Ndërlidhjet

SEJDIU: KOSOVA DO TË PAVARËSOHET GJATË VITIT 2006


Albana Isufi, Prishtinë

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, beson se me dy takimet që po mbahen në Vjenë, do të përmbyllen bisedimet teknike mes Prishtinës dhe Beogradit, ndërkohë që pala kosovare, sipas tij nuk do të lëkundet më nga pozicioni i saj.
“Arsyeja është se ne kemi mbërritur tek ajo që mund të quhet vijë e kuqe, e cila nuk mund të kapërcehet. Kemi një përqëndrim të fokusuar në variantin që kemi ofruar finalisht në nivelin e shtrirjes së komunave të reja, që assesi nuk është një shtrirje e komunave sipas kërkesave të mëhershme, që i janë adresuar Kosovës”, tha Sejdiu.
Delegacioni kosovar për statusin ka mbrojtur qëndrimin për krijimin e komunave te reja serbe sipas formulës 3+ 1. Megjithatë, dje ekipi negociator kosovar ka deklaruar se pajtohet me formulën e re 5+ 1, që nënkupton shtimin e dy komunave të tjera serbe.
“Ajo që do të prezantohet sot do të jetë ajo që nuk mund të kapërcehet më tepër. Realisht, Kosova ka nevojë për procese decentralizuese për të gjithë qytetarët dhe këtë nuk e bën për privilegjin e një etniteti”, tha Sejdiu.
Në anën tjetër presidenti Sejdiu ka shprehur bindjen se me zgjidhjen e statusit do të zgjidhet edhe problemi i Mitrovicës. Sejdiu hedh poshtë në mënyrë kategorike çdo ndarje të qytetit, pavarësisht problemeve që ky qytet mban mbi vete që nga periudha e pasluftës.
“Është me rëndësi që të prehen iluzionet se Mitrovica ka për të qënë pjesë e një territori të shkëputur të Kosovës”.
Presidenti Sejdiu në një takim me përfaqësues të shoqërisë civile është shprehur i bindur se Kosova do të pavarësohet këtë vit.
Ai ka thënë se edhe në takimin e nivelit të lartë mes Prishtinës dhe Beogradit, çështja e pavarësisë do të argumentohet, por jo të negociohet.
“Ne do të shkojmë më 24 për të prezantuar qëndrimet e Kosovës për të ardhmen e Kosovës dhe do të jemi besnikë se nuk do të negociohet çështja e pavarësisë. Ajo që kam besim të plotë në bazë të argumenteve që disponon Kosova, është se Kosova do të pavarësohet këtë vit dhe trajtimi i saj nga bashkësia ndërkombëtare do të jetë meritor”.
Sejdiu nuk mendon se opsioni i pavarësisë mund të kundërshtohet nga fuqitë e mëdha. Presidenti Sejdiu thotë se Kosova ka argumente të qëndrueshme për të treguar se është një rast i veçantë, që nuk mund të krijojë preçedencë për asnjë vend tjetër në botë.
“Ajo që mund të them se do të jetë argument i fuqishëm i përqëndrimit është se Kosova është rast sui generis, i llojit të veçantë, që nuk ka të bëjë as me Abkazinë dhe me asnjë vend tjetër në botë, që po përdoren si pjesë të trampolinës për të krijuar probleme ndarjeje ose jo ndarjeje. Unë Federatën Ruse nuk e cilësoj si kundërshtare të Kosovës, por si pjesë të proceseve të përbashkëta ndërkombëtare në trajtimin e Kosovës”.
Sido që të jetë, presidenti Sejdiu ka përsëritur qëndrimin se edhe pas pavarësisë, Kosova ka nevojë për praninë e forcave të NATO-s, si dhe për një prani të lehtë civile të bashkësisë ndërkombëtare.




XS
SM
MD
LG