Ndërlidhjet

NUK DO KETË TAKIME TË NIVELIT TË LARTË KOSOVË-SERBI GJATË GUSHTIT


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Zyra e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës Marti Ahtisari nuk ka ndërmend të organizojë takim tjetër të nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit së paku deri në shtator, tha sot zëdhënësja Hua Jiang.

Ndërkohë aktivizimi i vetë të dërguarit Ahtisari në diplomacinë fluturuese Prishtinë-Beograd, varet nga përparimi në bisedimet për çështje teknike të cilat do të zgjerohen edhe me një grup punues për të drejtat e pakicave, krahas bisedimeve aktuale për decentralizimin, ekonominë dhe trashëgiminë kulturore e fetare.

"Përveç vazhdimit të diskutimeve për çështjet për të cilat është diskutuar tashmë, ne do të donim të futnim edhe disa fusha të tjera diskutimesh që nuk janë diskutuar më herët," tha zëdhënësja e Ahtisarit Hua Jiang, sipas të cilës muaji gusht do të shënohet nga disa takime që kanë të bëjnë me çështje teknike:

"Për ta nisur këtë ne do të donim të hapnim dialogun e drejtpërdrejtë për të drejtat e pakicave dhe ne do t’u dërgojmë ftesa të dyja palëve shumë shpejt, në mënyrë që gjatë gushtit të nisin bisedimet," tha zonja Jiang, sipas të cilës nuk është përcaktuar ende data, pasi do të priten edhe përgjigjet e palëve.

Ndërkohë zyra e Ahtisarit, e cila sapo ka kryer një takim të nivelit më të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të martën në Vjenë, nuk synon t’i vazhdojë ato gjatë verës.

Nuk synojmë të mbajmë një takim tjetër të nivelit të lartë së shpejti, por më shumë jemi të interesuar të shohim përparim në fushën e dialogut për çështje teknike, tha Jiang:
"Shpresojmë që në shtator të mund të kemi një takim të nivelit të lartë ministror me Grupin e Kontaktit dhe pastaj të shohim se çka do të sugjerojnë ata," tha Hua Jiang, sipas të cilës kjo do ta përcaktojë se si do të vazhdohen bisedimet për statusin.

Ajo tha se ndërkohë do të ketë misione ekspertësh që do të shkojnë në Prishtinë dhe Beograd, por ende nuk ka një datë të caktuar se kur vetë zoti Ahtisari do të shkojë në Prishtinë dhe Beograd dhe vizita eventuale e Ahtisarit do të varet nga përparimi që bëhet në bisedat për çështje teknike.


XS
SM
MD
LG