Ndërlidhjet

logo-print

HAXHIU:"KOSOVËS I DUHET PRAGMATIZËM POLITIK"


Baton HAXHIU, analist politik



RADIO EVROPA E LIRË
Në takimet e fundit në Vjenë ndërmjet palës kosovare dhe asaj të Serbisë, nuk është arritur ndonjë marrëveshje e as afrim qëndrimesh. Cili është komenti juaj?

BATON HAXHIU
Ata që i njohin raportet e tendosura në mes të shqiptarëve dhe serbëve, në këtë rast të ngritura në nivel të dy etniteteve politike, pra të Kosovës dhe Serbisë, duhet ta kenë të njohur se është e pamundur që të arrihet një marrëveshje në mes të dy palëve që në imagjinatën e tyre ende e kanë atmosferën konfliktuoze, sidomos Serbia e cila realisht ka treguar një destruktivitet të vazhdueshëm që nga viti 1989 dhe nga i cili fatkeqësisht nuk është larguar për këto 16 vite. Unë nuk jamë i befasuar se nuk ka ndonjë marrëveshje dhe të gjitha takimet e dertashme kanë treguar se asgjë nuk mund të arrihet përveq imponimit të një marrëveshjeje nga bashkësisë ndërkombëtare. Këtë e ka treguar edhe Rambujeja. Këtë e kanë treguar edhe marrëveshjet e mëvonshme dhe realisht do ta kemi një "shatel-diplomaci" formale apo "diplomaci fluturuese" e cila e rrumbullakson këtë proces, që realisht nuk mund të përfundojë me një marrëveshje, apo të themi kështu, me një miqësi shqiptaro-serbe apo të Kosovës dhe Serbisë edhe për faktin e shumë problemeve, kujtesës, mosgadishmërisë dhe presionit politik i cili është brenda në Serbi që secila parti politike mund të dënohet nëse e pranon pavarsinë e Kosovës apo variantin që bashkësia ndërkombëtare tash po e influencon.

RADIO EVROPA E LIRË
Në procesin e decentralizimit, pala kosovare ofertës së mëparshme i ka shtuar edhe dy komuna të reja serbe. A konsideroni se ky është një numër i mjaftueshëm për t'u arritur një marrëveshje rreth decentralizimit?

BATON HAXHIU
Realisht, kur shikohen gjërat në momentin kur ndodhin, janë të rënda, janë të vështira, por ata që kanë pak nuhatje politike, këto problematika duhet t’i shikojnë në distancë kohore prej 10 ose 15 vjet më vonë. Me rëndësi është që të përfundohet procesi dhe normalisht që pala kosovare, meqenëse është duke luftuar për statusin e pavarësisë, duhet të bëjë lëshime më shumë. Këto komuna sa janë, tri, pesë ose gjashtë, që pritet të jenë, në një distancë kohore prej 10 vitesh nuk do të thonë asgjë. Këto enklava politike, realisht do të jenë pjesë e një sistemi të Kosovës, i cili ndryshe do të jetë pas 5 vitesh dhe më ndryshe pas 10 vitesh. Këto projekte nuk ndërtohen për 6 muaj ose 1 vit, se po të ndërtoheshin për 6 muaj, atëherë normalisht që shqiptarët e Kosovës do të duhej ta refuzonin. Por, këto projekte, nese shikohen në distancën kohore të së ardhmes, atëherë nuk ka nevojë që të frikësohemi, pikërisht për shkak të popullsisë, të asaj që quhet projekt politik i cili është në duart e shumicës dhe pikërisht për shkak të asaj që do të ndodhë pas 20 vitesh. Realisht, nuk na takon ne të vendosim vetëm për veten, por na takon që të vendosim edhe për gjeneratat tjera, të cilat do të jetojnë në një rehati ose në një projekt politik të rahatshëm dhe stabil.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Haxhiu, shumica e vlerësimeve nga pala kosovare, por edhe nga ndërkombëtarët, është se pala serbe kujdes më të madh i kushton çështjes së teritorit e më pak esencës së procesit të decentralizimit. Pse mendoni se ndodhë kjo?

BATON HAXHIU
E para është për konsum të brendshëm të partive politike, e dyta është kujtesa nacionaliste e një tipi të politikanit çfare është Koshtunica dhe e treta është se ata realisht dëshirojnë një siguri për serbët dhe në këtë mënyrë që të mos ketë një shpërngulje masovike për Serbi. Prandaj është ky insistim për territorin, që njërzve t’ju sigurojnë në këtë fazë së paku një siguri psikologjike. Prandaj thash që në fillim se nuk duhet të frikësohemi nga këto gjëra. Unë mendoj se nuk duhet të pranojmë atë që kërkon Serbia, larg asaj, por ne të jemi të afërt me bashkësinë ndërkombëtare, e cila realisht e rrumbullakson këtë proces. Në kuadër të statusit të pavarur ne mund të sjellim vendime edhe në të ardhmen. Por, na duhet një pragmatizëm i cili e finalizon këtë proces, i cili ka qenë i lodhshëm, i mundimshëm, ka ndalur zhvillimin ekonomik, ka ndalur procese dhe realisht e ka lënë Kosovën shumë prapa rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përfaqësuesit kosovarë kanë deklaruar se qëndrimet e tyre dhe të bashkësisë ndërkombëtare rreth trashëgimisë kulturore janë shumë të afërta, por sipas palës serbe, oferta e palës kosovare është e pamjaftueshme. Sa është real krijimi i zonave mbrojtëse rreth objekteve kishtare dhe sa mund të jenë ato zona pengesë për pronarët e pasurive që ato të mund t’i shfrytëzojnë normalisht?

