Ndërlidhjet

logo-print

VJENË: PËRFUNDOJNË PA REZULTATE KONKRETE BISEDIMET PËR DECENTRALIZIMIN


Beqë Cufaj, Vjenë

Sot në Vjenë ka përfunduar raundi i 10-të i bisedimeve shqiptaro-serbe dhe ai i pesti i bisedimeve për çështjet e decentralizimit. Ashtu siç edhe ishte pritur, bisedimet e sotme kanë përfunduar pa ndonjë rezultat konkret. Në të njëjtën kohë mikpritësi dhe koordinatori i këtyre negociatave negociatori gjerman Bernard Schlageck deklaroi se takimi ishte produktiv dhe substancial. Në konferencën për shtyp të organizuar pas takimit të sotëm Schlageck njoftoi dhe zyrtarisht që takimi i sotëm ishte ndryshe nga të tjerët, që UNOSEK-u kishte ndarë palët në hapësira të ndryshme dhe se ndërkombëtarët kanë lëvizur herë tek delegacioni shqiptar dhe herë tek ai serb. Sipas Schlageckut nga ky takim janë vërejtur pajtime dhe afrime në qëndrime por edhe dallimet e mëdha kanë qenë mëse evidente. Derisa Beogradi ka kërkuar që të flitet për parimet, përkatësisht kompetencat e komunave të reja, duke filluar nga policia, edukimi, gjuha në universitet, shëndetësia dhe financat, Prishtina ka kërkuar një decentralizim asimetrik, tha Schlageck. Ai bëri të ditur po kështu që është diskutuar edhe për Mitrovicën që ishte çështje kyçe. Sipas Schlageckut propozimi shqiptar për dy komunat e reja, është më i përafërt me atë të UNOSEK-ut, derisa Beogradi ende vazhdon të insistojë në numër më të madh të komunave. Sidoqoftë edhe Beogradi ka reduktuar numrin e komunave që kërkon, por nuk mund t'u them se për sa, tha ai.
Se si numrat sot për serbët ishin bërë papritmas të parëndësishëm, e konfirmuan edhe anëtarët e delegacionit nga Beogradi. Leon Kohen dhe Sllobodan Samarxhiç, udhëheqësit e delegacionit serb për decentralizimin thanë që numrat nuk janë të rëndësishëm, sa është e rëndësishme qëndrueshmëria dhe gjerësia e këtyre komunave. Kohen pasi lavdëroi efektivitetin e takimit të sotëm, në të njëjtën kohë vlerësoi edhe principet bazë të shikuara nga prizma e Beogradit. Mospajtimet më të mëdha kishin të bënin pikërisht për dhe rreth territoreve të këtyre komunave, dhe nuk duan të bëjnë tregti me numra, tha Samarxhiç, i cili shtoi se kjo ide e Prishtinës sot është një lojë dhe dëshirë për t'u arritur një marrëveshje me çdo kusht. Ndërsa Kohen edhe njëherë insistoi në faktin që Mitrovica do të jetë një komunë, e cila sipas tij do të duhej të zgjerohej territorialisht. Pikërisht në këtë linjë shqiptarët e Kosovës nuk duan të kalojnë, duke insistuar në një decentralizim josimetri, i cili nuk do të siguronte ndarjen territoriale të vendit. Këtë gjë para gazetarëve e theksoi edhe udhëheqësi i delegacionit nga Kosova Lutfi Haziri. Ai theksoi se delegacioni nga Kosova nuk ka patur dhe nuk ka probleme me principet kryesore të decentralizimit, dhe përsëriti që Prishtina nuk do të lëshojë pe për synimet serbe për krijimin e territoreve autonome serbe brenda në Kosovë. Përndryshe Schlageck ka bërë të ditur për gazetarët se ashtu sikurse dhe për trashëgiminë kulturore, edhe për decentralizimin do duhen mbajtur takime sërisht me këtë nivel ekspertësh, ku UNOSEK-u do përpiqet të paraqesë vendimet e veta pas shkëmbimeve të sotme.





XS
SM
MD
LG