Ndërlidhjet

NË KOSOVË ËSHTË RRITUR VARFËRIA EKSTREME


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Varfëria esktreme në Kosovë është rritur nga 15 në 18 përqind, ndërkaq varfëria e përgjithshme ka kaluar 50 përqindshin. Këto janë vlerësimet e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, të publikuara sot në një debat me temën "Roli i shoqërisë në zbutjen e varfërisë".

Ibrahim Akolli nga ky këshill, tha se duhen bërë përpjekje për të gjetur forma që duhet të zbusin varfërinë, aq më tepër për shkak të ndikimit që varfëria ka në rritjen e numrit të vetëvrasjeve.
"Së paku të identifikojmë tre prej fushave që është në rradhë të parë identifikimi i gjendjes, e dyta është pasojat e kësaj gjendjeje, rritja e veprave kriminale që kanë në një formë ose tjetër motiv dhe çështjen e varfërisë por edhe numrin e vetëvrasjeve në Kosovë. Ju e dini se pas luftës janë shtuar diku rreth 400 vetëvrasje në Kosovë", tha Ibrahim Akolli.

Mustafë Garaj nga Ministria për Punë dhe Mirëqënie Sociale, tha se skema sociale që ka kjo ministri, nuk mund të zbutë varfërinë, nëse një program i këtillë nuk shoqërohet me projekte për aftësimin e qytetarëve për punë.
"Ne në Kosovë ende nuk kemi institucione që mund të zbutin varfërinë. Varfëria zbutet në rast se njerëzit ndihmohen që të gjejnë punë dhe të punësohen, sepse e mbajnë vetë veten", tha zoti Garaj.

Kosova në këtë pikë gjendet në gjendje kritike dhe ka mundësi që të ketë trazira sociale, theksoi zoti Garaj. Sipas tij, në rritjen e nivelit të varfërisë ka ndikuar dhe largimi i punëtorëve nga ndërmarrjet shoqërore që tashmë janë privatizuar.
"Ne nuk guxojmë t'i mbyllim sytë para një fakti, ka të varfër, për fat të mirë ndoshta jo shumë. Por ata që janë në numër simbolik janë në situatë edhe të vetëvrasjes, në situatë edhe të dhunës në familje, janë në situatë edhe të sjelljeve asociale, të shkeljes së ligjit dhe në situata të tjera që ne ende nuk i kemi të identifikuara. Pra çfarë del prej kësaj? Del se ne absolutisht nuk kemi qasur asnjë organizim të varfërisë se çfarë është ajo, çfarë gjeneron ajo, çfarë mund të bëjmë ne", tha Mustafë Garaj.

Ndryshe, sipas Ministrisë së Punës dhe Mirëqënies Sociale, 43 mijë familje gjenden në listën e skemës sociale, të cilat marrin nga 40 deri në 60 euro në muaj, varësisht nga numri i anëtarëve të familjes. Ekspertë për çështje ekonomike ndërkaq thonë se për uljen e varfërisë, Kosovës i nevojiten 5 herë më shumë vende të reja pune.






XS
SM
MD
LG