Ndërlidhjet

HAZIRI: TAKIMI I 24 KORRIKUT PËRCAKTON ECURINË E BISEDIMEVE PËR ÇËSHTJET JOSTATUSORE


Lutfi Haziri, zëvendëskryeministër i Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haziri ka përfunduar sot në Vjenë takimi i radhës për decentralizmin. Çfarë mund të thoni për takimin e sotëm dhe çfarë përmbante deklarata e lexuar nga ndërmjetësuesi ndërkombëtar në fund të takimit.

LUTFI HAZIRI
Siç theksuat ju takimi i sotëm ka qenë i fokusuar në parimet themelore të decentralizimit, si pjesë e dokumentit të UNOSEK-ut, të propozuar për t'u diskutuar parimet themelore, komunat e reja me shumicë serbe dhe specifikisht në sesionin e pasdites është punuar edhe në sqarimin nga ana e delegacionit të Kosovës për propozimin Mitrovica-një qytet dy komuna. Karakteristikë e takimit të sotëm ka qenë se kryesisht takimet e sotme kanë qenë të ndara dhe është mbajtur një sesion plenar pesë minutash për të konstatuar arritjet e ditës. Zoti Schlageck që ka kryesuar në emër të zotit Rohan sot, kryesisht ka patur të bëjë me angazhimet e UNOSEK-ut për të finalizuar pjesën e angazhimeve që kanë të bëjnë me decentralizimin dhe vështirësitë që janë parë. Është lavdëruar angazhimi i delegacionit të Kosovës për një konstruktivitet dhe angazhim permanent pozitiv në një proces, i cili është interes jetik i vetë kosovarëve dhe po ashtu ka paralajmëruar se do të vazhdohet me takime të këtij niveli edhe në të ardhmen.

RADIO EVROPA E LIRË
A është arritur sot marrëveshje për numrin e komunave të reja me shumicë serbe?

LUTFI HAZIRI
Nuk do thoja ashtu. Është punuar në definimin e asaj që quhet ndërtim i komunave të reja me shumicë serbe. Propozimi i delegacionit të Kosovës është zgjeruar në parim: pesë komuna me shumicë serbe është hapi i fundit që ne kemi bërë dhe kemi arritur në një mirëkuptim nga ana e delegacionit të UNOSEK-ut, i cili ka mirëkuptuar dhe ka parë seriozitetin e ofertës sonë, përderisa është sqaruar realisht qëndrimi jonë se Mitrovica është problem specifik, i cili në formulën një qytet dy komuna, është zgjidhje më e mirë, e cila përfshin themelimin e komunës në veri, nën parimin e qytetit të bashkuar dhe eliminon çdo mundësi që fshatrat shqiptare të kontrollohen nga pakicat serbe, përkundrazi është definuar që Suhodoll dhe vendbanimet shqiptare përreth pjesës veriore të qytetit të Mitrovicës, të administrohen nga qyteti, nga vetë Mitrovica, ku një përcaktim i tillë do të ndihmojë në të ardhmen që procesi të jetë më i lehtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë tjetër është diskutuar për Mitrovicën përveç propozimit të palës shqiptare, çfarë është ofruar nga ndërkombëtarët dhe nëse keni informacione çfarë është ofruar nga pala serbe?

LUTFI HAZIRI
Nuk kemi të bëjmë me ofertë. Ne qëndrojmë prapa këtij qëndrimi, i cili absolutisht nuk lejon në asnjë formë dizintegrimin e qytetit, apo legalizimin e gjendjes aktuale, përkundrazi, angazhimi jonë ka të bëjë me integrimin dhe kemi biseduar për territorin e komunave dhe mbi të gjitha kemi filluar në fazën e parë të diskutojmë kompetencat e bordit administrativ të Këshillit të Mitrovicës, i cili do të administrojë fazën kalimtare mbi qytetin e Mitrovicës, dy komuna aktualisht dhe i cili do të ndihmonte mbi vendosjen e ligjit, kthimin e sundimit të rendit dhe lirinë e lëvizjes së qarkullimit, që përfshin edhe kthimin e pronave në pjesën veriore, që shumica e shqiptarëve deri tani nuk kanë patur akses dhe po ashtu një pjesë e vogël e serbëve të Mitrovicës kanë akses për në pjesën jugore. Kjo është pjesë e bisedave që mundet të shkallëzojë me përcaktimin e qartë të kompetencave të bordit administrativ të Këshillit të Mitrovicës, i cili do të ketë një rol specifik në tërë këtë proces, për arsye të specifikave të vetë Mitrovicës.

RADIO EVROPA E LIRË
Edhe sa takime do të duhen për të përfunduar bisedimet për decentralizimin dhe a mund të thoni se nga takimet e deritanishme është arritur diçka konkrete?

LUTFI HAZIRI
Në takimin e mëngjesit me zotin Ahtisari, ai e ka konfirmuar para delegacionit të Kosovës se është e nevojshme të vazhdohet që gjatë procesit të diskutohen çështjet që janë me interes. Në datën 24 do të mbahet takimi i paralajmëruar i nivelit më të lartë të delegacioneve shtetërore për të diskutuar statusin dhe ne do të shohim se si do rrjedhë ky takim. Nuk pritet që do të ketë zhvillime shumë interesante në kuptimin e statusit, por ky takim do të jetë kritik lidhur me atë se si do të vazhdohet në të ardhmen të punohet në nivel të ekspertëve dhe të trajtimit të çështjeve jostatusore.

Intervistoi Ilirjana A. Bajo



XS
SM
MD
LG