Ndërlidhjet

HYSENI: PAK MUNDËSI PËR ARRITJEN E MARRËVESHJE PËR ÇËSHTJET TEKNIKE DERI NË MES TË SHTATORIT


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit shqiptarë të institucioneve të Kosovës nuk shpresojnë shumë se në muajin e ardhshëm do të ketë ndonjë marrëveshje për çështje teknike në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit.

Arritja e marrëveshjeve të tilla në 6 javët e ardhshme mes dy kryeqyteteve, ishte kërkesa kryesore e të dërguarit amerikan për statusin Frank Wisner, në vizitën që javën e kaluar u bëri Beogradit dhe Prishtinës. Kjo periudhë kohore do duhej shfrytëzuar para se Marti Ahtisari të paraqesë pakon e parë të propozimeve për statusin, në të cilën më pas, do të mund të futeshin si elemente përbërëse edhe marrëveshjet eventuale të arritura.

Zëdhënësi i ekipit negociator të Kosovës Skënder Hyseni, thotë se gjasat për t’u arritur një gjë e tillë janë të vogla.
“Nëse shikojmë përvojën e deritashme me përfaqësues të delegacionit të Beogradit në të gjitha raundet e bisedimevenë Vjenë, ka pak hapësirë që të shpresohet, ose ka pak mundësi që të arrihet ndonjë marrëveshje”, tha Skënder Hyseni.
Por, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës konsiderojnë se gjasat për të arritur marrëveshje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit janë reale. Oliver Ivanoviq, shef i Listës Serbe për Kosovën dhe Metohinë, thotë se kompromisi është i mundshëm, ndërkohë që arritja e ndonjë marrëveshjeje për një fushë, do jetë nxitje për marrëveshjet e mëtejme:

“Mendoj se do mund të arrihen marrëveshje rreth mbrojtjes së të drejtave të pakicave në Kosovë. Ndërsa decentralizimi mendoj se ka hyre në fazën kur mund të bëhet ndonjë kompromis, shqiptarët të pranojnë 5 komuna, ndërkaq e di se propozimi i listës për 7 komuna është i argumentuar, minimal dhe objektiv”, thotë Ivanoviq, i cili është optimist se kompromis mund të ketë edhe në çështjet e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe në atë të ekonomisë.

Nga raundet e deritashme të bisedimeve palët asnjëherë nuk kanë arritur të dakordohen për asnjërën nga çështjet e diskutuara. Në deklaratën e fundit të Grupit të Kontaktit, Prishtina është lavdëruar për fleksibilitetin e treguar, ndërkohë që nga Beogradi është kërkuar që të punojë më shumë në këtë drejtim.

Zëdhënësi i ekipit negociator të Kosovës Skënder Hyseni, thotë se pala kosovare do të fokusohet që marrëveshjet të arrihen pikë së pari me zyrën e të dërguarit të OKB-së për statusin, Marti Ahtisari në Vjenë.
“Ajo që ne si Kosovë synojmë është arritja e marrëveshjeve ose pajtimit, rreth mënyrës ose modaliteteve të zgjidhjeve të çështjeve të veçanta me zyrën e Ahtisarit dhe ekipin ndërkombëtar përgjithësisht. E shumë më pak rëndësi ka pajtimi i Beogradit për këto, kur kemi parasysh shkallën e lartë të mosbashkëpunimit, të jokonstruktivitetit, që Beogradi ka treguar në të gjitha raundet e bisedimeve në Vjenë”, tha Hyseni.

Hyseni e quan shumë optimiste mundësinë e arritjes së marrëveshjeve për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit.
“Edhe ne presim që të ketë pajtim me Beogradin rreth këtyre çështjeve, por do të ishte tepër optimiste të themi se kjo do të ndodhë, sepse nëse mbështetemi në sjelljen e Beogradit deri më tash në procesin e Vjenës, atëherë është shumë vështirë të besohet se Beogradi do të braktisë pozicionin e destruktivitetit që ka pasur në procesin e Vjenës dhe do t’i kthehet një fryme bashkëpunimi me zyrën e Ahtisarit”, tha Skënder Hyseni.

Ndërkaq, Oliver Ivanoviq, mendon se për çështje teknike marrëveshjet do të arrihen më lehtë, por kur është fjala për statusin, atëherë pret që të ketë një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare.

“Sa i përket aspektit politik dhe juridik të statusit, për këtë do të bisedohet më vonë dhe këto meritojnë një vëmëndje të madhe dhe angazhim të tërë Grupit të Kontaktit dhe Këshillit të Sigurimit”, tha Oliver Ivanoviq.

Takimi i parë i Prishtinës dhe Beogradit për çështje të statusit është mbajtur më 24 korrik në Vjenë. Palët përveç që kanë paraqitur qëndrimet diametralisht të kundërta rreth statusit, nuk kanë arritur asgjë tjetër.


XS
SM
MD
LG