Ndërlidhjet

BUGAJSKI:"KOSOVA - PAVARËSI E MBIKQYRUR, JO E KUSHTËZUAR"


Janusz BUGAJSKI, Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare /Uashington/

RADIO EVROPA E LIRË
Gjatë kësaj jave kishim edhe një rund të bisedimeve ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë për decentralizim dhe trashëgiminë kulturore. Por, duket se dallimet e mëdha ndërmjet të dy palëve mbesin. Si i komentoni ju këto zhvillime?

JANUSZ BUGAJSKI
Është vështirë të arrihen kompromise kur njëra pale, pala shqiptare e Kosovës, dëshiron ta mbajë një shtet të integruar dhe pala serbe, negociatorët serbë, dëshirojnë dhe përpiqen ta ndajnë Kosovën sa më shumë që të jetë e mundur. Do të thoja, se nëse deri në një masë, plani i tyre do të pranohej, do ta bënte shumë të vështirë qeverisjen në Kosovë lidhur me numrin e komunave dhe me lidhshmërinë që ato dëshirojnë ta kenë me Serbinë. Prandaj, mendoj se pozicioni që duhet të miratohet është ai që është shumë më i ngjashëm me atë të pales shqiptare, në mënyrë që vendi të mund të qeverisej me një qeveri të fuqishme qendrore, por me një shkallë të caktuar të decentralizimit. Mendoj se bashkësia ndërkombëtare duhet të paraqitet me zgjidhjen më të mirë, nga ato që gjenden në tavolinë.

RADIO EVROPA E LIRË
Së shpejti ne do të kemi takimin e nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë. Sipas jush a do të arrihet ndonjë rezultat në këtë takim?

JANUSZ BUGAJSKI
I vetmi rezultat që do të arrihet është se ata do të takohen dhe shpresojmë se do të ulen përballë njëri tjetrit e jo në dhoma të veçanta, siç ka ndodhur në disa negociata të tjera. Mendoj se nuk do të ketë një kthesë të madhe, por është një rast për të dy palët që t'i paraqesin qëndrimet e tyre dhe është rast për ndërkombëtarët që përfundimisht të kuptojnë se nuk ka kompromis ndërmjet pavarësisë dhe jo-pavarësisë. Pozicioni serb mendoj se do të jetë i paqëndrueshëm, veçanërisht nëse do të vazhdoj implementimi i standardeve, që i ka përcaktuar bashkësia ndërkombëtare, pastaj miratimi i tyre në formë të ligjeve, e të tjera. Mendoj se me të afruar të shtatorit e vetmja mundësi për Serbinë do të jetë që të bëjë disa kompromise, por përfundimisht nuk e shohë këtë takim të veçantë si kthesë madhore. Mendoj se do të jetë një rast për të dy palët për të paraqitur qëndrimet e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Para disa ditësh, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan tha se "ne nuk jemi në atë shkallë për të imponuar zgjidhjen për Kosovën". Nga ana tjetër, siç thatë edhe ju, duket se do të jetë shumë vështirë të pritet që të dy palët palët të arrijnë ndonjë lloj të marrëveshjes. Pra, çka mendoni kush dhe si do të vendosë për statusin e Kosovës?

JANUSZ BUGAJSKI
Pëfundimisht do të vendoset nga bashkësia ndërkombëtare. Ndërkombëtarët, institucionet kryesore, Shtetet e Bashkuara, NATO-ja, Bashkimi Evropian janë të pranishme në terren, pastaj Grupi i Kontaktit, Këshilli i Sigurimit i Kombve të Bashkuara, pra të gjitha këto kanë për të luajtur një rol në këtë çështje. Por, unë mendoj se ajo që do të ndodhë është se ne duhet t'i shikojmë alternativat: nëse Kosova nuk bëhet e pavarur, niveli i jostabilitetit mendoj se do të jetë shumë më i madh se nëse ajo bëhet e pavarur. Nëse bëhet e pavarur, ndërkombëtarët duhet të sigurohen se do të mbizotëroj stabiliteti, reformat demokratike do të vazhdojnë dhe se nuk ka ndodhur precedence në rajon ose pretekst në rajon për njësitë e tjera. Mendoj se është e rëndësishme për ndërkombëtarët që të demonstrojnë përkushtimin e tyre për një shtet demokratik, që do të jetë stabil në rajon.

RADIO EVROPA E LIRË
A do ta shohim vendimin për statusin final të Kosovës deri në fund të këtij viti?

JANUSZ BUGAJSKI
Unë pres që vendimi të merret deri në fund të vitit ose së paku të krijohet një afat kohor për statusin final…me fjalë të tjera, për pavarësi. Dhe nuk do të jetë pavarësi e kushtëzuar aq sa do të jetë pavarësi e mbikqyrur. Me fjalë të tjera, disa elemente të qeverisë së Kosovës, siç është siguria e të tjera, do të vazhdojnë të monitorohen dhe në një mënyrë të mbikqyren nga bashkësia ndërkombëtare, por do të jetë e qartë se destinacioni final do të jetë pavarësia e plotë. Unë pres që ky vendim të merret në fund të vitit.
Intervistoi: Fatmir BUJUPI
XS
SM
MD
LG