Ndërlidhjet

logo-print

TADIÇ KONFIRMON PJESËMARRJEN NË TAKIMIN E 24 KORRIKUT


Augustin Palokaj, Bruksel

Kryetari i Serbisë Boris Tadiç ka konfirmuar sot në Bruksel në selinë e NATO-s, se ai do të marrë pjesë në takimin me krerët politikë të Kosovës, në takimin që ka ftuar Ahtisari në Vjenë në datën 24 të këtij muaji. Boris Tadiç e tha këtë duke folur në një konferencë për shtyp, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jaap de Hoop Scheffer. Scheffer edhe njëherë tha se kërkon nga Beogradi dhe Prishtina që të vazhdojnë të jenë konstruktivë në procesin e negociatave për statusin e Kosovës, sepse për NATO-n edhe Kosova edhe Serbia janë tema shumë të rëndësishme. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s në pyetjen se a do angazhohet NATO-ja dhe më shumë në procesin e negociatave, sidomos duke marrë parasysh se në fazën e mëvonshme do të diskutohet dhe për aspektet e sigurisë, tha se rolin kryesor në proces nga aspekti politik, do të vazhdojë ta ketë Marti Ahtisari dhe NATO-ja i jep mbështetje të plotë atij. Por ai tha se edhe NATO-ja ndonëse nuk do ta ketë rolin kryesor, do ta ketë një rol shumë të rëndësishëm në procesin e negociatave. Po ashtu tha se sa i përket rolit të KFOR-it në Kosovë, ai do të mbetet i pandryshuar në kohën sesa zgjat procesi. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer, edhe kësaj radhe i bëri ftesë serbëve të Kosovës që të kyçen në institucionet kosovare, sepse në këtë mënyrë do të ndihmojnë edhe në arritjen e suksesit në procesin e negociatave dhe në zgjidhjen e statusit të Kosovës.
NATO-ja është në Kosovë për të mbrojtur si shumicën ashtu dhe pakicën, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s në takimin e përbashkët që kishte me presidentin e Serbisë Boris Tadiç. Tadiç edhe njëherë tha se ai mendon se pozita e serbëve në Kosovë është shumë e palakmueshme dhe falenderoi NATO-n për kujdesin që është duke bërë në Kosovë, për të ruajtur stabilitetin. Po ashtu, sot në takimin e presidentit të Serbisë Boris Tadiç me ambasadorët e NATO-s dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të kësaj aleance, është biseduar dhe për planin e veprimit që Serbia ka paraqitur për arrestimin e gjeneralit Ratko Mlladiç. Për këtë shkak, edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se plani është i mirë, ambasadorët e kanë përshëndetur, por NATO-ja pret që nga letra fjalët të shndërrohen në vepra dhe të arrestohet gjenerali Mlladiç dhe të dorëzohet në Hagë. Nëse kjo do të ndodhë, atëhere NATO-ja do të mund të pranojë Serbinë në Partneritetin për Paqe deri në fund të këtij viti.
Presidenti i Serbisë tha se është shumë e rëndësishme që edhe Serbia të integrohet në strukturat euroatlantike, sepse një Serbi pa perspektivë të tillë do të ishte e rrezikshme për rajonin. Kroacia dhe Shqipëria së shpejti mund të hyjnë në NATO, tha Boris Tadiç dhe Serbia në një mënyrë do të jetë e rrethuar nga një ombrellë e NATO-s dhe është shumë me rëndësi dhe për Serbinë që kjo perspektivë të hapet, tha presidenti i Serbisë.

XS
SM
MD
LG