Ndërlidhjet

RAMË BUJA: JAM SHUMË SKEPTIK PËR BISEDIMET E "TË MËDHENJËVE"


"Unë jam tepër skeptik që në bisedimet e drejpërdrejta me Serbinë mund të ndodhë një përparim sado i vogël çoftë. Sepse për këtë dëshmoi apo dëshmuan faktikisht rundet e deritashme të Vjenës dhe lëvizjet nuk ishin as më të voglat e mundshme. Prandaj dhe ky bisedim i mundshëm që do të ndodhë ndërmjet "të mëdhenjve" të Kosovës dhe të Serbisë, fare pak mund të ketë shpresë se mund ti lëvizë gjërat nga vendi. Unë jam shumë i bindur se gjërat do të lëvizin, me këmbëngulësinë e Bashkësisë ndërkombëtare", thotë Ramë Buja, deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Buja, para disa ditësh, në diskutimet në Kuvend deputetët e partive në qeveri e lavdëruan punën e kryeministrit Agim Çeku, në 100 ditët e para, ndërsa deputetët e partive opozitare e kritikuan atë. Si deputet i partisë më të madhe opozitare në Kosovë, PDK-së, cilat janë vërejtjet e juaja kryesore lidhur me punën e qeverisë në 100 ditët e para?

RAMË BUJA
Është krejt normale dhe e zakonshme që pozita të lavdërojë punën e bërë, çoftë dhe ajo një mospunë çfarë ishte. Ndërsa partitë opozitare u përpoqën të jenë konstruktive dhe të bëjnë vërejtje në ato çështje, të cilat nuk ishin bërë në këtë 100 ditësh, edhe pse në fakt ky nuk ishte 100 ditëshi i qeverisë, por ishte 600 ditëshi i qeverisë, sepse mund të flasim për 100 ditëshin e Agim Çekut si kryeqeveritar, por jo për 100 ditëshin e qeverisë, sepse ata kanë bërë gati një 600 ditësh. Ajo që ne insistuam për t'u fokusuar ishte që të bëjmë me dije kryeqeveritarin dhe qeverinë, se ata nuk janë duke vepruar ashtu siç kërkohet, në proporcion me nevojat që ka Kosova aktualisht. Standardet që janë shumë të përfolura, aty shkohet tepër ngadalë. Zhvillimi ekonomik është në rënie dhe jo në ngritje dhe çështje të tjera, për të cilat është zotuar kryeministri. Puna në tri E - të e tij të njohura: edukimi, energjia dhe ekonomia ka mbetur shumë mbrapa, bile fare pak kanë lëvizur na zeroja. Ne nuk donim që të jemi mohues për gjithçka por donim të sinjalizonim që duhej vepruar ndryshe nga ç'është vepruar deri tani.

RADIO EVROPA E LIRË
Si anëtar i kabinetit të qeverisjes së mirë, që është një lloj i qeverisë në hije, ju disa herë jeni deklaruar për procesin e decentralizimit në Kosovë. Si e vlerësoni ju këtë proces në tërësi?

RAMË BUJA
Në fakt, ky veprim që tani bëhet në emër të një decentralizimi nuk është decentralizim, ngaqë është shumë e qartë që gjithçka që bëhet tani është insistimi apo deklarimi i popullatës shumicë shqiptare, në fakt i qeverisjes së saj, se çfarë ajo mund të bëjë në Kosovën e nesërme me status të përcaktuar politik. Kjo është shumë e llogjikshme, por jo të quhet decentralizim, sepse nuk është decentralizim, sepse ne ofrojmë diçka enkas për një jetë më të mirë dhe tjetra mbetet prapa. Ne kemi qenë mbështetës të asaj që decentralizimi në Kosovë të ndodhë, por jo në këtë kohë kur kemi të bëjmë me çështje të tjera, shumë më thelbësore dhe më problematike dhe të ndodhë ashtu siç duhet të ndodhë, në proporcion me Kartën Evropiane të Decentralizimit dhe Pushtetit Lokal.

RADIO EVROPA E LIRË
Sipas jush, ku qëndron përgjegjësia që, megjithatë, procesi i decentralizimit nuk është zhvilluar ashtu siç mendohej?

