Ndërlidhjet

SOLSTROM: MISIONI I BE-SË NDRYSHE NGA AI I UNMIK-UT


Torbjorn Solstrom, i dërguar special i BE-së për misionin në Kosovë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Solstrom, Bashkimi Evropian do të marrë përgjegjësinë për drejtësinë dhe policinë në Kosovën e pas statusit. A i kanë përcaktuar qartë ekspertët e Bashkimit Evropian, të cilët kanë qëndruar në Kosovë, fushat dhe kompetencat e këtij misoni të ri të BE-së?

TORBJORN SOLSTROM
Siç thatë, Bashkimi Evropian ka paraqitur gatishmërinë për t’u angazhuar në fushën e policisë dhe drejtësisë përmes misionit të Bashkimit Evropian, pasi UNMIK-u ta lërë Kosovën. Në Kosovë po qëndron prej disa javësh një mison i planifikimit i përbërë nga ekspertë, të cilët kanë filluar që të shikojnë se cilat janë sfidat.
Por, mendoj se tani mund të thuhet se kemi parë se është bërë mjaft progres, sidomos në fushën e policisë.
Por, nëse Kosova dëshiron që të ketë sistem solid të sundimit të ligjit, një sistem që përmbush standardet evropiane dhe i mundëson Kosovës, që të bëjë progres drejt integrimit në BE, atëhere ende ka shumë për t’u bërë.
Ne besojmë se do mund të ndihmojmë në reformimin e strukturave, të ndihmojmë në ndërtimin e sistemit në fushën e drejtësisë apo policisë, të ofrojmë pajisje, përvoja se si punohet në vendet e BE-së. Pastaj ne besojmë se si pjesë e marrëveshjes për statusin përfundimtar, do të ketë rol të vazhdueshëm, një rol më aktiv në monitorimin e kapaciteteve ose në disa fusha shumë të kufizuara të kapaciteteve ekzekutive, si prokurorët e gjykatësit ndërkombëtarë, të cilët do merren me një fushë të kufizuar të veprave të rënda kriminale, ndoshta të atyre që janë të ndërlidhura me aspektin ndërtnik.
Madje edhe nëse nuk e dimë se çfarë do jetë procesi i statusit, që do përcaktohet nga zoti Ahtisari, ne duhet të planifikojmë për atë, që të jemi të gatshëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e fundit rreth misionit ndërkombëtar në Kosovën e pas statusit nga ana e zotit Solana dhe zotit Rehn është përmendur mundësia e ndërhyrjes në fushën e ekzekutivit. Çfarë nënkuptohet saktësisht me këtë?

TORBJORN SOLSTROM
Kur flasim për fuqinë e ndërhyrjes, mendojmë se do të ekzistojë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe policisë. Po ashtu do jetë edhe në disa aspekte themelore të mbrojtjes së minoriteteve. Kjo është në të vërtetë ajo që është sugjeruar edhe nga delegacioni kosovar në Vjenë.
Por, ne nuk e dimë saktësisht se cilat do të jenë këto fusha, përderisa nuk do ta kemi marrëveshjen për statusin në duart tona. Por, ajo që të paktën për mua është e qartë, është se nëse do ketë një funksion të tillë të ndërhyrjes, ajo do të jetë në fusha të kufizuara dhe për një periudhë të shkurtër kohore, kështu që marrëdhëniet mes kosovarëve dhe bashkësisë ndërkombëtare do të jenë ndryshe nga përvoja e 7 viteve të kaluara me UNMIK-un.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të ketë përfaqësuesi i ardhshëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, të njëjtin pushtet, siç e ka përfaqësuesi i lartë në Bosnje?

