Ndërlidhjet

KONFIRMOHET PJESËMARRJA E DELEGACIONIT TË KOSOVËS NË TAKIMET E RADHËS NË VJENË


Zijadin Gashi, Prishtinë

Delegacioni i Kosovës e ka konfirmuar sot pjesëmarrjen në takimet e radhës në Vjenë të thirrura që të mbahen më 7 dhe 8 gusht, ku do të diskutohet sërish për decentralizimin dhe pozitën e pakicave pas statusit.

Pas një takimi të shkurtër që mbajti sot ekipi negociues, zëdhënësi Skënder Hyseni tha se Prishtina është e përgatitur dhe për këtë raund bisedimesh. Për decentralizimin, Skënder Hyseni tha se është caktuar sërish i njëjti ekip, me në krye zëvendëskryeministrin Lutfi Haziri, kurse për takimin ku do të diskutohet korniza për pozitën e pakicave në Kosovë pas statusit, delegacioni do të mblidhet edhe në një takim tjetër të premten, ku do të diskutojë dhe për disa detaje shtesë dhe do të caktojë përbërjen e delegacionit që do të udhëtojë për në Vjenë:
“Kosova merr pjesë dhe Kosova është plotësisht e përgatitur që të përfaqësohet me pozicionet e veta në këto dy takime”, tha Hyseni.

Ndërsa pala e Beogradit ka kërkuar që takimet e ardhshme në Vjenë të shtyhen edhe për një javë, Skënder Hyseni tha se Prishtina nuk ka ndonjë njoftim të plotësuar nga zyra e Marti Ahtisarit dhe se datat 7 dhe 8 gusht mbeten zyrtare.

Ndërkohë që duke u ndërlidhur me disa shkrime në mediat vendore ku thuhet se Ahtisari përmes një letre ka kritikuar presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe kryeparlamentarin Kolë Berisha, ai tha se në adresë të presidentit të Kosovës nuk ka arritur asnjë letër ku kritikohet qëndrimi i presidentit lidhur me Ligjin mbi Trashëgiminë Kulturore, siç raportojnë disa media vendore:

“Unë me siguri të madhe mund të them se nuk ka një letër të tillë ku kritikohet presidenti Sejdiu, përkundrazi ka letra ku vazhdimisht këmbehen mendimet dhe komunikohet rreth të gjitha çështjeve. Presidenti Sejdiu është interesuar për këtë ligj dhe presidenti Sejdiu është i interesuar dhe këmbëngul që në këtë ligj të pasqyrohen të gjitha dispozitat më pozitive dhe konventat ndërkombëtare dhe kjo sigurisht që do të ndodhë”, theksoi ai.

Përderisa për decentralizimin, pala e Prishtinës mbetet te formula 5 plus 1 komuna të reja me shumicë serbe, sa i përket kornizës për komunitetet, Hyseni tha se ajo është në harmoni me standardet moderne evropiane:

“Boshti themelor është katalogu evropian i të drejtave të njeriut. Nëse e keni parasysh çka përmban ky katalog, sepse në momentin që Kosova do të bëhet shtet, e Kosova po bëhet shtet, ajo do të ofrojë gatishmërinë e vet që të marrë të gjitha obligimet pozitive ndërkombëtare, e këtu padyshim një prej obligimeve të rëndësishme edhe karshi procesit të integrimit të ardhshëm të Kosovës në Bashkimin Evropian, është katalogu evropian i të drejtave të njeriut”, tha Hyseni.

Delegacioni i Kosovës takohet sërish të premten për t’i vazhduar përgatitjet për takimet e Vjenës me palën serbe nga Beogradi, ndërkohë që sot në Kosovë kanë mbërritur sërish përfaqësues të zyrës së Ahtisarit, të cilët do të bisedojnë lidhur me modalitetet e takimeve të radhës në Vjenë.





XS
SM
MD
LG