Ndërlidhjet

XHIANG: NUK PRESIM NDONJË MARRËVESHJE MES PALËVE PAS TAKIMIT TË 24 KORRIKUT


Në zyrën e kryenegociatorit Marti Ahtisari gjithçka është gati për takimin e së hënës në Vjenë mes përfaqësuesve më të lartë të Kosovës dhe Serbisë.
Ky takim do shënojë dhe hapjen e bisedimeve për statusin, pasi bisedimet e deritashme kanë qenë të fokusuara në çështjet teknike.
Megjithatë, në prag të takimit nga zyra e Ahtisarit në Vjenë mesazhet janë të përmbajtuara lidhur me suksesin e mundshëm, dhe nuk besojnë se takimi i të hënës do përfundojë me rezultate konkrete.
"Nuk presim që të arrihet një zgjidhje apo që palët të bien dakord në fund të takimit. Por ato do kenë mundësi t'i tregojnë njëra tjetrës në sy se çfarë mendojnë për të ardhmen e Kosovës", thotë për radion Evropa e Lirë, Hua Xhiang, zëdhënëse e kryenegociatorit. E ndonëese nuk priten rezultate konkrete sipas të njëjtave burime ky takim është plotësisht në funksion të qëllimit për të cilin po organizohet:
"Qëllimi kryesor i takimit është që të dyja palët të paraqesin qëndrimet e tyre për statusin e Kosovës. Të dyja palët do kenë mundësinë të tregojnë se çfarë kanë në mend për të ardhmen e Kosovës dhe se si do duket ajo sipas tyre. Nuk është puna që njëra palë do thotë duam pavarësinë e plotë dhe tjetra do thotë autonomi, por çfarë përmbajnë konkretisht këto koncepte në këndvështrimin e tyre", sqaron Xhiang, sipas së cilës një takim i kësaj natyre ka qenë dhe dëshirë e palëve.
"Ne e kemi kërkuar këtë takim për shkak të dëshirës së të dyja palëve që të fillojnë bisedimet e drejtpërdrejta për statusin. Ndaj po e organizojmë takimin që ka qenë dëshirë e të dyja palëve", pohon Xhiang.
Më tej ajo shton se të hënën palët do takohen drejtpërdrejt dhe bisedimet nuk do jenë të zhvilluara si ato të fundit për decentralizimin, ku palët u takuan vetëm në një seancë plenare që zgjati për pak minuta.
"Të gjitha palët do të ulen në të njëjtën sallë dhe do kenë mundëisnë e diskutimit ballë për ballë", sqaron Xhiang.
Por takimit të së hënës i paraprin takimi i nesërm i Grupit të Kontaktit. Takimi do të mbahet në Vjenë dhe në një nga seancat do të flasë dhe kryenegociatori Ahtisari. Por zyra e këtij të fundit nuk komenton rreth faktit nëse nga përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit nesër do të marrë porosi konkrete për takimin e së hënës.


Përgatiti: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG