Ndërlidhjet

PRESIDENTI SEJDIU KRYESON DELEGACIONIN KOSOVAR MË 24 KORRIK


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Kosova do të përfaqësohet në takimin e 24 korrikut në Vjenë me nivelin e saj më të lartë të mundshëm. Delegacioni i Kosovës në Vjenë do të udhëhiqet nga vetë presidenti Fatmir Sejdiu, dhe do të përbëhet nga bartësit e institucioneve më të larta dhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare, që të gjithë anëtarë të ekipit negociues të Kosovës.

Kështu është vendosur sot në një mbledhje të gjatë të ekipit negociues të Kosovës. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se ekipi i unitetit e ka shqyrtuar sot ftesën e të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari dhe unanimisht ka vendosur për të shkuar në këtë takim të nivelit të lartë, ku do të jenë edhe përfaqësuesit e Serbisë dhe ata të bashkësisë ndërkombëtare:

"Është një qëndrim unanim i të gjithë pjesëtarëve të delegacionit të Kosovës dhe mund të them se ne kemi një mandat të dhënë nga Kuvendi i Kosovës që do ta plotësojmë në tërësi në këtë fazë të zhvillimeve, që është pavarësia e Kosovës dhe përpjekja jonë që ta bëjmë Kosovën shtet sa më parë," tha presidenti Sejdiu.
Sipas tij ky është mandati kryesor i delegacionit dhe nga kjo nuk ka asnjë lëvizje, pasi në Vjenë nuk po negociohet pavarësia, por po shkohet për ta përshpejtuar atë.

Përfaqësues të zyrës së Ahtisarit kanë vërtetuar ditë më parë se pika e vetme e rendit të ditës në këtë takim do të jetë statusi i Kosovës, me ç’rast përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë, për herë të parë përballë njëri-tjetrit me ndërmjetësim ndërkombëtar, do të paraqesin qëndrimet e tyre për statusin e Kosovës.

Duke e vlerësuar këtë takim për rëndësinë e tij, delegacioni i Kosovës ka vendosur për një përfaqësim të nivelit më të lartë të mundshëm:
"Në Vjenë do të shkojnë Fatmir Sejdiu, Kolë Berisha, Agim Çeku, Veton Surroi. Delegacionit të Kosovës do t’i bashkohen Lutfi Haziri, Ylber Hysa, Jakup Krasniqi, Skënder Hyseni, Blerim Shala, Sadik Idriz, Enver Hoxhaj, Ardian Gjini, Hajredin Kuçi, Muhamet Hamiti," tha presidenti Sejdiu, duke njoftuar se vetë ai, si president i Kosovës, do të jetë udhëheqës i delegacionit.

Fatmir Sejdiu tha se ndihej mirë që do ta udhëhiqte delegacionin në këtë fazë të procesit, meqë mbronte një mandat të fuqishëm të popullit, siç u shpreh ai:
"Ndihem mirë, pasi kam mandat shumë të fortë dhe të fuqishëm të popullit të Kosovës dhe jemi i gjithë ekipi dhe e kemi mandatin për ta bërë pavarësinë e Kosovës", tha presidenti Sejdiu.

Delegacioni i Kosovës pritet të niset për Vjenë të dielën, në mënyrë që të hënën të hyhet në fazën e re të përcaktimit të statusit të Kosovës, atë të bisedimeve për çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me statusin. Ndërkohë, që nga muaji shkurt ka pasur tetë raunde bisedimesh ndërmjet delegacioneve të Kosoëvs dhe Serbisë për çështje teknike, që kanë të bëjnë kryesisht me pozitën e pakicave.

XS
SM
MD
LG