Ndërlidhjet

WHYTE: NUK PRITET MARRËVESHJE NGA TAKIMI I SOTËM


Nicholas Whyte, shef për Ballkanin pranë GNK-së

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Whyte çfarë rëndësie ka takimi i sotëm në Vjenë mes përfaqësuesve më të lartë të Kosovës e Serbisë për statusin dhe përse?

NICHOLAS WHYTE
Është shumë e rëndësishme të kësh një dialog të drejtpërdrejtë për çështjen më kyçe në procesin e negociatave atë të statusit. Është e themelore që të dyja palët të kenë mundësi në mënyrë të drejtpërdrejtë të paraqesin argumentat dhe të dëgjojnë se çfarë ka për të thënë ana tjetër. Gjithmonë në çështje të tilla ka një mungesë të theksuar dialogu.
Por megjithatë nuk besoj se dikush pret që të ketë një marrëveshje në fund të takimit të sotëm. Ky takim duhet parë si pjesë e zhvillimeve më të gjera në të cilat bashkësia ndërkombëtare po përpiqet t'i japë zgjidhje këtij problemi.

RADIO EVROPA E LIRË
Ashtu siç e thatë dhe ju, madje është pranuar dhe nga zyra e kryenegociatorit Ahtisari, se nuk pritet ndonjë marrëveshje pas këtij takimi. Atëherë a është i nevojshëm një takim për hir të takimit?

NICHOLAS WHYTE
Dialogu asnjëherë nuk është diçka e dëmshme. Duhet të kemi parasysh se nuk ka pasur takim të një niveli të tillë të lartë të udhëheqjeve të Kosovës e Serbisë që nga koha e Millosheviçit, kur u diskutua për problemet e arsimit.
Nga kjo pikëpamje është e rëndësishme organizimi i një takimi të tillë. Ne të gjithë e pranojmë faktin se për këtë proces vendimet merren tjetërkund, por është themelore që të sigurojmë se zëri i të gjithëve është dëgjuar në procesin nw fjalë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat do jenë hapat e mëtejshme pas takimit të sotëm? A do ketë takime të tjera të këtij niveli?

NICHOLAS WHYTE
Kjo do varet nga dinamika e takimit të sotëm. Nëse bëhet e qartë sot se njëra palë apo tjetra thjesht nuk është e interesuar të dëgjojë bashkëbiseduesin atëherë mendoj se nuk do shohim ndonjë gatishmëri të bashkësisë ndërkombëtare për të organizuar takime të tjera të kësaj natyre. Por duhet të presim, asnjëherë nuk i dihet.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë hapat e bashkëissë ndërkombëtare pas takimit të sotëm lidhur me statusin?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se do të ketë një periudhe pushimi që do shërbejë si kohë reflektimi dhe në shtator do kemi fazën e dytë. Besoj se atëherë zoti Ahtisari do paraqesë dhe raportin e tij para Këshillit të Sigurimit ku do bëjë një numër rekomandimesh se si duhet shkuar përpara. Por mendoj se shumçka do varet nga ajo se si do ecë takimi i sotëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Grupi Ndërkomëbtar i Krizave ka tërhequr vëmendjen kohë më parë se bashkësia ndërkombëtare duhet të përgatitet për një zgjidhje të imponuar. Kjo është hedhur poshtë në mënyrë kategorike nga Serbia. Si e shihni një mundësi të tillë?

NICHOLAS WHYTE
Këtu ka një llogjikë dhe ajo lidhet me atë se arsyeja pse duhet të kemi një zgjidhje të imponuar ka të bëjë me faktin se palët nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje.
Për fat të keq nuk ka gjasa që Serbia të pajtohet me një zgjidhje të arsyeshme. Në këto kushte bashkësia ndërkomëbtare duhet ta gjejë zgjidhjen në mënyrë tjetër e kjo nuk është befasi.

RADIO EVROPA E LIRË
E krejt në fund a do mund ta kemi zgjidhjen e statusit të Kosovës brenda këtij viti?

NICHOLAS WHYTE
Mendoj se është e mundur, nuk duket si diçka e parealizueshme. Ndoshta mund të marrë dhe muajt e parë të vitit tjetër, por sipas të gjitha gjasave do jetë këtë vit.

Intervistoi: Ilirjana A. Bajo
XS
SM
MD
LG