Ndërlidhjet

MIRËPRITET ROLI I BE-SË PAS STATUSIT, POR ENDE KA PAQARTËSIRA


Albana Isufi, Prishtinë

Kosovarët duan që edhe pas zgjidhjes së statusit, një prani ndërkombëtare të mbetet në Kosovë. Prania sipas kosovarëve ka të bëjë me forcat e NATO-s, por edhe me një prani të lehtë civile, e cila do kishte vetëm rol këshilldhënës.
Bashkimi Evropian, i cili tashmë ka filluar përgatitjet rreth rolit dhe kontributit të tij në Kosovën e pas statusit, parasheh që të mbikqyrë sigurinë dhe drejtësinë. Megjithatë, nga raporti i fundit i përfaqësuesit të lartë të BE-së Havier Solana dhe i komisionerit evropian për zgjerim Oli Rehn, shihet që përfaqësuesi eventual i BE-së do të ketë të drejtë ndërhyrjeje në punët e ekzekutivit.
Sido që të jetë, këshilltari i kryeministrit Arben Qirezi, thotë se misioni ndërkombëtar i pas statusit do jetë më shumë këshilldhënës.
”Roli, sipas të gjitha parametrave do të jetë rol këshilldhënës dhe ekzekutiv. Megjithatë institucionet e Kosovës do të kenë kenë gamën e kompetencave shumë të gjerë, sesa që e kanë nën OKB-në, Kosova do të ketë prani ndërkombëtare me një numër të caktuar kompetencash, megjithatë, Kosova do të jetë e administruar nga institucionet vendore dhe jo nga prania ndërkombëtare”, tha Qirezi.
Megjithatë, Qirezi nuk përjashton rolin ekzekutiv që Bashkimi Evropian mund ta ketë në fusha të caktuara.
“Një prani ndërkombëtare në drejtësi, apo siguri do të jetë e nevojshme edhe në aspektin e ekzekutivit, në kuptimin e pranisë së gjykatësve ndërkombëtarë, në kuptimin e pranisë së një force evropiane policore, ngjashëm siç ekziston edhe në Maqedoni”.
Analisti politik Lulzim Peci mendon se ende është herët të flitet nëse Bashkimi Evropian do ketë rol këshilldhënës apo edhe ekzekutiv. Detaje të tilla, sipas tij do të vendosen nga Kombet e Bashkuara.
“Me siguri që mandati i ri i BE-së do të kalojë nëpër një sistem të konsultimit më të gjerë sesa brenda vetë BE-së. Si do të jetë ky angazhim, do të varet nëse do të kemi ingerenca siç është përfaqësuesi ndërkombëtar në Bosnje, apo më të vogla dhe kjo do të shikohet. Por, sido që të jetë, në fazën e parë të pas statusit do të ketë mison me mjaft ingerenca të larta”.
Këshilltari i kryeministrit Arben Qirezi sqaron se Kosova tashmë ka krijuar një grup punues në kuadër të delegacionit të Kosovës, i cili do të marrë pjesë në konsultimet rreth misionit të ardhshëm ndërkombëtar.
”Grupi punues do të punojë në këto konsultime, me ndihmën e institucioneve të tjera të Kosovës. Misioni i BE-së apo ndërkombëtar do të ketë një udhëheqës, por nuk mund të komentojmë kompetencat, pasi që kjo do jetë subjekt konsultimesh mes delegacionit të Kosovës, institucioneve të Kosovës dhe trupave ndërkombëtare, që do jenë në Kosovë”.
Lulzim Peci mendon se ajo që është me rëndësi për misionin e ardhshëm ndërkombëtar është, që çfarëdo që të jetë, misioni të mos ketë qëllim parësor vetveten por Kosovën.
”Kosovës i duhet fuqizimi i vet si shtet sa më i shpejtë. Mendoj se pasja e ingerencave, nëse misioni i ardhshëm do të ketë vetëm misionin ai do të dështojë, por nëse misioni ka për qëllim çuarjen e Kosovës përpara, në këtë rast duhet të merren pëgjegjësitë e përbashkëta si nga bashkësia ndërkombëtare, ashtu edhe nga ana jonë”, tha Peci.
Raporti i zyrtarëve më të lartë të BE-së parasheh tre lloje të angazhimeve ndërkombëtare në Kosovën e pas statusit: fuqinë e intervenimit, monitorimin ndërkombëtar të zbatimit të marrëveshjes për statusin dhe ndihmën në ndërtimin e institucioneve. Në kuadër të fuqisë së intervenimit, është paraparë që misioni ndërkombëtar të ketë të drejtë në anullimin e ligjeve apo vendimeve, shkarkimin e zyrtarëve, si dhe të ketë të drejtë të ushtrojë funksionet ekzekutive. Këto fuqi thuhet se do të jenë të kufizuara në rrethana të jashtëzakonshme për një periudhë kalimtare.

XS
SM
MD
LG