtorëve siç është tani gjendja në miniera.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar se do të ketë investime private në energjetikë, a ekzistojnë hapa konkretë në këtë drejtim?

AGRON DIDA
Është e padiskutueshme që ngritja e cilësisë në sistemin tonë energjetik duhet të bëhet me investime kapitale, me investime direkte nga jashtë. Kjo, sepse Kosova nuk ka potencial për investime, nuk ka para. Këto investime do të jenë të nxitura me një projekt që është tani në përfundim e sipër. Fillimi i këtij projekti është paketi i projektit të ndërtimit të termocentralit të ri, zgjerimit të minierës ekzistuese dhe ndërtimit të minierës së re dhe rehabilitimit të potencialeve të Kosovës A. Dy blloqe parashihen të rehabilitohen. Kjo bëhet në bashkëpunim me Bankën Botërore, e cila i ka ndarë diku rreth 5 milion dollarë si asistencë teknike për të përgatitur dokumentacionin, projektetet, për të patur këshilltarë, ekspertë për transakcionin, për çështje juridike, etj, sepse ky është projekt i një rangu prej disa miliardë e 500 ose 600 milion euro. Kështu që ky është projekti më i madh i të gjitha kohërave në Kosovë mundem të them. Vërtet është shumë projekt i madh dhe ne na nevojitet ndihmë, ekspertizë dhe Banka Botërore na ka dalë në ndihmë për këtë çështje. Banka Botërore na ka ndihmuar gjithashtë që të sinkronizojmë, harmonizojmë projektet dhe të kemi një qasje të mirë. Unë mendoj se tashmë është arritur një pajtim i plotë mes UNMIK-ut, qeverisë, Bankës Botërore, Agjencisë Evropiane për Rindërtim, Komisionit Evropian. Pra të gjithë janë të pajtimit se duhet të ecim kështu siç janë bërë dokumentet deri tani. Është bërë një dokument i strategjisë së veprimit afatmesëm, i cili është i adaptuar dhe i afruar, së bashku e kanë nënshkruar kryeministri dhe Peterseni dhe kjo është bazë për të shfrytëzuar projektin. Projekti ka fazat si çdo tender i madh ndërkombëtar. Ka më së pari shprehjen e interesit të kompanive, që të shpallet një kërkesë për të shprehur interesin në kompanitë të cilat janë të interesuara, kur kryhet ajo, ato kompani që kanë potencial, kapital për të bërë atë punë, kanë njerëz, kanë kredibilitet financiar etj etj, kur kryhet ajo, atëhere kompanitë thirren për të dhënë propozime konkrete për investim.

Intervistoi: Bekim Bislimi

XS
SM
MD
LG