Ndërlidhjet

SERBËT E SHQIPTARËT ME QËNDRIME TË NDRYSHME RRETH GJENDJES NË VERI TË KOSOVËS


Albana Isufi, Prishtinë Situata në veriun e Kosovës është kthyer sërish në agjendën e bisedimeve të përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë. Ndërkohë, që mes shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës edhe më tej ekzistojnë qëndrime diametralisht të kundërta rreth zgjidhjes së problemit të qytetit të ndarë.

Gjendja aktuale në veriun e Kosovës, ku përfaqësues të tre komunave veriore kanë shkëputur lidhjet me institucionet e Kosovës, ka filluar sërish të jetë në agjendë të bisedimeve nga zyrtarë të lartë ndërkombëtarë.

Grupi i Kontaktit, në deklaratën e hartuar menjëherë pas takimit të 24 korrikut mes Prishtinës dhe Beogradit, ka ngritur shqetësimin për gjendjen ne veri dhe ka kërkuar nga palët, që të kenë mirëkuptim për të tejkaluar gjendjen e vështirë.

Anëtari i grupit politik strategjik Enver Hoxhaj, konsideron se një deklaratë e tillë reflekton angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare që të mos ketë ndarje të Kosovës.

“Të mos kemi dy jetë publike, por qytetarët e saj ta kenë një fokus në jetën e tyre politike ekonomike dhe sociale. Mjerisht deklaratat në të kaluarën nuk janë përcjellë me krijimin e akteve dhe fakteve në terren. Deklarata e fundit e Grupit të Kontaktit është e mirëseardhur meqë duket se nga ditët e fundit ka dhe shtim të forcave të sigurisë, të trupave të KFOR-it, çka do të jetë në favor të Kosovës dhe të qytetarëve të saj", thotë Enver Hoxhaj.

Por, Millan Ivanoviq, nënkryetar i komunës së Zveçanit, njëra nga komunat që ka shkëputur lidhjet me institucionet e Kosovës thotë se serbët e veriut të Kosovës duhej të merrnin këtë hap, për shkak të problemeve të grumbulluara.

“Gjithsesi, duhet nisur nga shkaku dhe jo të flitet për pasojat. Është fakt që serbët kanë marrë pjesë në institucionet e Kosovës ku kanë qenë të margjinalizuar nga shumica shqiptare, ku kanë qenë të diskriminuar dhe kanë shërbyer vetëm si dekor për krijimin e një shteti të pavarur, gjegjësisht për kalimin e kompetencave shtetërore në institucionet e Kosovës. Në këtë mënyrë, serbët i kanë dhënë pamjen e legjitimitetit punës së atyre institucioneve”, thotë Ivanoviq, sipas të cilit qëllimet e proklamuara në rezolutën 12 44 nuk janë realizuar.

Sipas deklaratës së Grupit të Kontaktit, vendet anëtare të këtij grupi, e shikojnë me brengosje situatën në Kosovën veriore, posaçërisht hapin e tre komunave për t’i ndërprerë lidhjet me institucionet e Kosovës, si dhe raportet për shtimin e personelit në strukturat ilegale dhe paralele të sigurisë.

Millan Ivanoviq thotë se serbët nuk kanë përfituar asgjë nga qëndrimi i mëtejmë në institucione.
“Institucionet e Kosovës, nuk po ndërmarrin asgjë, nuk ka sundim të ligjit, ato nuk dënojnë e as zbulojnë kriminelët, kështu që pjesëmarrja në këto institucione është treguar e keqe dhe humbëse për serbët. Fundja, serbët nuk kanë marrë pjesë në zgjedhje, përderisa nuk ndërmerren masa të caktuara, derisa të mos ketë decentralizimi esencial, është iluzion që të ftohen serbët për pjesëmarrje në institucionet e Kosovës”, thotë Ivanoviq.

Por, Enver Hoxhaj, anëtari i grupit politik strategjik, grup ky që harton dokumente për ekipin negociator, thekson se gjetja e zgjidhjes së problemit të Mitrovicës është në zbatimin e reformimit të pushtetit lokal.

“Mendoj që propozimin të cilin e ka ofruar Prishtina: një qytet dy komuna, reflekton gjendjen reale në vetë qytetin e Mitrovicës. Ideja dhe koncepti i Prishtinës që të ketë një strukturë të përbashkët administrative, një lloj bordi të përbashkët administrues, i cili do të merrej me çështjen e sundimit të ligjit, të sigurisë, të pronës, me çështje të cilat kanë të bëjnë me të dy pjesët e qytetit të mitrovicës, është instrument i cili sjell drejt integrimit të qytetit. Përderisa qasja jonë është integruese, qasja e Serbisë mbështetet mbi ndarjen, mbi etnicitet, mbi territorialitet", thotë Hoxhaj.

Grupi i Kontakit ka ftuar të dy komunitetet që të tregojnë vetëpërmbajtje dhe mirëkuptim të dyanshëm siç është thënë, në këtë periudhë të ndjeshme të negociatave dhe të bashkëpunojnë plotësisht me UNMIK-un, KFOR-in dhe Shërbimin Policor të Kosovës, në punën e tyre për të ofruar një ambient të sigurt në të gjitha pjesët e Kosovës.

Ndryshe, për të shtuar sigurinë në veriun e Kosovës KFOR-i ka dërguar forca shtesë. Kontingjentit të KFOR-it së voni i janë shtuar 650 ushtarë gjermanë. Zyrtarët e KFOR-it kanë thënë se forcat shtesë do të përqëndrohen në vendet ku situata e sigurisë është më e brishtë.


XS
SM
MD
LG