BATON HAXHIU
Realisht, pronat e tyre do të jenë prona të tyre, sepse prona është e shenjtë dhe nuk mund t’ua merr askush. Por, ekziston një kërkesë e bashkësisë ndërkombëtare që në ato prona nuk mund të ndërtohen hotele dhe objekte të mëdha, të cilat realisht e prishin në njëfarë mënyre atë imazhin religjioz që e kanë kishat. Nëse është ashtu, unë them se këto projekte ndërkohë mund të përmirësohen, mund të krjohen kushte dhe mund të shkruhen dokumente të reja. Në këtë moment, duhet “ti kafshojmë dhëmbët” për hirë të pavarsisë. Nuk kemi kohë të mendojmë vetëm për këtë 6 muajsh. Ne duhet të mendojmë për të ardhmen. Në 10 vjet, do të jetë krejt ndryshe nga kjo që po themi ne. Këto gjëra do të jenë banale, pas 5 vitesh apo 10 viteve, do të qeshim me to, por për momentin duken që janë serioze. Por njerëzit të cilët seriozisht mendojnë për gjeneratat e ardhshme, mendojnë se çfarë do të jetë për 5 vite ose 10 vite dhe jo të funksionojnë ad-hoc, vetëm në të ushqyerit me hamburger. Me gjasë këtu janë gjërat që duhet trajtuar me delikatesë.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe në fund, zoti Haxhiu, si e komentoni hezitimin e kryeministrit të Serbisë, Voislav Koshtunica për të marrë pjesë në takimin e nivelit më të lartë më 24 korrik në Vjenë dhe çka mund të pritet realisht nga ky takim?

BATON HAXHIU
Ai lufton për të qenë kryeministër dhe natyrisht që ai mendon që duke refuzuar të takohet me shqiptarët dhe duke refuzuar të bëjë kompromise të jetë kryeministër i Serbisë dhe të bëjë vota. Konsideroj që është maliciozitet, një njeri i paguximshëm, një njeri i cili e din që e ka humbur Kosovën, por këtë “dhuratë” dëshiron t’ia lë dikuj tjetër, do të thotë në këtë rast Tadiqit dhe jo ta merr përsipër vetë. Unë mendoj që njëriu i Serbisë ose politikani i Serbisë që është i guximshëm dhe thotë që pavarsia e Kosovës do të jetë pjesë e politikës së Serbisë ose të jetë deklarativisht pjësë e një politike të Serbisë, do të jetë edhe fitues i ardhshëm i zgjedhjeve në Serbi. Ai që refuzon dhe heziton ta bëj këtë, unë mendoj se do të jetë humbës. Mendoj se Koshtunica do të jetë humbës i së ardhmes. Mendoj që, ata që e dinë se çfarë është problemi i Kosovës, e dinë që këtë problem e zgjidh vetëm bashkësia ndërkombëtare. Prej ’90-tës e deri më tash ky projekt ka qenë i bashkësisë ndërkombëtare, nuk ka qenë as i joni as i serbëve. Ne kemi pasë mundësi dhe takime për të zgjidhur problemin. S'kemi qenë asnjëherë të gatshëm, prandaj as tash nuk do të jemi. Do të thotë, ky proces duhet të përfundoj ashtu si ka filluar. Është proces i bashkësisë ndërkombëtare, është proces të cilin nuk e kanë ndërtuar as kosovarët as serbët, të dy palët kanë kontribuar që procesi të merr përmasa të konfliktit, të luftës psikologjike, të luftës së njëmendët dhe shumë gjera tjera. Këto gjenerata, kanë jetuar me këtë kujtesë, presion, me këtë gjenocid dhe me këto sulme, me këto vrasje dhe nuk janë të gatshëm ta zgjedhin problemin. Duhet ta dimë se miqtë në mes veti nuk bisedojnë për arsye se apriori e kanë marrëveshjen e kryer. Kjo është megjithatë bisedë në mes dy armiqësive, jo armiqëve, por armiqësive të trashëguara. Meqenëse është bisedë në mes dy armiqësive, atëherë natyrisht duhet një palë e tretë e cila e bjen vendimin. Dy armiqësi, asnjëherë nuk e binë vendimin vetë.

Intervistoi: Bekim BISLIMI
XS
SM
MD
LG