Ndërlidhjet

logo-print

MOORE:"SANADER KA SHKUAR LARGË...."


Patrick MOORE, analist i radios Evropa e Lirë


RADIO EVROPA E LIRË
Partia Radikale ka thënë se Serbia do të luftojë për Kosovën, nëse ajo pavarësohet. Kryeministri Vojislav Koshtunica thotë të njejtën gjë si Millosheviqi "Kosova është Serbi". Do të kemi sërish trazira në Ballkan apo mbase kemi të bëjmë vetëm me retorikë verbale të Beogradit?

PATRICK MOORE
Mendoj se kemi të bëjmë vetëm me retorikë verbale, sepse ata e dijnë se nëse fillojnë çfardo trazira, do të kenë probleme serioze me bashkësinë ndërkombëtare. Sa i përket thënjes "Kosova është Serbi" duhet thënë se kjo është përdorur edhe nga presidenti Tadiç disa muaj më parë. Por, nuk besoj të jetë politikë serioze, ate që më heret e ka thënë Tadiç, ate që tash e thotë Koshtunica ose Nikoliqi. Pra, fjala është vetëm për retorikë, sepse nuk duhet harruar se me gjasë shumë shpejt në Serbi do të ketë zgjedhje të parakohshme dhe ata tashmë janë duke folur thuase fushata ka filluar. Sa i përket Partisë Radikale, ajo është parti e Sheshelit dhe dihet se çfarë forme të prononcimeve kishte ai. Tomislav Nikoliq praktikisht është duke imituar mësuesin e vetë.
Pavarësisht nga kjo, nëse cilido prej tyre synon të bëjë çfardo trazira, vetëm le të provojnë dhe do të shohin se si do të kalojnë.

RADIO EVROPA E LIRË
Beogradi ka kundërshtuar pavarësinë e Malit të Zi, më heret të Maqedonisë dhe të të tjerëve, por asnjëherë jo me kaq ashpërsi si në rastin e Kosovës. Pse?

PATRICK MOORE
Kjo është një pyetje shumë interesante dhe përgjigjja më e drejtë do të ishte se në rastin e Kosovës dhe të shqiptarëve kemi të bëjmë me faktorin e urrejtjes dhe frikës. Kjo nuk ka qenë e pranishme në rastin e Maqedonisë, Malit të Zi dhe madje as në rastin e Sllovenisë. Në rastin e Maqedonisë serbët i shohin maqedonasit si vëllëzër më të vegjël dhe ata nuk kanë probleme të ndërsjella serioze. Në rastin e malazezëve ata ndërmjet vete janë të martuar dhe kanë lidhje aq intenzive sa nuk mund të imagjinohet asnjë lloj konflikti ndërmjet tyre. Ndryshe ishte raporti me boshnjakët dhe kroatët me të cilët ka pasur konflikte historike. Në rastin e Bosnjes dhe Kroacisë problemi qendror ka qenë fakti që serbët nuk kanë mundur të marrin me mend që duhet të jetojnë si pakicë në shtetet ku dikush tjetër është shumicë dhe duket se për ta kjo do të jetë edhe më e vështirë të pranohet në rastin e Kosovës. Dhe kjo në rastin e Kosovës manifestohet përmes faktorit të frikës dhe urrejtjes.

RADIO EVROPA E LIRË
Ministri i Jashtëm i Sllovenisë Dimitrije Rupel ka propozuar formimin e një grupi të vendeve që kanë marrëdhënje të mira me Serbinë, që Beogradi të ketë mundësi të shpjegoi më mirë pozicionin e vetë në raport me Kosovën. Kryeministri kroat Ivo Sanader disa ditë më parë tha se nuk mund të ketë zgjidhje për Kosovën pa pëlqimin e Beogradit. Çfarë do të thonë këto mesazhe nga Lubjana dhe Zagrebi? Solidaritet me Beogradin, nostalgji për ish – Jugosllavinë apo diç tjetër?

PATRICK MOORE
Dëshiroj të besoj se këto gjëra, këta zotërinjë i kanë thënë, që Serbia të mos ndihet e izoluar dhe ta dijë se ka miqë në fqinjësi, dhe se interesat e tyre do të kihen parasysh nga ana e fqinjëve. Një aspekt tjetër që duhet përmendur është fakti se këto dy vende (Sllovenia dhe Kroacia) janë duke bërë përpjekje që të kthehen në ish tregjet jugosllave, në këtë rast në tregun e Serbisë.
Pavarësisht nga kjo, këto dy vende kanë pësuar në një ose formën tjetër nga armët serbe në vitin 1991 dhe 1994. Në këtë kontekst është e dhembshme të dëgjosh këto komente nga Kroacia, nga vendi për të cilin shumë shqiptarë veshën uniformat kur shpërtheu lufta atje dhe kryeministri Çeku ishte vetëm një dhe më i njohuri. Rrjedhimisht jam shumë i befasuar që kryeministri i Kroacisë ka shkuar kaq larg.

Intervistoi: Melazim KOCI
XS
SM
MD
LG