Ndërlidhjet

EKIPI NEGOCIATOR I KOSOVËS THOTË SE DO TË RUAJË UNITETIN


Albana Isufi, Prishtinë

Anëtarë të ekipit negociator të Kosovës kanë siguruar sot se do të vazhdojnë të ruajnë unitetin e këtij grupi, një ditë pasi opozitarët lëshuan seancën e Kuvendit të Kosovës, në shenjë proteste ndaj raportit mbi takimin e Vjenës të presidentit Fatmir Sejdiu.

Opozitarët kanë kritikuar presidentin se nuk ka respektuar marrëveshjen që raporti të përpilohej në konsultime me anëtarët e ekipit negociues, dhe më pas të hapej debati në Kuvend.
Presidenti Fatmir Sejdiu ka shprehur keqardhjen lidhur me reagimet e opozitarëve, por ka hedhur poshtë deklaratat se ekipi i unitetit po përdoret për interesa partiake.

“Nuk ka shfrytëzim për interesa personale e as partiake në këtë rast. Ne do të bëjmë përpjekjet më të mëdha që të ruhet funksionaliteti i plotë i ekipit të unitetit dhe mendoj se ai në funksion do të jetë gjithmonë. Mua më vjen keq për atë që ka ndodhur ditën e djeshme, por unë kujtoj se ne kemi patur një marrëveshje. Ajo ka qenë një informatë teknike për zhvillimet që janë bërë. Në momentin kur ne do të kemi dokumente dhe do ta shohim të nevojshme bashkë para deputetëve do të bisedojmë. Do të kemi komunikim normal me institucionin më të lartë përfaqësues të vendit", tha presidenti Sejdiu.

Por, lideri i PDK-së Hashim Thaçi, ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij, se anëtarë të ekipit negociues kanë vënë në rend të parë interesat partiake. Megjithatë ai ka thënë se partia e tij do të mundohet të ruajë unitetin.

“PDK ka investuar në unitet, në përshpejtim të procesit të zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës dhe unë besoj se do ta ruajmë atë unitet për të ndërtuar Kosovën e pavarur dhe sovrane. Kemi nevojë për mesazhe ofruese dhe unifikuese dhe assesi për mesazhe me ambicie përfitimi partiake në emër të ekipit negociator”, tha Thaçi.

Mirëpo, zëdhënësi i ekipit negociator Skënder Hyseni, ka deklaruar se në mbledhjen e sotme të këtij ekipi, atmosfera mes anëtarëve ka qenë shumë e mirë dhe nuk bëhet fjalë për përçarje.

“Ato janë tejkaluar dhe nuk ka patur fare mosmarrëveshje. Mundem t'u siguroj absolutisht se atmosfera ka qenë shumë e mirë në mbledhjen e ekipit negociator dhe këto mosmarrëveshjet që mund të thuhet me plot gojë që kanë qenë mosmarrëveshje të rastit dhe të parëndësishme janë tejkaluar", tha zoti Hyseni.

Ka qenë pikërisht uniteti i ekipit negociator i treguar në Vjenë, fakti që është përshëndetur sërish sot nga zyrtarët ndërkombëtarë. Shefja e re e zyrës amerikane në Kosovë Tina Kaidanow, në takimin e saj të parë zyrtar me presidentin Fatmir Sejdiu, ka deklaruar se paraqitja e grupit të unitetit në Vjenë i ka lënë të kënaqur zyrtarët e lartë amerikanë.

“I thashë presidentit se sa vëmendje e madhe po i kushtohet Kosovës në nivelet më të larta të qeverisë amerikane. Para se të vij, kam biseduar me përfaqësues të qeverisë, të Shtëpisë së Bardhë dhe të gjithë pajtohen se statusi duhet të ecë përpara. Ata janë të kënaqur me paraqitjen e ekipit të unitetit në Vjenë dhe presin që të shohin se kjo do të kryhet në fund të vitit ashtu, që Kosova të mund të ecë përpara”, tha Kaidanow.

Ndërkohë, procesi i bisedimeve teknike do të vazhdojë në javët e ardhshme. Pas takimit të ekipit negociator është bërë e ditur se në Vjenë më 7 gusht do të mbahet takimi i radhës mbi decentralizimin, ndërkaq më 8 gusht për herë të parë do të diskutohet mbi pakon për të drejtat e pakicave në Kosovë.








XS
SM
MD
LG