Ndërlidhjet

UNIVERSITETI I PRISHTINËS SYNON INTEGRIMIN E STUDENTËVE SERBË


Albana Isufi, Prishtinë

Rektori i posazgjedhur i Universitetit të Prishtinës Enver Hasani, ka ndërmend të zgjidhë problemim që për vite me radhë ka mbetur pezull në sistemin arsimor të Kosovës. Të rinjtë shqiptarë dhe serbë vazhdojnë të mësojnë në objekte të ndara shkollore, por edhe me programe të ndryshme arsimore.
Rektori Hasani ka thënë sot se po rishikon modalitetet e ristrukturimit të arsimit të lartë publik, i cili do të ishte unik për të gjitha komunitetet.
“Do të shikojmë modalitetet. Me rëndësi është vullneti i mirë për të krijuar një sistem të përbashkët, ndërsa modalitetet dhe shtrirja gjeografike mbeten për më vonë, mbase do fillojmë me ndonjë pilot program, por vullneti dhe gatishmëria janë të mira”.
Këto komente, rektori Hasani i ka bërë pas një takimi me Ministrin serb të Kthimit Sllavisha Petkoviq, i cili ka dhënë përkrahjen e tij për të krijuar një sistem të përbashkët arsimor.
“Të përpiqemi që të gjejmë mundësinë, që sistemi i arsimit të njëjtësohet, ashtu që UP të jetë unik. Kjo është e rëndësishme, sepse në arsim nuk mund të punohet me 5 programe. Pastaj kjo lidhet edhe me kthimin, duhet të shohim se si mund të integrohen studentët në një universitet”, thotë Petkoviq.
Në Universitetin e Prishtinës nuk studion asnjë pjesëtar i komunitetit serb, por as në kreun e Universitetit nuk ka përfaqësues të serbëve. Serbët për vite me radhë mësojnë me planprograme te qeverisë serbe, ndërsa qendra universitare e tyre mbetet pjesa veriore e Mitrovicës. Ish- rektori i Universitetit të Mitrovicës Gojko Saviq, i tha Radios Evropa e Lirë se me bisedimet eventuale mes institucioneve arsimore, edhe mund të gjindet zgjidhja e problemit të sistemit të ndarë arsimor.
“Realisht nëse do të tejkaloheshin problemet nuk do të kishte ndonjë pengesë. Jeta e përbashkët kërkon nga populli dhe qytetarët e Kosovës që edhe të kenë gjëra të përbashkëta, pra edhe në shkollë. Ky është realitet. Megjithatë ne jemi ende në këtë situatë larg realitetit. Kohët e fundit, siatuata pak ka ndryshuar, por ende nuk ka kushte për një punë të tillë të përbashkët, pasi që Prishtina është e zbrazët nga serbët”, thotë Gojko Saviq.
Megjithatë, Ministri i Kthimit, Sllavisha Petkoviq është më optimist.
“Realisht shpresoj se vitin e ardhshëm do të ketë rezultate në
krijimin e sistemit unik të arsimit”, thotë Petkoviq, i cili beson se kjo do arrihet nëse universitetet heqin dorë nga politika.
“Së pari do të provojmë, siç është gjithkund në botë, që të hedhim politikën jashtë universitetit, edhe nga ai i Prishtinës, edhe nga Universiteti i Mitrovicës. Më pastaj do të kemi rezultate, pasi që arsimi dhe politika nuk shkojnë së bashku”, thotë Petkoviq.
Ndërkaq rektori Hasani, thotë se integrimi i serbëve në Universitetin e Prishtinës, do të bëhet duke u ofruar atyre një perspektivë evropiane.
“Duhet të krijojmë perspektivë. Njerëzit vijnë pas perspektivës dhe kjo nënkupton kushte të sigurise, universitet serioz, me standarde, që nuk është i izoluar dhe modalitet e integrimit janë probleme teknike, por janë perspektivat ato që i joshin të vijnë këtu”, thotë Hasani.
Rektori i posazgjedhur Enver Hasani thotë se aktualisht është duke marrë të dhëna nga terreni, para se të nisë diskutimet eventuale me krerët serbë të arsimit. Sido që të jetë, ai përmend universitetin veror të Prishtinës, si një shembull, ku studentët pa dallim etnie mund të studiojnë së bashku. Këtë vit, sikurse edhe ne të kaluarën, në universitetin veror, mësimin po e ndjekin edhe studentë të komunitetit serb.
XS
SM
MD
LG