Ndërlidhjet

SABETA: KFOR-I I GATSHËM TË REAGOJË NDAJ ÇFARËDO KËRCËNIMI


Arbana Vidishiqi, Prishtinë

Qeveria e Kosovës pohon se tashmë është mësuar me deklaratat që vijnë nga Beogradi zyrtar, duke iu referuar kësisoj, kërcënimit të nënkryetarit të Partisë Radikale Serbe, Tomisllav Nikoliç, i cili ka thënë se në rast të pavarësisë së Kosovës, Serbia do ta mbrojë atë duke luftuar.

Ramë Arifaj, këshillar politik për çështje sigurie i kryeministrit të Kosovës Agim Çeku, thotë se Kosova e ka filluar rrugëtimin e ndarë nga Serbia që nga viti 1999.
"Punën me Beogradin zyrtar e kemi përfunduar që në vitin 1999. Është këtu bashkësia ndërkombëtare ajo që është përgjegjëse për sigurinë. Zoti Arifaj thotë se Beogradi tash duhet të përqëndrohet diku tjetër.
"Ndërsa Beogradi do të ishte më mirë që të merret me punët e veta, me zhvillimin ekonomik, me zhvillimin e demokracisë, sesa të merret me çështjen e Kosovës".

Zëdhënësi i forcave paqeruajtëse në Kosovë nënkoloneli Pio Sabeta, nuk ka pranuar ta komentojë drejt për së drejti deklaratën e udhëheqësit të radikalëve serbë, duke vlerësuar se politika e misionit ushtarak në Kosovë është e qartë.

"Politika jonë është që të mos komentojmë deklaratat e tilla, por ajo që mund të them është se KFOR-i është tërësisht i përkushtuar për të siguruar një ambient të qetë dhe stabil në Kosovë," tha nënkoloneli Sabeta. Sipas tij deri më tash nuk ka shenja për destabilizim të situatës gjatë procesit negociator për përcaktimin e statusit politik të Kosovës.

"Për momentin nuk shohim se ka shenja të rritjes së tensioneve. Megjithatë ne jemi duke vëzhguar për të afërmi gjendjen dhe jemi të gatshëm të reagojmë në rast të ndonjë kërcënimi, por tani për tani nuk ka shenja të rritjes së tensioneve", tha zëdhënësi i paqeruajtësve.

Aktualisht në Kosovë veprojnë 17 mijë forca paqeruajtëse, duke mos llogaritur këtu shtimin e tyre të herë pas hershëm në terren. Deri në përfundim të bisedimeve mbi statusin e Kosovës ky numër pritet të jetë i pandryshueshëm.
XS
SM
MD
LG