RAMË BUJA
Ne kemi patur dhe më herët një projekt tonin, të cilin e kemi plasuar në opinion dhe për të cilin kemi qenë shumë sqarues për atë se si duhet të ndodhë një decentralizim. Decentralizimi nënkupton ofrimin e shërbimit më afër qytetarit. Meqënëse kjo ka këtë kuptim ne kemi qenë ithtarë të asaj që të bëjmë decentralizimin ashtu siç duhet bërë për t'i afruar një shërbim të tillë efektiv dhe për të qenë më afër qytetarit. Por jo të bëjmë ndarje, as etnike, as territoriale, as të bëjmë rrugë blu, as territore blu. Ky ka qenë insistimi ynë i vazhdueshëm dhe vazhdojmë të jemi mbështetës të kësaj gjëje, për të ndodhur një decentralizim i tillë, pa ndasi, por për t'i ofruar një shërbim më të mirë qytetarit.

RADIO EVROPA E LIRË
Për procesin e decentralizimit, nga zyrtarët e lartë të Kosovës, shpeshë dëgjohet që ka obstruksione nga pala e Beogradit. Në këtë aspekt si e vlerësoni ju qëndrimin e Beogradit lidhur me procesin e decentralizimit në Kosovë?

RAMË BUJA
Obstruksionet që vijnë nga pala e Beogradit nuk të habisin, sepse ato janë në vazhdimësi dhe për fat të keq të tyre dhe të gjithë serbëve në Kosovë, rëndësia vepruese politike dhe pragmatike e tyre nuk ka ndryshuar. Kjo është diçka që është e pritshme, por do duhej ne në Kosovë, faktikisht qeveritarët, ata që do duhet të bëjnë realitet këtë gjë, të jenë më esëll për të ditur se çfarë nënkupton decentralizimi dhe çfarë duhet bërë në këtë raport. Ne jemi mbështetës të asaj që etnia serbe dhe etnitë e tjera në Kosovë, të gëzojnë të gjitha të drejtat e tjera të mundshme, në bazë të të gjitha normave ndërkombëtare, për pakicat kudo çofshin, por jo të improvizojnë diçka që nuk është as e emërtuar as me shkencë nuk dihet çfarë është dhe çfarë quhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Më 24 korrik do të zhvillohet takimi i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thuhet se ky do të jetë një takim ku do të diskutohet drejtpërsëdrejti për çështje të statusit. Sipas jush a mund të arrihet ndonjë progres në këto bisedime, kur dihet se qëndrimet e palëve dallojnë shumë njëra prej tjetrës?

RAMË BUJA
Unë jam shumë skeptik, tepër skeptik që në bisedimet e drejpërdrejta me Serbinë mund të ndodhë një përparim sado i vogël çoftë. Sepse për këtë dëshmoi apo dëshmuan faktikisht raundet e deritashme të Vjenës dhe lëvizjet nuk ishin as më të voglat e mundshme. Prandaj dhe ky bisedim i mundshëm që do të ndodhë ndërmjet të mëdhenjve të Kosovës dhe të Serbisë, fare pak mund të ketë shpresë se mund ti lëvizë gjërat nga vendi. Unë jam shumë i bindur se gjërat do të lëvizin, me këmbëngulësinë e Bashkësisë ndërkombëtare dhe pse jo, në definimin e statusit përfundimtar është një shembull shumë i mirë, tepër i mirë dhe shumë praktik, ai i Malit të Zi. Pra, kjo gjë do të merrte fund ashtu siç është më së miri, me logjikën më të mire mundshme dhe më të mirë demokratike: me votën dhe plebishitin popullor.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra sipas jush kush do duhej të vendoste për statusin përfundimtar të Kosovës?

RAMË BUJA
E mira do ta donte që për këtë gjë të vendoste populli i Kosovës, ata për të cilët bëhet ajo dhe me të cilët duhet të bëhet, pra vota do të ishte më e mira e mundshme dhe është një e mirë e madhe se prania e Komunitetit ndërkombëtar në Kosovë është shumë e madhe dhe ajo mund të monitorohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Pra le të vendosë vullneti i qytetarëve shumicë të Kosovës.
Intervistoi Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG