Ndërlidhjet

KOLË BERISHA VLERËSON SI TË SUKSESSHME PUNËN E KUVENDIT


Albana Isufi, Prishtinë

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kolë Berisha, periudhën e pushimeve të gushtit ka thënë se do ta presë i kënaqur, pasi sipas tij janë përmbushur objektivat e premtuara ditën kur kishte marrë postin e kryetarit të Kuvendit.

Berisha ndër të arriturat e Kuvendit, të përmbledhura në një raport 6 faqesh, përmend përmirësimin e trajtimit të deputetit, shtimin e efikasitetit në miratimin e ligjeve, si dhe refomimin e punës së Kuvendit.

“Nëse keni vërejtur me kujdes vetëm në dy seancat e fundit plenare, në kohën e pyetjeve – përgjigjeve janë shtruar pyetje dhe përgjigje më shumë se gjatë pesë viteve të kaluara. Kjo është një cilësi e re në punën e parlamentit, që e ka sjellë reforma”, tha zoti Berisha.

Kryeparlamentari Berisha, i cili në këtë post zëvendëson Nexhat Dacin, thotë se në 4 mujorin e parë të punës së tij, opozitës i është dhënë më shumë hapësirë për të shpalosur qëndrimet:

“Opozita ka shansin të thotë fjalën e vet për çdo gjë, ndërsa ministrat nuk kanë pse të frikësohen nga kjo, nëse kanë përgjigje të mira, të forta, nderojnë vetveten, qeverinë, partinë e vet dhe shtojnë kredibilitetin e tyre. Nëse nuk kanë përgjigje, le të kuptojnë, se nuk janë në nivelin e përgjegjësisë”, thotë Berisha.

Kryeparlamentari përmend miratimin e 14 ligjeve, nga të cilat vetëm një është nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut, si një të arritur tjetër. Megjithatë, ende nuk janë miratuar të gjitha ligjet e kërkuara nga Grupi i Kontaktit.

“Ligji për liritë fetare është miratuar në seancën e fundit, pra është çështje e kryer. Ligji për përdorimin e gjuhëve, po ashtu është draft i përfunduar dhe do të jetë para deputetëve për miratim më 27 korrik. Edhe ligji për trashëgiminë kulturore është përfunduar dhe do të jetë në lexim të parë në seancën e radhës”, tha zoti Berisha.

Kryeparlamentari Berisha ka thënë se kabineti i tij ka arritur që të racionalizojë shpenzimet pa u dëmtuar efikasiteti i punës. Këshilltari i tij ekonomik, But Dedaj, shpjegon dallimet:

“Vija buxhetore e shpenzimit të përfaqësimit, paratë e imta dhe paradhëniet për udhëtime zyrtare, janë tre vijat buxhetore, që në 6 mujorin e vitit të kaluar e kanë pasur vlerën prej 114 mijë eurosh, ndërsa po të njëjtat për këtë vit janë 70 mijë euro, pra dallimi është 40 mijë euro”.

Por, ngjashëm si paraardhësi i tij, kryeparlamentari Berisha nuk ka arritur që t’i bindë deputetët serbë që të kthehen në Kuvend. Megjithatë, ai thotë se kjo është çështje politike, mbi të cilën nuk ka pasur mundësi të ndikojë.

XS
SM
MD
LG