Ndërlidhjet

GRUPI I KONTAKTIT VIZITON FSHATIN FRASHËR TË MITROVICËS


Albana Isufi, Prishtinë

Përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit u kanë bërë thirrje serbëve të fshatit Frashër, ish-Svinjar, që të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërkaq nga institucionet e Kosovës kanë kërkuar shpejtimin e punëve në kryerjen e meremetimeve të fundit të shtëpive serbe.

Mbi 100 shtëpi të këtij fshati qenë shkatërruar gjatë trazirave të marsit të vitit 2004. Qeveria tashmë i ka rindërtuar ato, por kanë mbetur të kryhen edhe disa punë dytësore.
“Siç e dimë të gjithë rindërtimi i shtëpive në fshatin Svinjare është një 13 pikat e Grupit të Kontaktit. Ne kemi dashur që të vijmë dhe të shohim vetë punën që është bërë për të përmbushur këtë standard. Dhe njëra nga arsyet që Grupi i Kontaktit ka identifikuar këtë rindërtim si një nga prioritet, është se Grupi i Kontakti i jep rëndësi kthimit në shtëpitë e tyre të të gjitha komuniteteve”, tha shefi i zyrës britanike ne Kosovës, David Blunt, i cili së bashku me përfaqësuesit e tjerë të vendeve të Grupit të Kontaktit, ka takuar përfaqësuesit shqiptarë dhe serbë të fshatit Frashër.

Banorët serbë janë ankuar se nuk mund të kthehen në fshat për shkak të mungesës së sigurisë.
“Ata kryesisht e kanë kuptuar situatën dhe kanë kërkuar që institucionet, që janë përgjegjëse për sigurinë; policia të reagojë dhe të zgjidhë problemet. Në fund dhanë premtime edhe përfaqësuesit e komunitetit shqiptar. Por, ajo për të cilën ne nuk jemi të kënaqur është se nuk kërkojmë që sigurinë të na e garantojnë fqinjët tanë, sepse çka nëse ata nuk janë të disponuar për këtë, atëherë s’ka siguri. Kush duhet të na mbrojë ne. Neve duhet të na mbrojë policia, që gjithkund te reagojë, që të gjejë fajtorët, ata që kanë plaçkitur dhe vrarë”, thotë një banor serb i këtij fshati Radosavljeviq.

Mirëpo, bashkëvendësi i Radosavljeviqit, Rrahman Hasani, hedh poshtë pohimet për mungesën e sigurisë.
“Siguria është në nivel, por është diçka tjetër, diktimi i politikës së Beogradit, e cila nuk e lejon komunitetin serb që të kthehet. Ata s’vijnë, por edhe kur vijnë e bëjnë këtë vetëm për shitblerje. Janë shitur 7 shtëpi, që i ka ndërtuar qeveria e Kosovës”, tha Hasani.

Por, ka serbë në këtë fshat që vazhdojnë të jetojnë në fqinjësi me shqiptarët dhe të ndihen të sigurt. Këtë e pohon edhe shefi i zyrës britanike David Blunt.
“Kemi folur me disa përfaqësues të serbëve, të cilët jetojnë këtu të sigurt dhe të kënaqur. Por, kemi folur edhe me ata që nuk mendojnë se tani është koha e përshtatshme për t’u kthyer”, thotë Blunt, i cili përshëndet gatishmërinë e liderëve të Kosovës për të ofruar një ambient të sigurt për të kthyerit.

“Kemi dëgjuar një ftesë të fuqishme të liderëve shqiptarë të Kosovës, të cilët i thërrasin serbët për t’u kthyer, por kemi parë edhe përkushtimin e madh për të ofruar siguri të madhe. Ne e inkurajojmë këtë dhe dëshirojmë të shohim sa më shumë njerëz që të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre”, tha David Blunt.

Qeveria e Kosovës ka rindërtuar në fshatin Frashër mbi 130 shtëpi, ndërkohë që objektet ndihmesë të shtëpive aktualisht janë duke i ndërtuar pjesëtarët e TMK-së. Në Frashër aktualisht sipas banorëve, jetojnë rreth 6-7 familje serbe.


XS
SM
MD
LG