Ndërlidhjet

logo-print

E ARDHMJA DUHET NDËRTUAR NGA E TASHMJA, THONË STUDENTËT SERBË NË UNIVERSITETIN VEROR TË PRISHTINËS


Bekim Bislimi, Prishtinë

Universiteti veror i Prishtinës mundëson një mënyrë më praktike të të mësuarit, por edhe vetë qëndrimi në Prishtinë mundësoi që të hiqen dilemat dhe paragjykimet rreth sigurisë dhe lëvizjes së lirë në Kosovë. Kështu thonë disa nga studentët të cilët kanë ardhur në Prishtinë nga vendet e rajonit, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë -Hercegovina. Branka Paniq nga Beogradi, studente e shkencave politike në Universitetin e Beogradit, thotë se në Universitetin veror të Prishtinës është duke ndjekur kursin në lëndën e të drejtës ndërkombëtare dhe se qasja ndaj problemeve që parashtrohen bëhet me metoda që ndryshojnë nga mënyra e studimit në universitetin prej nga ajo vjen.
“Diskutojmë rreth shumë problemeve dhe konflikteve që janë aktuale, përfshirë këtu edhe Kosovën. Për ne është mjaft interesante, sepse debatojmë në mes vete ne studentët e Serbisë dhe ata të Kosovës, por mendoj se këto debate janë të nevojshme, sidomos në mes neve të rinjve që të gjejmë një gjuhë të përbashkët që të zgjidhim situatat e tilla”, tha studentja Paniq, duke shtuar se është pozitiv fakti se edhe pas debateve, nuk ka ndonjë konflikt të veçantë apo grindje e hapur në mes studentëve, por e tëra përfundon me diskutime të arsyeshme madje edhe duke pirë kafe së bashku.
Ngjashëm pohon edhe Nexhat Smajlagiq, student i drejtësisë nga Sarajeva, i cili po ashtu ndjek kursin e të drejtës ndërkombëtare. Ai thekson se ndryshe nga mënyra e të studiuarit në Fakultetin e Drejtësisë në Sarajevë, në këtë kurs shtrohen çështjet konkrete dhe ato debatohen në mënyrë praktike.
“Kjo është një përvojë jashtëzakonisht pozitive, e cila zhvillon mendimin kritik dhe thjesht na drejton që të shfrytëzojmë mendimin racional në diskutimet tona dhe unë këtë e konsideroj si shumë me interes”, tha studenti Smajlagiq.
Ndërkaq, Jasna Strugar nga Podgrica, studente e ekonomisë thotë se ndjek kursin për ndërmarrjet dhe kreativitetin, dhe se është e kënaqur me atë që ofrohet nga Universiteti veror i Prishtinës.
“Më së shumti i kushtohet kujdes praktikës, ndërkaq që në fakultetin tonë nuk e kemi të mjaftueshme dhe mendoj që ky kurs do të më shërbejë shumë për zhvillimin e aftësive në profesionin tim”, tha Jasna Strugar.
Kursin e njejtë e vijon edhe Nemanja Rakoviq nga Beogradi, por ai thekson se në Prishtinë nuk ka ka ardhur vetëm për të vijuar kursin, por edhe të vizitojë Prishtinën dhe përgjithësisht Kosovën.
“ I kam 23 vjet dhe i kam vizituar të gjitha vendet fqinje, por në Kosovë e cila është vetëm disa orë vozitje nga Beogradi, nuk kam qenë më parë. Thjesht, kisha dëshirë që të shoh se si jetohet në këtë vend, posaçërisht shikuar nga këndi i i situatës e cila ka ndodhur këtu, apo situatës 7 vjet pas konfliktit që ka ndodhur këtu”, tha studenti Rakoviq dhe shtoi se shikuar nga perspektiva e një njeriu që është për herë të parë këtu dhe që nuk i qaset në mënyrë emotive kësaj çështjeje, mendon se ekziston siguria dhe se nuk ka hasur asnjë formë të shprehjes së jodashamirësisë ose shprehjes refuzuese nga vendasit.
“Kemi një lloj sigurimi që përkujdeset për ne prej orës 21 në mbrëmje, por ne në atë kohe jemi jashtë hotelit dhe një mbrëmje tek po kthehesha nga një lokal i vetmuar për në hotel, mendoja se është situatë bizare përderisa unë shetitem në mes të natës i vetmuar, ndërkaq që na sigurohet një lloj sigurimi në hotel, për të cilin s’ka nevojë”, tha studenti Rakoviq.
Jasna Strugar thotë se para se të vijë në Prishtinë është ballafaquar me kundërshtimet e rrethit ku jeton për shkak të paragjykimeve se në Kosovë nuk ka siguri, por:
“Prej natyrës jam e guximshme. Por këtu më pëlqen dhe jam e kënaqur. Më pëlqen qyteti, njerëzit dhe mënyra se si sillen ata ndaj nesh”, tha studentja nga Podgorica.
Me paragjykimet dhe dilemat e rrethit ishte ballafaquar edhe studentja Paniq nga Beogradi.
“Thjesht, Beogradi ka një përceptim të caktuar të gjendjes për Kosovën dhe Prishtinën dhe definitivisht ka pasur shumë paragjykime. Kështuqë askush nga rrethi im, e as familja nuk më kanë përkrahur që të vij në Prishtinë. Por këtu jam befasuar për të mirë dhe nuk kam pritur që në Kosovë është kjo gjendje.Njerëzit janë të mrekullueshëm dhe janë shumë dashamirës”, tha studentja Paniq. Ndërkaq, studenti Smajlagiq nga Sarajeva, thotë se i pëlqen Prishtina, por edhe raportet që janë krijuar në mes studentëve që vijnë nga vendet e rajonit dhe ata vendas.
“Pse të ndërtohet e tashmja nga e kaluara? Pse të mos fillohet të ndërtohet e ardhmja nga e tashmja. Edhe gjermanët kanë bërë gjëra të tmerrshme në të kaluarën, por tash janë miq të mirë të njerëzve. Duhet ta lëmë të kaluarën dhe ta ndërtojmë të ardhmen”, tha Smajlagiq.

XS
SM
MD
LG