TORBJORN SOLSTROM
Nuk jam në pozicion të them se çka do të shkruajë zoti Ahtisari në marrëveshjen përfundimtare për statusin. Por, mund t’ju flas për supozimet e mia.
Mendoj se nuk do të jetë si në Bosnje, pasi situata në Kosovë është tjetër nga situata atje. Mendoj se nëse krahasohet me Bosnjen, fushat në të cilat bashkësia ndërkombëtare mund të ketë fuqi ndërhyrjeje do të jenë shumë më të kufizuara sesa janë në Bosnje. Në Bosnje përfaqësuesi i lartë mund të ndërhyjë në çdo kohë; të miratojë ligje, të marrë vendime, të shkarkojë zyrtarë.
Unë nuk shoh një fuqi të tillë ndërhyrjeje të komunitetit ndërkombëtar pas statusit në Kosovë. Mendoj se situata nuk e kërkon këtë dhe mendoj se kjo nuk do të ishte mirë për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Në raportin e zotit Solana janë përmendur disa lloje sanksionesh, po qe se kosovarët nuk e zbatojnë marrëveshjen për statusin. A mund t’i shpjegoni më tepër këto sanksione?

TORBJORN SOLSTROM
Sërish, kjo duhet të përcaktohet në marrëveshjen për statusin dhe nuk do të ishte serioze, që të spekuloj rreth kësaj pasi kjo do të diskutohet nga palët në Vjenë, si pjesë e procesit të statusit.
Por, është e qartë, se çdokush supozon, sikurse edhe ekipi për statusin, se duhet të jetë njëfarë roli i bashkësisë ndërkombëtare, që të monitorojë zbatimin e marrëveshjes.
Unë besoj se në të gjitha rastet, zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë pjesë e agjendës për integrime evropiane për Kosovën e pas statusit. Do të jetë një periudhë e gjatë e zbatimit, sepse nëse vendoset diçka p.sh. për decentralizimin, ose mbrojtjen e pakicave ajo duhet të zbatohet një për një, pas vendimit për statusin, madje edhe atëherë kur politikanët, që e nënshkruajnë marrëveshjen për statusin, do të zëvendësohen nga të tjerët.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Solstrom, sa do të ndihmojë apo sa do ta lehtësojë integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, mision i ardhshëm i BE-së në Kosovë?

TORBJORN SOLSTROM
Po, kjo edhe është ambicja e Bashkimit Evropian. Qëllimi strategjik që ne e duam është që Kosova të përmbushë kriteret e BE-së për t’u anëtarësuar në union. Pra, ju përket juve të vendosni nëse dëshironi ose jo t’i bashkoheni BE-së. Por, ne duam që ju ta arrini atë standard, kur mund të vendosni vetë nëse doni t’i bashkoheni unionit. Secilën gjë që po e bëjmë, qoftë ndihma në strukturimin e reformave, madje edhe për përgjegjësinë në fushën e policisë dhe drejtësisë, do të jetë mjet për të ndihmuar Kosovën që të arrijë atë cak. Kështu që nuk duhet të bëhemi nervozë me njëri-tjetrin, sepse në fund të fundit i kemi saktësisht ambicjet e njëjta.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Solstrom, meqënëse përmendët problemet që ka Kosova me institucionet e reja, me progresin e vogël në fushën e sundimit të ligjit, atëhere sa kohë do t’i duhet Kosovës që ta arrijë cakun- integrimin në Bashkimin Evropian?

TORBJORN SOLSTROM
Kosova duhet t’ia bëjë këtë pyetje vetvetes. Kjo nuk do t’i përkasë BE-së, por asaj se sa Kosova vendos të ecë shpejt në këtë proces.
Ka shtete që kanë marrë vendim strategjik për të vepruar shpejt. Në këto raste procesi ka ecur shpejt. Kemi parë ta kenë bërë këtë Kroacia, Sllovenia. Maqedonia po ndërmerr disa hapa në drejtimin e duhur.
Nëse Kosova merr këtë vendim strategjik dhe punon shumë, më shumë sesa sot, sepse dinamika e tashme nuk mjafton, atëhere edhe Kosova mund të lëvizë relativisht shpejt. Nëse ndodh e kundërta, ky proces do të marrë shumë kohë. Për ne është vështirë të vlerësohet koha, por kisha dashur të citoj ish-komisionerin për marrëdhënie të jashtme zotin Patten, i cili thoshte se "shpresa jonë është që këta fëmijë, që shkojnë tash në shkollë, të diplomohen si qytetarët e Bashkimit Evropian të zgjeruar".

Intervistoi Albana Isufi

XS
SM
MD
LG