Ndërlidhjet

logo-print

MUNGESA E ENERGJISË I SHKAKTON DËME BIZNESIT KOSOVAR


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Situata e furnizimit me energjeti elektrike në Kosovë edhe sot vazhdon të jetë e rëndë, me reduktime të gjata dhe të paqarta.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në një takim të përbashkët kanë kërkuar urgjentisht përmirësimin e furnizimit me energji elektrike.

Besim Beqaj, kryetar i Odës Ekonomike, tha se jostabiliteti energjetik dhe pasiguria për furnizim stabil i ka shkaktuar dhe vazhdon t’i shkaktojë pasoja negative biznesit në Kosovë, si atij vendor ashtu edhe atij ndërkombëtar. Në disa raste madje, sipas zotit Beqaj, bizneset kanë pësuar pasoja fatale deri në mbyllje, për arsye të mungesës së rrymës.

“Dëmet janë të paevitueshme dhe të pa riparueshme. Ne kemi informata nga të gjithë prodhuesit. Ka kompani që e kanë humbur tregun në Mal të Zi, që i kanë humbur kontratat e tyre me KFOR-in dhe praktikisht edhe 3-4 ditë ata vijnë në një situatë që ta mbyllin kompaninë,” tha zoti Beqaj.

Haqif Ibrahimi, përfaqësues i kompanisë “DEA” që përpunon ujë tha se mungesa e energjisë elektrike e ka detyruar të ndërpresë disa kontrata të nënshkruara me vende të rajonit.
“Mu në këtë sezon kur kemi pasur të nënshkruar kontrata të shumta edhe jashtë Kosovës, por edhe me pjesën dërmuese të KFOR-it, ekonomia e biznesit privat në Kosovë, ballafaqohet me një send të çuditshëm që mund të them se është turp. Për neve ka qenë një humbje katastrofike që kemi investuar vetëm për marketing 300 mijë euro dhe nuk kemi mundur t'i realizojmë për faj të KEK-ut", tha zoti Ibrahimi.

Shefki Krasniqi, pronar i kompanisë prodhuese të njësorëve elektrikë
“ TIMI COMPANY”, tha se dëmet e shkaktuara në ndërmarrjen e tij, gjatë këtyre ditëve janë shumë të mëdha.
“Dhe kur të ndërpritet, bënë defekte të tjera edhe në pajisje dhe produkte të gatshme. Vetëm në këtë kohë kanë humbur prej 3 000 deri në 4 000 euro, si pasojë e energjisë elektrike,” tha zoti Krasniqi.

Mimoza Kusari-Lila, drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, duke kërkuar më shumë transparencë nga Korporata Energjetike e Kosovës, tha se vazhdimi i krizës energjetike do të ketë pasoja të papërmirësueshme për ekonominë e pazhvilluar të Kosovës.
Zonja Kusari- Lila, pohon se ky fakt po reflekton dukshëm edhe në mungesën e tërheqjes së investimeve të jashtme.

“Në kohën kur ne si institucion mundohemi të tërheqim investime nga jashtë për në Kosovë, me ato investime të pakta që ka Kosova, nuk ka energji të mjaftueshme të furnizohen”, tha zonja Kusari –Lila.

Ndryshe, gjatë këtij takimi Oda Ekonomike e Kosovës, ka rekomanduar përgjegjësi më të lartë për institucionet vendore, të paguhen dëmet e shkaktuara biznesit kosovar, të gjendet një zgjidhje urgjente për furnizim më rrymë për biznesin dhe rekomandimi i fundit ka të bëjë me definimin e qartë se kush është përgjegjës për menaxhimin e KEK-ut dhe për krizën energjetike në Kosovë.



XS
SM
MD
LG