Ndërlidhjet

BEGU: ZGJIDHJA E STATUSIT TË KOSOVËS DO TË NDIKOJË NË ULJEN E NORMAVE TË INTERESIT


Ajri Begu, drejtor i Bordit të Autoritetit Bankar dhe Pagesave të Kosovës

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Begu, si e vlerësoni politikën e kamatave në bankat komerciale të Kosovës?

AJRI BEGU
Politika e normave të interesit natyrisht që i përgjigjet një realiteti në Kosovë. Si në çdo ekonomi të tregut, norma e interesit përcaktohet në bazë të ofertës dhe kërkesës, por edhe faktorëve të tjerë siç është shkalla e riskut për bankat, shkalla e riskut qoftë nga klientët, qoftë e riskut tjetër, për shkak të ambientit të përgjithshëm juridik dhe situatës politike. Të gjitha këto ndikojnë në normën e kamatës. Objektivisht ne mund të konkludojmë se normat e interesit janë të larta, mirëpo krahasuar me vendet e ngjashme qoftë në rajon apo edhe në botë, nuk mund të thuhet se nuk janë edhe aq të larta, duke parë këtë realitet që kemi këtu. Megjithatë unë dua të nënvizoj se në dy vitet e fundit ka një tendencë të rënies së normës së interesit. Dhe besoj se në të ardhmen, do të kemi norma kur të rregullohet ambienti i përgjithshëm në Kosovë dhe norma e interesit natyrisht do të reflektohet dhe do të ketë një ulje.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka mendime se ato janë shumë të larta. A mund të ndikojë Autoriteti Bankar i Kosovës në lartësinë e tyre?

AJRI BEGU
Duhet ditur se BPK-ja është institucion që e kontrollon dhe e mbikqyr sistemin bankar në Kosovë, dhe në asnjë mënyrë nuk ka asnjë kompetencë që të ndërhyjë në normat e interesit. Kjo natyrisht se është krijuar si ide në kokat e njerëzve, unë e di mentalitetin tonë kur mendohet. Norma e interesit paraqet çmimin e kapitalit, pra fitimin që duhet të realizojë ai përmes normës së interesit dhe çmimet në ekonominë e tregut nuk mund t'i imponojë askush përveç ofertës dhe kërkesës.
Po edhe në mënyrë indirekte ne nuk kemi politikë monetare apo instrumente të politikës monetare që të paktën në mënyrë indirekte të ndikojmë. Nuk kemi valutën tonë, që të ndikojmë qoftë në uljen apo në ngritjen e normës së interesit. Por, për popullatën mund të themi se çmimi është ai që është, sikur të gjitha çmimet e tjera në treg, për artikujt ekzistencial. Edhe çmimi i kapitalit, norma e interesit, është një çështje e marrëveshjes dhe të gjithë ata që shkojnë te bankat dhe drejtohen për kredi, duhet të llogarisin se në qoftë se i konvenon norma e interesit ta marrin, mos e lënë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë arsyet që kamatat janë të tilla, zoti Begu ?

AJRI BEGU
Unë për përafërsisht fola se është oferta dhe kërkesa, por është edhe pasiguria. Kur flasim për pasigurinë, bankat shpesh kanë disa vështirësi në identifikimin e ndërmarrjeve serioze. Sepse ne pas luftës nuk kemi ndërmarrje, të cilat kanë një bilanc të gjatë të afarizmit, ku mund të verifikohet në bazë të bilancit afarizmi i këtyre ndërmarrjeve se sa janë të suksesshme apo të pa suksesshme. Pra është puna e kontabilitetit apo e bilancit.
E dyta është puna e hipotekës, shumë ndërmarrje apo shumë pronarë dhe qytetarë nuk i kanë as dokumentet e pasurisë së tyre, për shkak se çdo kredi duhet të sigurohet përmes asaj që ne e quajmë koleteral. Një prej instrumenteve kryesor është hipoteka. Në qoftë se ju nuk keni dokumente, të hipotekës, për shkak se Serbia i ka marrë ato, vështirë është të dëshmosh se je pronar i një pasurie të cilën do të hipotekosh për të marrë një kredi. Natyrisht se banka atëherë do të refuzojë, ose ndoshta mund të krijojë një marrëdhënie me rrezik. Dhe e treta është ambienti ligjor, se sa efikas janë gjyqet se sa shpejt reagojnë në rastet kur kemi protestimin e kredive. Pra të gjitha këto ndikojnë në çmimin e kapitalit apo në riskun, atë riskun që e quajnë bankat. Natyrisht me normën e lartë të interesit ata mundohen eventualisht të mbulojnë humbjet eventuale që mund të krijohen.

RADIO EVROPA E LIRË
A ndikon në këtë kuadër edhe mungesa e kredive financiare nga jashtë dhe statusi i pazgjidhur i Kosovës?

AJRI BEGU
Ky është një segment tjetër. Në qoftë se do të kishim të zgjidhur statusin e Kosovës, unë parapëlqej të them se Kosova të jetë partnere në raport më marrëdhëniet e jashtme, atëherë do të krijoheshin parakushte për investime të jashtme të drejtëpërdrejta, meqë do të dihej titullari. Dhe natyrisht do të krijoheshin kushte më të favorshme për një konkurrencë më të madhe dhe kjo do të kishte për pasojë edhe uljen e normës së interesit.

RADIO EVROPA E LIRË
Bizneset në Kosovë ankohen se afatet për përkthimin e kredive janë të shkurtra, a ka në plan BPK –ja që këto afate të zgjaten dhe kur Kosova mund të presë kredi ta kalojë këtë periudhë, siç është në vendet e tjera dhe me kushtet që i japin shtetet evropiane?

AJRI BEGU
Edhe çështja e afatit të kthimit të kredive është një pasqyrë e realitetit të përgjithshëm në Kosovë. Së pari duhet të shikojmë se si funksionon kredi dhënia. Kreditë jepen mbi bazën e depozitave dhe depozitat që sot ne i kemi në Kosovë janë me një strukturë të atillë, janë afatshkurtër, të cilat bankave komerciale nuk i lejojnë atë komoditet që të japin kredi me afate më të gjata. Megjithatë, edhe këtu kemi një përmirësim vitet e fundit, sidomos vjet mbi 40 përqind të kredive që janë dhënë janë me afat mbi dy vite, gjë që nuk ka qenë përpara. Dhe disa banka natyrisht kanë filluar të japin kredi me afat kthimi nga dy deri në pesë vjet.

INTERVISTOI: NADIE AHMETI
XS
SM
MD
LG