Ndërlidhjet

logo-print

IVANOVIQ: REZULTATI I BISEDIMEVE ËSHTË SE NUK KA REZULTAT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Takimi i djeshëm i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vetëm sa ka rikofirmuar qëndrimet e largëta të Kosovës dhe Serbisë lidhur me të ardhmen e Kosovës dhe nëse vazhdohet kështu, atëherë zgjidhja e imponuar është e pashmangshme, vlerësojnë analistë dhe politikanë në Prishtinë.

Lulzim Peci, analist politik tha se takimi i djeshëm nuk kishte dallim nga takimi i mëparshëm që është mbajtur dy vjet më parë ndërmjet presidentit tashmë të ndjerë Ibrahim Rugova dhe udhëheqësve të Serbisë, domethënë ka qenë vetëm një rikonfirmim i qëndrimeve diametralisht të kundërta, tha Peci:

"Mirëpo, tash ky takim ndodh në një momentum tjetër-në momentin kur po bisedohet për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe ky takim shënon hapin e parë dreje negociatave shumë serioze për përfundimin e këtij procesi".

Ndërkaq, lideri i Listës Serbe për Kosovën e Metohinë, Oliver Ivanoviq mendon se në takimin në Vjenë, pala serbe e ka argumentuar ofertën për autonomi të gjerë me konventat dhe ligjet ndërkombëtare, ndërsa pala kosovare sipas tij nuk ka ofruar asgjë më shumë se argumentet romantike të tipit shqiptarët nuk mund të pranojnë asgjë më pak se pavarësia:

"Mendoj se delegacioni i Kosovës tani në masë të madhe është i ngarkuar me faktin se nuk di se si t’ia shpjegojë popullit situatën nëse pavarësia nuk do të jetë rezultati i bisedimeve," tha Ivanoviq, sipas të cilit nëse nuk do të ketë përparim në këto bisedime, atëherë Grupit të Kontaktit do t’i duhet të fillojë nismën e tij.

Për zotin Lulzim Peci, zgjidhja më realiste është ajo që do të imponohet nga bashkësia ndërkombëtare:
"Zgjidhja me marrëveshje do të kishte qenë e dëshirueshme pasi do të sillte më shumë stabilitet për të dyja palët, mirëpo realiteti tregon që zgjidhja e imponuar do të jetë shumë më tepër realistike sesa zgjidhja e arritur përmes bisedimeve".

Mirëpo, Oliver Ivanoviq mendon se do të ketë edhe një fazë tjetër kalimtare:
"Rezultati i bisedimeve është se nuk ka rezultat. Grupi i Kontaktit do ta kuptojë se nuk mund të imponojë zgjidhje e pastaj do të vendoset për një zgjidhje kalimtare e cila do të zgjasë disa vjet," tha Ivanoviq, sipas të cilit kjo fazë mund të zgjasë deri në integrimin e plotë të të gjithë Ballkanit në Bashkimin Evropian.

Në anën tjetër, analisti Lulzim Peci mendon se dinamika e negociatave në Vjenë nuk është përcaktuese për shpejtësinë e zgjidhjes së statusit:

"Procesi nuk do të varet vetëm nga dinamika e negociatave në Vjenë, por edhe nga rrjedhat e brendshme politike në Kosovë dhe në Serbi, e ndoshta shumë më tepër në Serbi. Nëse ata do të marrin vendim për mbajtjen e zgjedhjeve në shtator do të ketë ngecje të procesit për dy tre muaj".

Sidoqoftë, analistët dhe politikanët në Prishtinë pajtohen se askush nuk ka pritur më shumë nga takimi i parë i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërsa imponimi i zgjidhjes shihet si opsioni më i mundshëm.

XS
SM
MD
LG