Ndërlidhjet

VJENË


Përfaqësuesit më të lartë të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e kryenegociatorit për statusin e Kosovës, Marti Ahtisari po takohen në Vjenë. Takimi, që filloi rreth orës 10:00, për herë të parë që nga fillimi i negociatave ka vënë përballë dy delegacionet dhe qëndrimet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Dy delegacionet i kanë mirëpritur kancelari austriak, Volfgang Shysel, ministrja e jashtme, Ursula Plashnik dhe kryenegociatori Ahtisari. Plashnik i ka bërë dje thirrje dy delegacioneve që të jenë konstruktivë në bisedimet e sotme. Fillimisht ka folur kancelari austriak dhe më pas kanë paraqitur qëndrimet e tyre presidenti e kryeministri serb, përkatësisht Tadiç e Koshtunica. Në fjalën e tij Koshtunica u ka ofruar shqiptarëve të Kosovës autonomi substanciale dhe i ka ftuar ata që ta pranojnë atë. Ashtu siç është pritur Koshtunica e ka kundërshtuar fuqishëm pavarësinë e Kosovës."Është mirë që në këtë tryezë të dëgjohet qartë se Serbia nuk do të pranojë që të jepë 15% të territorit të saj në mënyrë që aty të krijohet një shtet i ri" ka thënë Koshtunica.
Pas tyre kanë folur përfaqësuesit e Kosovës, përkatësisht presidenti Sejdiu dhe kryeministri Çeku. Kryetari Sejdiu ka kërkuar që procesi i statusit të Kosovës të përfundojë brenda këtij viti me pavarësinë. " Pavarësia është alfa dhe omega, fillimi dhe mbarimi i qëndrimit tonë" ka thënë presidenti Sejdiu.
Raundi i dytë i bisedimeve ka filluar rreth orës 14:30 ndërsa pasdite vonë pritet që organizatorët të mbajnë një konferencë për shtyp me pjesmarrësit e takimit.
XS
SM
MD
LG