Ndërlidhjet

WISNER: STATUSI PARA FUNDIT TË KËTIJ VITI


Albana Isufi, Prishtinë

Arritja e marrëveshjeve reale për çështjet teknike, duhet të jetë prioritet kryesor për Prishtinën dhe Beogradin në javët e ardhshme, tha gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për statusin e Kosovës Frank Wisner.

“Puna jonë sot është që të vëmë elementet e nevojshme të pakos së statusit përfundimtar, para se ta përcaktojmë vetë pakon. Kjo nënkupton zgjidhje reale për çështjen e komunave, kishave, të drejtat e minoriteteve. Negociatat solide dhe te mira shkojnë hap pas hapi. Le të shkojmë tek hapi tjetër”, ka thënë ambasadori Wisner, duke mos dashur të paragjykojë se çfarë do jetë statusi përfundimtar i Kosovës.
“Përpara nesh janë disa javë të bisedimeve intesive dhe arritja e zgjidhjeve reale në këto bisedime duhet të jetë prioritet kryesor i të gjithëve”, ka thënë ambasadori Wisner.

I dërguari amerikan për statusin, Frank Wisner ka takuar mëngjesin e sotëm presidentin Fatmir Sejdiu, nga i cili ka marrë falënderimet për angazhimin e Shteteve te Bashkuara në procesin për zgjidhjen e statusit përfundimtar. Presidenti Sejdiu ka shfaqur shpresën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe më tej do të mbështesin punën e ekipit negociator, për ta ndihmuar dhe shpejtuar kështu procesin e zgjidhjes së statusit.

“Shpresoj se 2006 do jetë vit i përmbushjes së aspiratave tona. Në këtë rast do jemi si Kosovë sa më konstruktive dhe të japim kontributin tonë në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Ambasadori amerikan për statusin e Kosovës Frank Wisner pas një takimi që ka pasur me ekipin negociator, ka shprehur admirimin për sjelljen e palës kosovare gjatë negociatave në Vjenë, ndërsa takimin e ka quajtur sërish një moment historik. Zoti Wisner ka qenë vetë i pranishëm në takimin e 24 korrikut.

“Besoj se ata kanë qenë të suksesshëm, ka qenë një moment historik dhe pala shqiptare ka qenë e sinqertë. Po ashtu u kam thënë miqve në Beograd se ata janë sjellë ne mënyrë dinjitoze. Përpara nesh tash kemi një kohë më të ngjeshur. SHBA dhe ekipi i unitetit do të punojnë ngushtë së bashku me presidentin Ahtisari, që ka përkrahjen tonë të plotë për të përfunduar çështjet e mbetura, që duhet të zgjidhen, ashtu që marrëveshja për statusin përfundimtar të arrihet para fundit të vitit 2006, tha ambasadori Wisner, duke shtuar se pikërisht ky edhe është qëllimi i SHBA-ve.

“Por, unë do të gaboja po qe se nuk nënvizoj përkushtimin e SHBA-ve për një nga parimet udhëzuese të Grupit të Kontaktit se nuk ka ndarje të Kosovës, s’ka ndryshim të kufijve, ky parim është artikuluar dhe do të vazhdojë të udhëzojë punën e Grupit të Kontaktit në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha ambasadori Wisner, i cili në takimet me përfaqësuesit kosovarë të institucioneve ishte i shoqëruar nga shefja e re e zyrës amerikane Tina Kaidanow.

Edhe gjatë takimeve të sotme ambasadori amerikan Frank Wisner ka përsëritur kërkesën për fleksibilitet me qëllim që të mbyllen të paktën 3-4 çështje, që kanë të bëjnë me bisedimet teknike.
Por, pavaresisht kësaj kërkese, ambasadori amerikan Frank Wisner është i bindur se edhe Prishtina edhe Beogradi raundit të ardhshëm të bisedimeve po i qasen me seriozitet.

Ambasadori Wisner ka takuar gjatë ditës edhe përfaqësuesit e komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera.


XS
SM
MD
LG